6 ditë, 3 seanca të fundit: Në dorë të Gjykatës Kushtetuese t’ia vizatojë Avni Deharit demokracinë parlamentare
Ora po godet prapa për përcaktimin përfundimtar të (mos)konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Janë veç edhe tre seanca, gjashtë ditë, kur do të dihet njëherë e mirë se a dëshiron Vetëvendosja që kjo legjislaturë të ketë jetë, apo përmes dorëzës-në-dorë të vet, Avni Deharit, do ta dështojë atë pakthyeshëm. Të premten deri në ora 23:59, Kryesuesit të seancës konstitutive thjesht ceremonial dhe thjesht nga virtyti i moshës, Avni Deharit, i sosen 48 orëshet dhe vendi mund të hyjë në një pasiguri edhe më të madhe juridike dhe kushtetuese; kjo shkaku i mos përcaktimit të pasojave “Çka nëse jo?” në Aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.
Vetëvendosje i ka votat nga Partia Demokratike të Kosovës për t’i zgjedhur 40 emra nga 48 depuetë që ka për Kryetar të Kuvendit, por që refuzon a-priori: ose votim të fshehtë, për Albulena Haxhiun, ose hiç. Në 50 seanca, qe më shumë se 3 muaj, “Jo” ndaj saj është gdhendur si në gur, dhe, po aq më shumë, insistimi në të. Krejt kjo, si siguresë në moshyrjen të sahatit tjetër kushtetues, 15 ditor, për të zgjedhur qeverinë, për të cilën po ashtu Vetëvendosja nuk i ka votat.
Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e vet gjeti lexues skajshmërisht alternativë se çfarë ka thënë: Vetëvendosja, në stil të skajshëm solipsist, e lexon si konfirmim të “Komisionit të votim të Fshehtë” dhe aq më keq për secilin jurist kushtetues dhe common-sense që e ka lexuar siç është shkruar.
Tashmë Kushtetuesja ka pranuar lëndë të re në lëndën e vjetër, ku i kërkohet gati se të vizatojë se çfarë ka thënë: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës i janë drejtuar në të njëjtën linjë.
PDK ka kërkuar katër pika të saktësohen deri në paekuivokizëm:
Të shpallet vendimi i Kuvendit për Komisionin për Votim të Fshehtë si jokushtetues.
Të shpallet ndërprerja e seancës si jokushtetuese.
Të urdhërohet vazhdimi i seancës konstituive me votim të hapur, sipas praktikave të mëhershme.
Të konstatohet se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit nuk çon automatikisht në zgjedhje të reja.

PDK argumentoi se Aktgjykimi i 26 qershorit 2025 i Gjykatës ndaloi ndryshimin e rendit të ditës të seancës konstituive dhe hodhi poshtë të ashtuquajturin Komision për Votim të Fshehtë. Avni Dehari – aq më keq për Aktgjykimin – veproi kundër këtij aktgjykimi duke kërkuar themelimin e Komisionit dhe duke ndërprerë sërish dhe në arbitraritet serik seancën konstitutive.
Faton Fetahu, avokat i PDK-së, argmentoi se grupi më i madh parlamentar (LVV) ka shkelur detyrimin për bashkëpunim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, sipas nenit 67 të Kushtetutës; dhe se kjo ka çuar në bllokimin e konstituimit të Kuvendit.
Më tej u kërkua nga Gjykata Kushtetuese të sqarojë detyrimet e grupeve parlamentare lidhur me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve, për të parandaluar barazvlerësimin e këtyre proceseve, i cili mund të shërbejë si mjet i ri për bllokimin e Kuvendit nga Vetëvendosja, indikacionet e cila veçse i ka dhënë Albin Kurti.
Fetahu argumenton se veprimet e Vetëvendosjes shkelen nenet 65(6), 67(2), 74 dhe 76 të Kushtetutës, si dhe aktgjykimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese (KO124/25).
Për atë se Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e fundit nuk ka saktësuar se çfarë ndodh pas detyrimit 30 ditor të konstituimit të kuvendit, PDK kërkoi që të konstatohet se nuk çohet në zgjedhje të reja.
“V. TË KONSTATOJ se dështimi në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit dhe apo Nënkryetarëve të Kuvendi nuk shkakton mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare;”, thuhet në sfidimin e PDK-së.