Gazetari i Nacionales, Besian Beha, fiton çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese - NACIONALE

Gazetari i Nacionales, Besian Beha, fiton çmimin e dytë të BE-së për gazetari hulumtuese

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Gazetari i Nacionales, Besian Beha, ka fituar çmimin e dytë për gazetari hulumtuese që jepet nga Bashkimi Evropian.

Çmimi i është dorëzuar gazetarit Beha në ceremoninë e sotme që është mbajtur në Prishtinë.

Gazetari Besian Beha ka arritur ta fitojë këtë çmim me serinë e hulumtimeve “Lufta e pushtetit me hetuesit e aferave korruptive”, të publikuara prej majit të vitit të kaluar, e deri në korrik të këtij viti.

Çmimi i është dorëzuar nga shefi i BE-së në Kosovë, Aivo Orav.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, gazetari i Nacionales ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe jurinë profesionale për këtë çmim, duke e vlerësuar si arritje të rëndësishme. Ai ka falënderuar edhe stafin e Nacionales, kolegët dhe sinjalizuesit për bashkëpunimin.

Ky çmim është një prej më të rëndësishmëve që ndahet nga Bashkimi Evropian, në vlerësim të gazetarisë hulumtuese në Kosovë.

“Lufta e pushtetit me hetuesit e aferave korruptive”

Në muajin maj të vitit 2024, gazetari Beha kishte publikuar hulumtimin që dëshmonte për kapjen e Njësisë së Veçantë Hetimore, që ishte kryesorja për hetimin e rasteve të korrupsionit.

Pas largimit të shefit Shemsi Haziri, dhe ardhjes së Besim Berishës, aty kishte nisur një luftë speciale ndaj disa hetuesve të Njësisë, të cilët kryesisht ishin marrë me hetimin e aferave korruptive ku ishin të përfshirë zyrtarë të qeverisë Kurti.

Nacionale kishte zbuluar se si pasojë e presioneve në atë kohë, katër hetuesë ishin larguar, përderisa pesë të tjerë ishin vendosur në një listë të largimit.

Këtyre hetuesve, prej majit të vitit të kaluar nuk po u ndaheshin raste të mëdha, dhe në vend të tyre ishin emëruar eprorë të rinjë, kryesisht të afërt me Besim Berishën, i cili dihej se kishte afërsi me ministrin Xhelal Sveçla.

Disa muaj më pas, gazetari i Nacionales raportoi ekskluzivisht se të njëjtit hetues ishin larguar nga sistemi i brendshëm i Policisë për Njësinë e Veçantë, duke i ‘izoluar’ totalisht.

Hulumtimi i Nacionales kishte shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë, duke u përmendur edhe në seancën e Kuvendit, dhe pas kësaj, u ftua në raportim Drejtori i Policisë së Kosovës.

Nacionale raportoi ekskluzivisht se këta hetues, kishin qenë në krye të hetimeve për rastin e Nagip Krasniqit, Faruk Mujkës, Hysen Durmishit, Donika Gërvallës, Martin Berishaj dhe raste tjera të mëdha.

Gazetari Beha kishte publikuar hulumtimin se si ministrja Rozeta Hajdari kishte inciuar hetim ndaj hetuesve të njëjtë, pasi sipas saj, ata morën dokumente pa pasur certifikatë të sigurisë.

Më pas, Nacionale raportoi se si Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme, po synonte të kontrollonte hetimet e Njësisë së Veçantë Hetimore me një Udhëzim të ri Administrativ, duke shmangur rolin e prokurorëve specialë, dhe duke i lënë përgjegjës eprorët brenda Policisë, çka shtoi rrezikun për ndikime politike.

Kjo ishte përmendur edhe në Raportin e Progresit për vitin e kaluar.

Raportimi i Nacionales u konfirmua në muajin korrik, kur dy hetuesit që kanë hetuar rastin e Rezervës Shtetërore e të Nagip Krasniqit,u degraduan skajshmërisht në trafik. Njëri si mbikëqyrës patrulle në Skënderaj, tjetri në Malishevë.

Lajme të ngjashme