Raporti i Progresit konfirmon raportimin e Nacionales për Njësitin që lufton korrupsionin, kërkon bashkëpunim me Prokurorinë Speciale
Raporti i Progresit për vitin 2024 i Komisionit Evropian ka theksuar se Kosova nuk ka bërë ndonjë përparim në luftën kundër korrupsionit. Si rezultat, BE-ja vazhdon të ofrojë edhe disa rekomandime, në mesin e të cilave më të rëndësishmet ndërlidhen për Njësinë e Veçantë të Policisë e cila merret me luftimin e korrupsionit. Për këtë njësi, Nacionale kishte publikuar disa shkrime me detaje ekskluzive.
Gazeta Nacionale në një seri shkrimesh kishte publikuar detaje për largimin e hetuesve që po i trajtonin aferat më të njohura të korrupsionit. Këta hetues, disa muaj më pas, u konfirmua nga Policia e Kosovës se do të shpërndahen në Njësitet e tjera. Nacionale kishte zbardhur edhe synimin që nëpërmjet një udhëzimi administrativ,pushteti po tenton të kontrollojë hetimet e kësaj Njësie, duke vështirësuar bashkëpunimin me Prokurorinë Speciale.
Kjo evidentohet edhe në Raportin e Progresit për vitin 2023. Në Raport theksohet se Njësia e Veçantë e Policisë së Kosovës e cila merret me rastet e korrupsionit, duhet t’i shtojë kapacitetet. Ky është në mesin e rekomandimeve që Raporti ia adreson institucioneve vendore.
“Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar janë zbatuar pjesërisht dhe mbeten kryesisht të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Kosova duhet në veçanti: → të forcohet cilësia e hetimit në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, duke rritur kapacitetet e Njësisë së Posaçme Hetimore të policisë dhe sigurimin e bashkëpunimit efektiv të saj me Prokurorinë Speciale”, thuhet në raportin e Progresit.
Në mesin e hapave të tjerë është edhe fuqizimi i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe veprime të tjera të cilat duhet të ndërmerren. Megjithatë, edhe në një pikë tjetër, Raporti flet për këtë njësi të Policisë, e cila funksionon me mandat special.
Raporti i Progresit konfirmon raportimin e Nacionales lidhur me hartimin e një akti nënligjor, i cili do ta definonte rolin e Njësisë së Veçantë. Ashtu siç ka raportuar gazeta muaj më parë, raporti i Komisionit Evropian rithekson se ky akt duhet të përcaktojë bashkëpunimin e Njësisë me Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ndryshe nga ajo se që është tentuar të bëhet, duke e lënë këtë Njësi si gjitha të tjerat brenda Policisë së Kosovës. Fakt i cili kishte shtuar shqetësimet te Prokuroria Speciale, se në këtë formë mund të bllokohen hetimet për rastet e korrupsionit.
“Institucionet e specializuara të Kosovës për të luftuar korrupsionin janë funksionale. Njësia e Veçantë e Hetimeve të Policisë së Kosovës më herët ka funksionuar pa mandat të qartë ligjor. Ligji i ri për Prokurorinë Speciale e plotëson këtë boshllëk. Megjithatë, nevojitet një akt nënligjor për të përcaktuar aranzhimet organizative dhe aranzhimet për bashkëpunim me Prokurorinë. Si Prokuroria Speciale ashtu edhe Njësia Speciale e Hetimeve duhet të sigurojnë bashkëpunim efektiv dhe të mbajnë kapacitete të mjaftueshme hetimore për të përmbushur funksionet e tyre në mënyrë efektive”, thuhet në Raportin e Progresit për këtë vit.
Nacionale kishte raportuar muaj më parë lidhur me punën e grupit punues për hartimin e aktit nënligjor sipas të cilit flet Raporti i Progresit. Megjithatë, burimet i kishin thënë gazetës se kishte mospajtime për arsye të tendencave që hetuesit e kësaj Njësie, të mos raportojnë direkt te prokurorët e Prokurorisë Speciale.
“Një hetues para se të dërgojë raportin te Prokurori i rastit, duhet ta dërgojë te shefi i ekipit hetues, te zv/shefi i Njësisë së Veçantë dhe shefi i Njësisë së Veçantë. Pra, të tre njoftohen për secilin veprim hetimor para Prokurorit. Kjo është shkelje e konfidencialitetit të hetimit, dhe në këtë formë po synohet që të vazhdojë raportimi edhe me rregulloren e re”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për Nacionalen.
E ky element, theksohet tri herë në Raportin e Progresit, duke kërkuar qartë që “të ketë bashkëpunim efektiv mes Njësisë së Veçantë të Policisë dhe Prokurorisë Speciale”
Në disa përgjigje që Nacionale kishte pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në muajin shtator rreth këtij udhëzimi, ishte theksuar se puna ka mbetur te Departamenti Ligjor.
“Grupi punues i themeluar me Vendimin e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të datës 15.02.2024, ashtu siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi, ka finalizuar draftin fillestar të Projekt-Udhëzimit Administrativ për Procedurën e Punës dhe Mënyrën e Funksionimit dhe Bashkëpunimit të Njësisë së Veçantë Hetimore me Prokurorinë Speciale. Drafti pas finalizimit është përcjellë tek Departamenti Ligjor i Ministrisë së Punëve të Brendshme për shqyrtim ligjor dhe i njëjti është duke u trajtuar nga Departamenti Ligjor, për rekomandime eventuale”, thuhet në përgjigjet e Ministrisë së Brendshme.
Frika për tentimet që të ketë ndikime në këtë Njësi, kishte ardhur fillimisht pas largimit të Shefit të Njësisë së Veçantë, Shemsi Haziri. Aso kohe, prokurorët kishin tërhequr të gjitha lëndët që kishin me hetuesit e Njësisë, siç kishte raportuar Betimi për Drejtësi.
Nacionale kishte raportuar gjithashtu lidhur me një kërkesë për hetim të disa hetuesve që kishte ardhur nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari. Ajo kishte kërkuar hetim ndaj hetuesve me arsyetimin se nuk kanë pasur certifikatë të sigurisë që të marrin dokumente lidhur me rezervën shtetërore.