Si kishte iniciuar hetim Rozeta Hajdari ndaj hetuesve që e zbuluan skandalin me rezervën shtetërore? - NACIONALE

Si kishte iniciuar hetim Rozeta Hajdari ndaj hetuesve që e zbuluan skandalin me rezervën shtetërore?

3 muaj më parë

nga Besian Beha

Një hetim zyrtar e kishte nisur muaj më parë Inspektorati Policor i Kosovës ndaj hetuesve të cilët arritën ta zbulojnë aferën e rezervës brenda Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Qëllimi i Ministrisë që drejtohet nga Rozeta Hajdari kishte qenë që ndaj hetuesve të merren masa, kinse për zbulim të sekretit. Por, si kishte nisur gjithë kjo? Nacionale sjell detaje.

Në mëngjesin e 18 gushtit të vitit 2023, disa hetues të Njësisë së Veçantë Hetimore kundër korrupsionit, kishin zbarkuar në objektin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Gjithashtu edhe në restaurantin e Ridvan Muharremit, pronarit të Bukë e Zemër.

Krejt kjo pas raportimit ekskluziv të gazetës Nacionale lidhur me dyshimet për dallavere me rezervën shtetërore. Raportimi i Nacionales kishte zbuluar se një pjesë e mallit të kontraktuar ishte paguar, por nuk kishte ardhur kurrë. Për këtë u publikuan edhe audio-incizime ekskluzive.

Hetuesit e Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë, kishin shkuar në objektin e ministrisë e cila drejtohet nga Rozeta Hajdari, dhe me vete kishin marrë një numër provash e dokumentesh të rëndësishme për rastin.

Megjithatë, puna e tyre në atë ditë do të mund t’iu kushtonte me masa të ndryshme. Kjo pasi, për këta hetues të cilët zbardhën detaje për skandalin me rezerva, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte dërguar ankesë në Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK).

Burimet ia kanë konfirmuar gazetës Nacionale se ankesa e Ministrisë së drejtuar nga Rozeta Hajdari, shprehte pakënaqësi pse hetuesit kishin shkuar e kishin marrë dokumente të cilat përmbanin informacione konfidenciale.

Ankesa e MINT-it nuk mbeti vetëm në letër. Ajo u dërgua në Inspektorat, Inspektorati filloi hetimet. Pra, filloi hetimet ndaj hetuesve. Megjithatë, në fund, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës rasti ishte mbyllur, pasi ishte konstatuar se hetuesit kanë ndjekur të gjitha veprimet e kërkuara nga Prokuroria.

“Duke iu referuar kërkesës suaj IPK ju konfirmon se ka pranuar dhe trajtuar ankesën e paraqitur nga MINT-i. IPK ka zhvilluar një hetim preliminar lidhur me pretendimet e ankuesit lidhur me këtë çështje dhe pas hetimit preliminar ka dërguar një raport informues në Prokurorinë përkatëse, e njëjta ka konstatuar se nuk elemente të veprës penale të kryer nga hetuesit e NJHV-së, pasi që të njëjtit të gjitha veprimet i kanë ndërmarrë në konsulltim dhe sipas udhëzimeve të Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen për gazetën Nacionale.

Policia e Kosovës ka thënë se për këtë rast, është kompetent vetëm Inspektorati Policor i Kosovës. Megjithatë, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë javë më parë, drejtori Gazmend Hoxha, ishte në dijeni për këtë tentim-hetim ndaj hetuesve të Policisë së Kosovës të cilët ende merren me një aferë korruptive.

“Sa i përket kërkesës, kërkesa nga Ministria, ka shkuar direkt në IPK, IPK-ja është marrë me hetimin e shkeljes së sekretit nga hetuesit. Ka pasur dilemë a mund të kenë qasje këta hetues në dokumente sekrete, dhe çështja është hetuar nga Inspektorati Policor i Kosovës”, deklaronte drejtori i Policisë në komision.

Nacionale ka dërguar pyetje edhe në adresën e Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, por që të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Pakënaqësinë e saj me hetuesit, ministrja Rozeta Hajdari e kishte shpalosur në një konferencë për media ditën kur kishte ndodhur aksioni në ministrinë që ajo drejton.

“Policia e Njësisë hetuese nuk ka prezantuar certifikate sekrete, pra, kërkesa e Policisë për pranim-droëzim të këtyre provave dhe dokumenteve ka qenë në kundërshim me Ligjin për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar”, deklaronte Hajdari.

Megjithatë ajo nuk pranonte të përgjigjej nëse vetë ka certifikatë të sigurisë, e aq më pak nëse Ridvan Muharremi që kishte negociuar për blerjen e mallrave, kishte pasur certifikatë të sigurisë siç ua kërkonte hetuesve.

Kjo temë ishte diskutuar edhe në mbledhjen e Komisionit për Siguri.

Burimet e Nacionales kanë bërë të ditur se Prokuroria Speciale e kishte rrëzuar kërkesën nga MINT, pasi e njëjta ishte vlerësuar e pambështetur.

Nacionale edhe para disa javësh ka raportuar për betejën e pushtetit me hetuesit të cilët po merren me aferat korruptive, e ku të përfshirë janë zyrtarët e lartë të qeverisë.

Për rastin e rezervave ishin arrestuar tre zyrtarë të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, të cilët më pas ishin liruar me vendim të Gjykatës së Apelit.

Nacionale kishte publikuar audio-incizime të cilat dëshmonin bisedat brenda Ministrisë së Tregtisë, për aferën e rezervave.

Sipas dyshimeve të Prokurorisë të cilat po vazhdojnë të hetohen, persona të paautorizuar ishin marrë me blerjen e mallrave për rezervën, edhe pse për të njëjtat kërkohej certifikatë e sigurisë.

Gjithashtu, ishin porositur mijëra euro mallra si oriz, grurë e vaj, dhe shumica e tyre nuk kishte arritur kurrë në Kosovë. Një gjë e tillë ishte tentuar të mbahet sekret nga udhëheqësitë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale e Kosovës e ka intervistuar edhe ministren, Rozeta Hajdari.

Megjithatë, ajo ka thënë se nuk është intervistuar.

Nuk kam qenë e intervistuar, bëhet fjale për rezervat shtetërore.” – ka thënë ajo.

Tutje, ajo ka thënë se do të japin përgjigjet pasi të qartësohet legjislacioni.

Kjo kërkon qartësi në legjislacionin në fuqi që është Ligji për Rezervën Shtetërore, Ligji për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe ligjet tjera, prandaj derisa t’i marrim qartësitë përkatëse, ne do të bëjmë kërkesën dhe të vijmë t’ju japim përgjigjet.” – ka thënë ajo.

Sipas burimeve të Nacionales, hetimet e Prokurorisë Speciale për këtë rast, janë intensifikuar dhe po mbledhen dëshmitë nga të gjithë personat e përfshirë, madje edhe me biznesmenin Ridvan Muharremi, që ka qenë personi kryesor negociator në këtë aferë.

Lajme të ngjashme