Ekskluzive: Si po tentohet të kontrollohen hetimet e korrupsionit nëpërmjet rregullores së re për Njësinë e Veçantë të Policisë?
Aktualisht është në hartim e sipër një rregullore e cila përcakton punën dhe bashkëpunimin mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe Njësisë së Veçantë Hetimore të Policisë së Kosovës. Jozyrtarisht Nacionale ka mësuar detaje nga takimet që janë zhvilluar javëve të fundit, dhe tendencën për të pasur një kontroll ‘legal’ mbi Njësinë. Nacionale sjell detaje.
Disa takime janë mbajtur deri më tash me përfaqësues të shumë institucioneve, në mënyrë që të dakordohet hartimi i Rregullores për funksionimin e Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës. Kjo me qëllim që të shtohet bashkëpunimi mes Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës për luftimin e korrupsionit.
Komplet procesi për hartimin e rregullores, sipas burimeve të Nacionales, është duke u koordinuar dhe organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Megjithatë, më shumë se me qëllim për të luftuar korrupsionin, deri më tash, tendenca po del të jetë për ta kontrolluar Njësinë e Veçantë. Pas tendencës për të lëvizur hetuesit për të cilën ka raportuar Nacionale, tash kontrolli po tentohet të legalizohet duke e bërë më të vështirë hetimin.
Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar jozyrtarisht se deri më tash janë mbajtur disa takime me përfaqësues të shumë institucioneve. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, sipas burimeve të afërta me zhvillimet, po tentojnë ta bëjnë më rregullore raportimin e një hetuesi për korrupsion, në tri duar para se raporti të shkojë te Prokurori.
Pra, për një veprim hetimor, polici hetues duhet të shkojë në tri faza, para se të arrijë te Prokurori!
“Një hetues para se të dërgojë raportin te Prokurori i rastit, duhet ta dërgojë te shefi i ekipit hetues, te zv/shefi i Njësisë së Veçantë dhe shefi i Njësisë së Veçantë. Pra, të tre njoftohen për secilin veprim hetimor para Prokurorit. Kjo është shkelje e konfidencialitetit të hetimit, dhe në këtë formë po synohet që të vazhdojë raportimi edhe me rregulloren e re”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për Nacionalen.
Kjo formë e rregullimit ka qenë edhe në të kaluarën, mirëpo Nacionale ka mësuar se shpresat kanë qenë që me rregulloren e re, hetuesit ta kenë kontakt të parë prokurorin, e jo eprorët brenda Policisë, në mënyrë që të shmangen edhe ndikimet e mundshme politike.
Në anën tjetër, Nacionale ka mësuar nga burimet e veta se kërkesa e prokurorëve ka qenë që hetuesit të kenë komunikim direkt me prokurorët, e jo me eprorët brenda Policisë.
Reagimet janë shtuar kryesisht pas largimit të shefit të Njësisë, Shemsi Haziri, presioneve që çuan në dorëheqjen e katër hetuesve, dhe tendencën për të larguar pesë hetues që po trajtojnë korrupsionin në qeverinë Kurti.
Me lëvizjen e tyre, Nacionale raportoi se në pozitën e shefave kanë ardhur kryesisht persona të afërt me udhëheqësin e Njësisë, Besim Berisha, i cili vjen nga një fshat komshinj me fshatin e ministrit Sveçla.
“Me lëvizjet e fundit të hetuesve është shtuar dyshimi se mund të ketë ndikime në shefat e ri të ekipeve dhe udhëheqësinë e Njësisë. Nëse rregullorja miratohet në këtë formë, atëherë secili hetim për korrupsion mund të rrezikohet”, ka theksuar më tutje burimi në kushte anonimiteti.
Sipas burimeve të Nacionales, diskutimi më thelbësor është bërë në këtë pikë: pra a duhet t’i raportojë hetuesi direkt prokurorëve, apo duhet që secili raport hetimor të kalojë në 3 duar para prokurorëve.
“Pajtimi ka qenë që hetuesit të raportojnë për çështje administrative, mirëpo jo për çështje hetimore sepse ato janë konfidenciale, dhe prokurorët duhet të jenë shefat e hetimeve”, ka thënë më tutje ky burim i afërt me zhvillimet e fundit.
Nacionale ka mësuar se në këto takime po marrin pjesë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Nacionale ka siguruar edhe disa dokumente nga grupi punues, megjithatë të njëjtat nuk do të publikohen derisa rregullorja të del për konsultime publike.
Pas tendencave për largim të hetuesve nga rastet e aferave, në rregulloren e re pritet të përcaktohet edhe neni për lëvizjen e hetuesve, largimin e tyre dhe pranimin e hetuesve. Edhe në këtë pikë ka pasur ndasi.
Burimet i kanë thënë Nacionales që MPB-ja dhe Policia e Kosovës po insistojnë që këto lëvizje të autorizohen komplet brenda zinxhirit të Policisë, kurse prokurorët po insistojnë që edhe ata të përfshihen të paktën me një letër reference. Kjo me qëllim që hetimet të mos ndalen në fund të procesit, në mënyrë që të shmangen ndikimet politike.
“Lëvizjet e fundit brenda hetuesve kanë shtuar shqetësimet, andaj ka pasur kërkesa që Prokuroria të përfshihet në procesin për lëvizjet që mund të bëhen tek hetuesit. Megjithatë, deri më tash, kjo nuk ka pasur mirëkuptim nga eprorët e Policisë dhe të MPB-së, megjithatë mbetet të shihet deri në fund të finalizimit të rregullores”, ka theksuar më tutje ky burim për Nacionalen.
Burimet i kanë thënë gazetës se për hartimin e kësaj rregulloreje ka pasur disa takime deri më tash, megjithatë ende nuk është arritur ndonjë konsensus.
Hartimi i kësaj rregulloreje ka qenë e përcaktuar në Projektligjin për Prokurorinë Speciale. Aty theksohej se ky akt nënligjor do të bëhej në konsultim me Prokurorinë. Megjithatë, a do të merren apo jo parasysh kërkesat e prokurorëve, mbetet të shihet.
“Procedura e punës dhe mënyra e funksionimit dhe bashkëpunimit të Njësisë së veçantë hetimore me Prokurorinë Speciale përcaktohet me akt nënligjor të miratuar nga Qeveria, pas propozimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme në konsultim me Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në Projektligj.
Alarmi është ngritur sidomos pas raportimit të Nacionales për lëvizjet e hetuesve dhe tendencën për largimin e tyre nga Njësia. Kjo kryesisht për hetues që po merren me aferat korruptive ku janë të përfshirë zyrtarët e qeverisë. Drejtori i Policisë këtë e arsyetoi me një listë tepricë, dhe riorganizim në Policinë e Kosovës.
Sqarimet nga Policia dhe MPB-ja
Se janë duke marrë pjesë në takimet e tilla e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Megjithatë, ata nuk kanë pranuar të komentojnë lidhur me këto dallime me disa prej institucioneve të tjera për mënyrën e raportimit.
“Policia e Kosovës është pjesë e Grupit punues për Hartimin e draftit fillestar të Projekt-Udhëzimit Administrativ për Procedurën e Punës dhe Mënyra e Funksionimit dhe Bashkëpunimit të Njësisë së Veçantë të Hetimeve me Prokurorinë Speciale. Si pjesë e Grupit Punues do japim kontributin në hartimin e legjislacionit sekondar”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Nacionalen.
Sqarime konkrete përveç konfirmimit për pjesëmarrje, nuk kanë dhënë as nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Ministria e Punëve të Brendshme për gjitha fushat që ka nën përgjegjësi krijon grupe punuese ashtu si edhe aty ku kërkohet kontributi i saj në institucionet tjera të Republikës së Kosovës, delegon zyrtarët e saj si pjesë e atyre grupeve. Në reference të pyetjeve specifike të angazhimit dhe rrjedhës së punimeve të një grupi punues, i cili udhëhiqet nga Policia e Kosovës, luteni që pyetjet t’i përcillni në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për Nacionalen.
Nacionale javën e kaluar publikoi hulumtimin që dëshmonte për tendencën që të largohen nga Njësia e Veçantë Hetimore hetuesit që po luftonin korrupsionin në disa prej aferave më të njohura në Kosovë. Gazeta publikoi me iniciale të gjithë këta hetues. Gjithashtu, Nacionale publikoi edhe emrat me iniciale të hetuesve të rinj që kanë ardhur në pozita udhëheqëse, kryesisht të lidhur me udhëheqësin e Njësisë, Besim Berisha. Ky i fundit, me dyshime për afërsi me ministrin Sveçla.