“Disa janë tepër, duhet të sistemohen”: Si e konfirmoi drejtori i Policisë raportimin e Nacionales për hetuesit që po trajtojnë korrupsionin - NACIONALE

“Disa janë tepër, duhet të sistemohen”: Si e konfirmoi drejtori i Policisë raportimin e Nacionales për hetuesit që po trajtojnë korrupsionin

1 vit më parë

nga Besian Beha

Pak ditë pas raportimit të gazetës Nacionale lidhur me "korruptimin e luftës kundër korrupsionit" dhe degradimit të hetuesve që kanë trajtuar korrupsionin e qeverisë Kurti II, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka raportuar në Komisionin për Siguri. Ai e ka pranuar se disa hetues janë tepër, duke konfirmuar se hetuesit e përmendur në hulumtim, janë tepricë. Drejtori konfirmoi edhe detajet e tjera të raportimit të Nacionales, megjithatë duke bërë "lojë fjalësh". Nacionale sjell detaje.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka raportuar në Komisionin për Siguri. Tema ishte kryesisht për raportimin e gazetës Nacionale rreth largimit të disa hetuesve të cilët po merren me hetimin e aferave kryesore korruptive të qeverisë Kurti.

Drejtori i Policisë së Kosovës ka mohuar se ka një listë të largimit. Megjithatë, ai e ka konfirmuar se disa hetues janë tepricë dhe ata duhet të sistemohen.

“Ekziston një problem: struktura e Njësisë ka pasur 30 policë, me strukturën e re dhe është paraprarë tash të ketë 27 policë. E tash ne kemi obligim që nga këta 30, t’i sistemojmë dhe janë bërë disa reforma brenda njësisë. Disa grada janë rritur në pozicione që kanë pasur, të tjerët janë zvogëluar”, tha drejtori i Policisë në mbledhjen e komisionit, raporton Nacionale.

Sipas drejtorit të Policisë, largimi i ish-shefit, Shemsi Haziri, ka ndodhur për arsye operacionale. Çuditërisht, ai kishte qenë në krye të hetimeve për Martin Berishajn e disa kontrata të tjera të dyshimta. E për arsye të risistemimit, sipas drejtorit të Policisë, kanë mbetur tepricë disa hetues të tjerë. Çuditërisht, edhe këta që kanë qenë apo janë duke trajtuar korrupsionin e profilit të lartë.

“Unë mundem me thanë që nga cilësia e drejtorit të Policisë njoftoj se nga kjo Njësi nuk ka pasur largime apo transferime të asnjë polici përveç Shemsi Hazirit, që është transferuar në kuadër të reformave që unë kam zbatuar me qëllim të arritjes së vizionit dhe në zbatim të strukturës së re organizative me qëllimin e vetëm për të rritur efikasitetin në Policinë e Kosovës”, tha Hoxha.

Drejtori i Policisë ka mohuar se ka pasur presione të cilat kanë shtyrë katër hetues të japin dorëheqje. Ai ka thënë se ka ndikuar heqja e shtesave.

“Iu garantoj me gjithë autoritetin tim që këto lëvizje që janë bërë janë bërë me kërkesën e policëve vet. Asnjë polic nuk është larguar pa kërkesën e tyre dhe pa epror. Jo nuk kanë pasur presion, të garantoj. Kanë qenë për nevoja të tyre personale. Kjo Njësi dikur është paguar ka pasur shtesë ekstra 300 euro e cila është ndaluar në shuarjen e Task Forcës. Këta katër janë larguar me vullnetin e tyre, as nuk ka listë të largimit të tyre”, tha drejtori i Policisë.

Gazmend Hoxha indirekt ka konfirmuar se vlerësimi i performancës është shkak për largimin ose jo të hetuesve. Nacionale kishte raportuar se hetuesit që po trajtojnë aferat korruptive të qeverisë Kurti, po notohen me nota të dobëta. Kjo si mënyrë për ta krijuar terrenin në largimin përfundimtar të hetuesve nga njësia, duke e mbështetur në performancën e dobët.

“Asnjë ndryshim, asnjë lëvizje nuk bëhet me mbrojte ose me ndjek dikënd. Çdo ndryshim bëhet në bazë të vlerësim të perfomancës. Nuk merrem me emra kush hetohet, jam atje me kriju kushte secilit dhe ambient të përshtatshëm. Ne nuk shikojmë emrat. Udhëheqës, drejtues i hetimeve nuk është Policia, është prokurori. Besim Berisha është drejtori ose shefi i kësaj njësie, ai duhet me pas informacione. Për me bo vlerësim të drejtë e të mirë, ai duhet me dit kush është duke u hetu. Ai nuk është vetëm për me u hetu, por me kontrollu punën”, tha Gazmend Hoxha.

Hoxha ka thënë se nuk ka pasur asnjë ndikim politik, megjithatë, e ka pranuar se në pozicionet e reja udhëheqëse, ka pasur ndryshime të mëdha në komplet Njësinë.

“Nuk ka listë të largimit të njerëzve, janë disa pozicione me pa si duhet me u sistemu. Janë 3 persona tepër në këtë njësi. Nuk përkojnë me nivelin e gradave në këtë departament. Nuk ka as favorizime lokaliste, avancimi bëhet në bazë të performancës të secilit. Dikush bën gabime, janë proceset e hetimeve që përcaktojnë. Nuk ka as nuk do të ketë largime të kësaj natyre, nuk do të lejojmë kurrfarë ndikimi politik. Jo nuk kam presion politik”, tha drejtori Hoxha.

Njëri nga eprorët e tjerë të Policisë që ishte në mbledhje, konfirmoi raportimin e Nacionale se emrat e këtyre 5 hetuesve nuk janë në sistem elektronik. Megjithatë, e arsyetuan me problem teknik.

“E kemi një problem teknik të sistemit, gjithë Policia ka problem teknik. Për shkak të problemeve teknike, nuk është vetëm tek kjo njësi”, tha ky zyrtar i Policisë.

Është konfirmuar gjithashtu raportimi i Nacionales se para se një veprim hetimor të ndërmerret, duhet të njoftohen tre zyrtarë të Njësisë, para Prokurorit. Kjo duke shtuar dyshimet se proceset hetimore mund të kompremetohen.

“Po duhet me i dhanë. Kjo procedurë është çdo kund. Ne nuk mundemi me këput zinxhirin komandues. Duhet me komuniku, nuk mund të krijojmë mosbesim. Zinxhiri jonë është unik, i kemi trajnuar ata njerëz dhe janë caktuar në ato pozicione. Nuk kam informacion. Ka qenë punëtori”, tha Hoxha më tutje.

Nacionale kishte sjellur ekskluzivisht hulumtimin për luftimin e hetuesve që po merren me aferat e qeverisë Kurti.

Pas kësaj, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, u ftua në raportim në Komision.

Kryetari i Komisionit të Komisionit, Bekë Berisha, ka theksuar se informacionet e tij janë se i gjithë raportimi i Nacionales, është i saktë. Madje, ai përmendi me emër e mbiemër të gjithë hetuesit që po degradohen.

Kjo nxiti reagimi nga deputetët e opozitës në Kuvend, duke shkaktuar debat të madh.

RAPORTIMI I NACIONALES

Lajme të ngjashme