Ekskluzive: Pushteti ‘në luftë’ me hetuesit e aferave korruptive, 5 propozohen për largim, 4 dhanë dorëheqje shkaku i presionit - NACIONALE

Ekskluzive: Pushteti ‘në luftë’ me hetuesit e aferave korruptive, 5 propozohen për largim, 4 dhanë dorëheqje shkaku i presionit

1 vit më parë

nga Besian Beha

Njësia e Veçantë Hetimore, apo Njësia kryesore e cila merret me hetimin e korrupsionit të profilit të lartë po ballafaqohet me ndikime politike. Siç i kanë thënë Nacionales sinjalizuesit e afërt me këto zhvillime, vetëm brenda muajve të fundit ka pasur lëvizje të mëdha. Disa hetues janë larguar shkaku i presioneve, e hetuesit e tjerë që po trajtojnë raste të mëdha të korrupsionit, janë në listë të largimit. Madje, nuk figurojnë as në sistemet brenda Policisë. Dyshimet janë se krejt kjo po bëhet me ndikime politike, në mënyrë që hetuesit të cilët etiketohen si të "regjimit të kaluar", të përjashtohen nga loja. Nacionale sjell detaje.

Gjithçka nisi me largimin e majorit Shemsi Haziri, udhëheqësit të Njësisë së Veçantë Hetimore brenda Policisë së Kosovës që trajton rastet e korrupsionit. Haziri po hetonte disa prej aferave më të njohura të korrupsionit ku ishin të përfshirë Martin Berishaj, Nagip Krasniqi, Ministria e Tregtisë, e zyrtarë të tjerë të lartë të pushtetit.

Megjithatë, largimi i Hazirit duket të ketë qenë vetëm nisja e një plani për ta bllokuar hetimin e rasteve ku janë të përfshirë akterët e pushtetit. Nacionale ka siguruar informacione nga burime tejet të afërta me këto zhvillime, të cilat dëshmojnë se hetuesit e tjerë që po i trajtojnë këto afera të korrupsionit, janë në prag të largimit përfundimtar nga kjo Njësi e Policisë së Kosovës.

Vetëm që nga largimi i Shemsi Hazirit, e emërimi i Besim Berishës, katër hetues kanë kërkuar largimin nga kjo njësi. Berisha është nga Podujeva, një fshat i afërt me vendlindjen e ministrit Xhelal Sveçla.

Sipas burimeve të Nacionales, kjo ka ndodhur për shkak të presioneve të mëdha me të cilat po ballafaqohen.

“Shefi i ri kërkon nga hetuesit shënime zyrtare për secilin takim me prokurorët e rasteve, kërkon statistika në detaje. Diskriminimi është edhe në dërgimin në trajnime. Forma më e rëndë e presionit është ajo e notimit vjetor të performancës. Pjesa më e madhe e hetuesve të cilët po trajtojnë aferat e korrupsionit të pushtetit janë notuar me nota të dobëta, disa prej tyre edhe me notën 2. Kjo për të përgatitur terrenin për largimin përfundimtar të tyre”, ka thënë një sinjalizues i afërt me të gjitha zhvillimet për gazetën Nacionale.

Këta hetues që po përballen me këto presione kanë qenë duke hetuar aferat më të njohura si ajo e Martin Berishajt, Hysen Durmishit, Nagip Krasniqit, e disa kontrata nga disa ministri. Nacionale për të gjitha këto pretendime, ka siguruar edhe listat e dokumentet, megjithatë të njëjtat nuk do të bëhen publike me qëllim që të mos zbulohen sinjalizuesit, të cilët nuk kanë gatishmëri të dalin publikisht.

Hetuesit e padëshiruar për pushtetin

Nacionale në vijim do të publikojë me iniciale (pavarësisht që i posedojmë edhe emrat) e të gjithë hetuesve të cilët janë në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore. Gjiashtu do të bëhen publike edhe rastet që ata janë duke hetuar.

Të gjitha informacionet Nacionale i ka të evidentuara nëpërmjet disa provave që kanë dalë nga brenda kësaj njësie, e ku janë shfaqur pakënaqësitë nga hetuesit të cilët janë në pritje të largimit.

Gazeta Nacionale ka mësuar se ekipa hetuese me numër 6 brenda njësisë e cila ka qenë duke trajtuar rastin e rezervave shtetërore, rastin e Faruk Mujkës si dhe një pjesë të rastit në KEK, është shuar totalisht. Hetuesit e saj janë dërguar nëpër ekipe të tjera, kurse udhëheqësi i njësisë, rreshteri I.G është në listën e largimit përfundimtar nga Njësia. Pra, kjo njësi e cila ka trajtuar afera të rëndësishme të korrupsionit, tash më nuk funksionon, përderisa të gjithë hetuesit janë shpërndarë.

Hetuesi rreshter me inicialet E.I që ka qenë dhe është duke e hetuar ambasadorin Martin Berishaj, është propozuar në listën e largimit përfundimtar nga Njësia e Veçantë Hetimore e Policisë së Kosovës. I njëjti, deri më tash, kishte grumbulluar prova e dëshmi lidhur me përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në shpërlarje të parave. I njëjti, tash nuk është i përfshirë në asnjë prej hetimeve të reja të profilit të lartë të cilat bëhen brenda Njësisë së Veçantë Hetimore.

Hetuesja rreshtere me inicialet A.A që ka qenë dhe është duke hetuar një kontratë të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, është në listën e propozuar të largimit përfundimtar nga Njësia. Kontrata përfshinte dyshime për korrupsion në dhënien e një kontrate për një kompani private.

Hetuesi rreshter me inicialet H.T ka qenë dhe është duke hetuar kontratën me të cilës iu dha në shfrytëzim një tokë kompanisë Kosmonte Foods. Edhe ky rreshter është propozuar në listën e largimit nga kjo njësi. Për këtë kompani kishte raportuar edhe gazeta Nacionale. E njëjta kishte qenë përkrahëse e qeverisë Kurti, dhe të njëjtës i është dhënë një tokë në shfrytzim për vite të tëra. Hetimi i kësaj kontrate, sipas burimeve, i ka kushtuar me para-përjashtim këtij hetuesi.

Shefi i ekipit, togeri me inicialet Z.K që është duke hetuar zv/ministrin Hysen Durmishi për rrugën Prishtinë-Podujevë, është në listën e propozuar për largim përfundimtar. Deri në largim, Nacionale ka mësuar se ai është emëruar rreshter, një gradë më të ulët. Tenderi për rrugën Prishtinë-Podujevë është konstatuar se ka pasur shkelje të mëdha edhe nga shoqëria civile.

Të gjithë këta zyrtarë, janë nga komunat si Drenasi, Skënderaj, Mitrovica e Vushtrria. Komuna këto të cilat nga udhëheqja e re e Njësisë, etiketohen si zona ku kanë përkrahje më shumë partitë e opozitës, të cilat më parë ishin në pushtet. Në këtë formë, hetuesit të cilët ndër vite kanë hetuar edhe zyrtarët e PDK-së e LDK-së, në ditët e sotme janë komplet të pafuqishëm, dhe po presin vendimin përfundimtar për largim. Krejt kjo në emër të një risistemimi.

Nacionale ka tentuar të marrë qëndrime zyrtare nga këta hetues, por të njëjtit nuk kanë pranuar të përgjigjen.

Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se këta hetues tashmë nuk figurojnë në sistemin elektronik të Policisë së Kosovës, ku figurojnë emrat e zyrtarëve policorë.

Gazeta ka mësuar se këta hetues do të vazhdojnë t’i hetojnë rastet aktuale. Megjithatë, me ndryshimin e hierarkisë, rastet e korrupsionit të ngjashme, do t’iu delegohen hetuesve të tjerë. Për hetuesit të cilët kanë shprehur këto shqetësime, pas ndryshimeve në hierarki, kryesisht po iu ofrohen raste të profilit të ulët, kanë bërë të ditur sinjalizuesit e afërt me këto zhvillime për Nacionalen.

Shefat e rinj, kryesisht nga Llapi dhe të afërt me shefin

Gazeta Nacionale posedon informacione të tjera lidhur me zyrtarët e tjerë që janë pozicionuar nëpër pozitat udhëheqëse brenda njësisë. Gazeta ka siguruar me emra të gjithë hetuesit, megjithatë do t’i publikojë vetëm me iniciale.

Me largimin e Shemsi Hazirit, erdhi në udhëheqje të Njësisë majori Besim Berisha. Me ardhjen e tij, është ndryshuar komplet zinxhiri udhëheqës i kësaj njësie. Të gjithë udhëheqësit që kanë ardhur nëpër pozita të reja, kanë afërsi me shefin e Njësisë, i cili është emëruar pas largimit të Shemsi Hazirit. Shefi i ri i Njësisë, Besim Berisha, tashmë cakton hetues nëpër rastet e reja, vetëm ata të cilët i përshtaten. Kështu kanë deklaruar sinjalizuesit për Nacionalen.

"Asnjë hetues që ka pasur raste të mëdha ku kanë qenë të përfshirë zyrtarët e pushtetit aktual, nuk marrin raste të reja të profilit të lartë. Të gjitha ato raste, u jepen shefave të rinjë që i ka emëruar, e që i ka nën kontroll", ka thënë ky sinjalizues në kushte anonimiteti.

Kapiteni me inicialet B.S është emëruar në pozitën zv/shef i njësisë. Funksionari i ri në këtë pozitë vjen nga Podujeva, dhe ka afërsi me shefin e Njësisë Besim Berisha, i cili ka ardhur në këtë pozitë pas ardhjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje.

Togeri A.A është emëruar shef i ekipeve, edhe ky me prejardhje nga Podujeva. Gjithashtu, me afërsi me shefin e ri Besim Berisha.

Rreshteri me inicialet F.K është emëruar shef i ekipit, gjithashtu nga komuna e Podujevës. Ky rreshter, tash merret me raste dhe cakton hetues të rasteve specifike, dhe në asnjë prej tyre nuk përfshihen hetuesit "non grata" që kanë trajtuar aferat korruptive të qeverisë Kurti II.

Rreshteri me inicialet A.R është emëruar shef i ekipit, edhe ky nga Podujeva. Sipas sinjalizuesve të Nacionales, ndarja territoriale, nuk është vetëm si e tillë, por si një dëshmi që të gjithë hetuesit e tjerë që kanë ardhur nga "komunat ku kanë votë PDK dhe LDK", vlerësohen si të regjimit të vjetër.

Rreshteri V.Z është emëruar shef i ekipit. Nacionale ka mësuar se ky i fundit ka lidhje familjare me udhëheqësin e Njësisë së Veçantë Hetimore, Besim Berisha.

Togeri me inicialet R.O është emëruar shef i ekipit, i njëjti dyshohet se ka lidhje miqësore me majorin Besim Berisha.

Rreshteri M.K është përzgjedhur shef i ekipit. Ky i fundit ishte larguar nga njësia vite më parë me dyshime se ka qenë i përfshirë në veprimtari të jashtëligjshme. Për të njëjtin, është parë e arsyeshme që ky të kthehet sërish.

Pra, nëpër të gjitha pozitat udhëheqëse të Njësisë së Veçantë, si shef i ekipit apo mbikëqyrës, ka pasur ndryshime të mëdha, duke i larguar të gjithë rreshterët që kanë qenë nëpër detyra deri më tash, dhe e kanë pasur barrën për të hetuar aferat më të njohura korruptive. Të gjithë këta, sipas sinjalizuesve, janë zëvendësuar me emra të rinjë.

Sqarimet e Policisë

Nacionale për të gjitha këto informacione ka pyetur në Ministrinë e Brendshme, Policinë e Kosovës gjithashtu edhe Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Speciale e Kosovës nuk janë përgjigjur në këtë temë. Kurse, Policia e Kosovës ka dhënë disa sqarime. Ata kanë mohuar se janë larguar hetuesit, duke konfirmuar vetëm largimin e 4 zyrtarëve në baza vullnetare.

“Nuk ёshtё larguar asnjë zyrtar nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, përveç atyre që janë transferuar në njësi tjera në Policinë e Kosovës me vet kërkesën e tyre. Prej kur ekziston Task Forca e tash me emërtimin NJVH, nuk ka pas asnjë proces tё hetimeve ndaj ndonjë zyrtari tё NJVH-sё që ka rezultuar me shqiptimin e masës disiplinore të degradimit”, thuhet në fillim të përgjigjes.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka emëruar eprorë të rinj, megjithatë, sipas tyre, janë bazuar në Strukturën e re Operative.

“Janë plotësuar pozitat tё cilat janë kërkuar sipas Strukturës së re Organizative të Policisë së Kosovës e cila ka hyrë në fuqi me datën 24.03.2023”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës ka mohuar të ketë pasur kërkesë zyrtare nga Prokuroria Speciale që hetuesit e caktuar nëpër rastet aktuale, të mos largohen. Ata kanë konfirmuar se rastet e reja të korrupsionit, tash përcaktohen hetuesit nëpërmjet Procedurës Standarde. Ata kanë mohuar se ka ndarje territoriale. Megjithatë, është konfirmuar raportimi i Nacionales se me ardhjen e VV-së në pushtet, të gjithë udhëheqësit e ekipeve hetuese janë ndryshuar, duke ardhur në pozitë ata më të afërt me pushtetin aktual.

“NJVH vazhdon procedurën e njëjtë të caktimit të hetuesit/ekipit hetues në kërkesat e prokurorisë që nga aprovimi Procedurës Standarde tё Operimit – PSO me datë 09.06.2011. Në kuadër të NJVH-së vazhdojnë punën i njëjti personel dhe staf i graduar dhe përgjegjësit e marra me strukturë të re organizative nuk ka të bëjë me ndarje territoriale nga vijnë të njëjtit, janë nga komuna të ndryshme”, thuhet më tutje në përgjigje.

Sipas Policisë, me këto ndryshime po synohet vetëm produktiviteti.

Task-Forca u themelua në vitin 2010. Drejtues ishte Shemsi Haziri, njëri prej hetuesve më të njohur të korrupsionit në vend.

Task-Forca ka trajtuar mbi 600 raste, profile të larta si p.sh: Besim Beqaj, Mimoza Kusari, Adem Grabovci, afera Pronto, inspektorët e ndërtimit, homologimi, Shukri Buja, Sokol Bashota etj.

Më 18 tetor 2020, qeveria Hoti e shuan Task-Forcën me arsyetimin se ishte kundër-kushtetuese. Vetëvendosja ftonte seancë të jashtëzakonshme në atë kohë, duke bërë kritika të ashpra. Shuarja e Task-Forcës në atë kohë, ishte përcjellur me reagime të ashpra ndërkombëtare.

Në korrik 2023, udhëheqësi i Njësisë, Shemsi Haziri u shkarkua. Ky po hetonte rastin e Martin Berishajt, Nagip Krasniqit dhe afera të tjera qeveritare. Për shkarkimin e Shemsi Hazirit, kishte pasur reagime edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përderisa ky veprim ishte përfshirë edhe në raportin e "Freedom House". Në vendin e Hazirit erdhi Besim Berisha, një person që ishte larguar nga Task Forca në vitin 2017. Berisha njihet për afërsinë e tij me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla. I njëjti gjithashtu vjen nga një fshat afër atij të ministrit Sveçla.

Njësia e Veçantë Hetimore ka qenë prej institucioneve më të përkrahura edhe nga ndërkombëtarët, dhe është vlerësuar ndër vite si njësia kryesore e cila trajton dhe heton korrupsionin e niveleve të larta. Pas shuarjes së Task-Forcës nga qeveria Hoti, shoqëria civile në Kosovë ka pasur reagime, ku sipas tyre, kjo Njësi po luftohet edhe nga qeveria Kurti.

Lajme të ngjashme