ETIAS-i u shty, Presidenca e BE-së i thotë Nacionales që kjo "s'ka lidhje me vizat e Kosovës" - NACIONALE

ETIAS-i u shty, Presidenca e BE-së i thotë Nacionales që kjo "s'ka lidhje me vizat e Kosovës"

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Gjatë ditës së mërkurë Radio Evropa e Lirë raportoi për shtyrjen e funksionalizimit të sistemit ETIAS për vitin 2024. Më një janar të po këtij viti, parashihet që të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave të Kosovës, dy procese këto tashmë të lidhura me njëra tjetrën. A do të shtyhet edhe lëvizja pa viza?

Funksionalizimi i sistemit evropian për autorizim dhe informacion të udhëtimit është shtyrë për në vitin 2024, derisa pritej që të hynte në fuqi nga nëntori i vitit 2023.

Liberalizimi i vizave i cili së fundi “u kushtëzua” me këtë sistem, sipas vendimit të fundit do të hyntë në fuqi më një janar 2024.

S’ka lidhje me vizat

Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian, i ka konfirmuar Nacionales se sipas marrëveshjes me Parlamentin Evropian, data një janar 2024 është afati i fundit kur heqja e vizave duhet të hyjë në fuqi.

Megjithatë, një zëdhënëse e këtij institucioni na tha se është e qartë që do të ketë një hendek mes hyrjes në fuqi të liberalizimit dhe funksionalizimit të ETIAS.

“Sipas marrëveshjes me PE-në, data 1/1 2024 është afati i fundit kur liria e vizave do të hyjë në fuqi dhe është e qartë se do të ketë një hendek midis hyrjes në fuqi të lirisë së vizave dhe vënies në punë të ETIAS.” – është thënë nga presidenca suedeze për Nacionalen.

Vendimet për liberalizimin e vizave

Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.

Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.

Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.

Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.

Në fund, vlen të përmendet se për shkak të ndërlidhjes së heqjes së vizave me Sistemin Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, liberalizimi i vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më së largu më një janar të vitit 2024.

“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.

Çka është ETIAS-i?

ETIAS, sipas uebfaqes zyrtare të saj, është një sistem i informacionit dhe autorizimit të udhëtimit në Bashkimin Evropian.

Ky program është themeluar nga BE për të “mbrojtur dhe përforcuar kufijtë e saj”, me synim për të identifikuar kërcënimet e mundshme që lidhen me vizitorët nga vendet që janë pjesë e hapësirës Schengen.

"Autorizimi i udhëtimit ETIAS do të nevojitet për të hyrë në një vend anëtar të Shchengenit nga ajri, toka ose deti. Nga nëntori 2023, vizitorët që nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Evropë do të mund të regjistrohen në ETIAS. ETIAS do të bëhet një kërkesë e obligueshme për hyrje.", shkruhet në uebfaqen e ETIAS.

Tutje, në uebfaqe sqarohet se nëpërmjet këtij sistemi do të autorizohen për vizitë të gjithë personat që vijnë nga vendet e Schengenit e që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Vendet që përbëjnë këtë rajon specifik, pranojnë heqjen e kufijve të brendshëm me vendet e tjera anëtare. Aktualisht ka më shumë se 50 vende që do të duhet të aplikojnë për heqjen e vizave ETIAS kur vizitojnë zonën Schengen. ETIAS mund të jetë i disponueshëm në më shumë vende në të ardhmen.”, thuhet në faqen zyrtare të ETIAS-it.

Lajme të ngjashme