Kusari e quajti gabimisht kryeministër, a është përnjëmend Besnik Bislimi shef i Qeverisë? - NACIONALE

Kusari e quajti gabimisht kryeministër, a është përnjëmend Besnik Bislimi shef i Qeverisë?

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Besnik Bislimi është njeriu më i fuqishëm pas Albin Kurtit në Qeverinë e Kosovës. Edhe për nga funksionet që mban, por edhe për nga besimi i madh që Kurti ka në të. Bislimi mban pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe shefit të delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Por, për shkak të udhëtimeve të shpeshta e të gjata të Kurtit, Bislimi është jo rrallëherë edhe kryeministër faktik i Kosovës.

Madje, hiç më larg se dje, një rrëshqitje linguistike e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës, e cila iu referua dyshit të Qeverisë si kryeministër, tregon për imazhin e të gjithëfuqishmit Bislimi.

Upsss Frojdi…"E vërteta cullak"

Gjatë një fjalimi në kuvend, Kusari-Lila me plot entuziazëm iu referua Bislimit si kryeministër i Kosovës. Ndonëse iu deshën shumë pak sekonda për ta kuptuar gabimin në terminologji, rrëshqitja gjuhësore e Kusari-Lilës zbulon fuqinë e madhe që ka Bislimi në pushtetin aktual.

“Faleminderit kryetar Konjufca. I nderuar kryeministër Bislimi… zëvendëskryeministër Bislimi (qesh), zëvendëskryeministre Rexhepi…”, tha Kusari.

Në fakt, më shumë se rrështiqje gjuhësore, ose përtej lapsus lingua-s siç profesorët e vjetër të LDK-së do të dëshironin ta quanin këtë gabim të zonjës Kusari, është një shkarje frojdiane e deputetes nga Gjakova.



Shefja e deputetëve të VV-së, pa dashje shpërfaqi atë që tashmë dihet në qarqe të ndryshme politike: Besnik Bislimi është “faktikisht” kryeministër i Kosovës.

Për shkak të udhëtimeve të gjata të Kurtit në SHBA, Greqi, e pastaj përsëri në SHBA, vendi për javë të tëra është qeverisur nga vartësi i kryeministrit.

Një gjë të tillë ditë më parë e theksoi edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila tha se qeveria aktuale më shumë është Bislimi I sesa Kurti II.

“Sinqerisht, a di dikush me më tregu qe sa ditë është Kryeministri në Greqi? Rëndom, në konferenca të tilla, Kryeministri shkon në hapje, e mban fjalimin/takimet dhe kthehet. Më së shumti 2 ditë. Kosovën po e qeveris Besnik Bislimi. Duket se kjo është Qeveria Bislimi I, jo Kurti II”, shkroi ajo më 11 korrik të këtij viti.

Bislimi “horror”

Javë më parë, Nacionale pati shkruar rreth një paraqitjeje televizive krejt të papërgjegshme të Bislimit në RTV Dukagjini.

Përkundër që ishte vetë negociatori i ujdisë me Serbinë për energjinë në veri, Bislimi nuk kishte informacion për çështjet më bazike të marrëveshjes. Madje, për këtë kishte një shpjegim qesharak. Ai arsyetohej se ishte udhëheqës politik, e nuk ka si t’i dijë çështjet teknike.

I pyetur nëse një banor shqiptar në Mitrovicë të Veriut mund të zgjedhë të mos furnizohet me rrymë nga operatori serb, kryenegociatori i Kosovës që ka marrë pjesë në negociata nuk kishte infomacion.

“Në bazë të sistemit ekzistues energjetik, po them KESCO është ofrues universal i shërbimeve të furnizimit. Qysh funksionon kjo në rrafshin teknik, gjatë implementimit, duhet me i thirrë ekspertat edhe me shpjegu në rrafshin teknik. Me mu duhet me folë politikisht.”

Në fakt, çështja në fjalë nuk është ndonjë teknikalitet që mund të zgjidhet nga ekspertë të fushës së energjisë, por një problem thelbësisht politik që duhej zgjidhur në tavolinën e negociatave në Bruksel.

Mungesa e Kurtit

Por, mungesa e Kurtit, i cili është në një udhëtim zyrtar në SHBA, është vërejtur sot në Kuvend.

Përkundër që ata votuan kundër dy nismave ligjore në lidhje me fushën e shëndetësisë të partive opozitare, u pa një votim jounanim i grupit më të madh parlamentar.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, përsëri nuk e ndau të njëjtin mendim me kolegët e tij në parti. Ai nuk votoi në të njëjtën linjë me deputetët e VV-së, duke abstenuar kundrejt nismave ligjore të PDK-së e LDK-së, gjersa 42 kolegë të tij në Vetëvendosje votuan kundër.

E gjatë diskutimeve, dy deptutetë të tjerë të VV-së i kërkuan opozitës që t’i japin kohë ministrit të Shëndetësisë deri në shtator. Madje, Eman Rrahmani, deptutet i VV-së, tha se nëse deri në shtator Qeveria nuk e procedon projektligjin për çmimet e barnave, atëherë deputetët e LV-së do ta përkrahin iniciativën e opozitës.

“Pajtohem me deputetin Gola me i kërku opozitës që këtë ligj me e shty deri në shtator, dhe nëse deri në shtator Qeveria nuk e sjell, keni me e pasë edhe mbështetjen tonë të këtij ligji shumë të rëndësishëm”, ka thënë Rrahmani.

Lajme të ngjashme