Brenda ditës VV-ja rrëzon dy projektligje të opozitës në Kuvend, në të dyja rastet Konjufca abstenon
Deputet e Lëvizjes Vetëvendosje sot kanë rrëzuar dy nisma ligjore të partive opozitare, të cilat kishin të bënin me fushën e shëndetësisë. Pa pasur ndonjë argument të fort, deputetët e partisë më të madhe në vend kanë votuar kundër Projektligjit për rregullimin e çmimit të barnave, i cili ishte propozuar nga PDK-ja, dhe Projektligjit për Shëndetësinë, i cili është prezantuar nga LDK-ja.
I të njëjtit mendimit po me kolegët e tij deputet të LV-së nuk ishte kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka votuar ndryshe nga ta.
I pari i Kuvendit nuk ka dhënë ndonjë qëndrim, por në të dy rastet ka abstenuar.
Kryeparlamentari abstenimin e përdor për çështjet me të cilat nuk pajtohet me partinë e tij.
Kështu kishte votuar edhe për Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë, të cilin LV-ja e miratoj përkundër vërejtjeve të mëdha që i kishte dhënë Komisioni i Venecias.
Refuzimi i iniciativave ligjore të PDK-së dhe LDK-së, ka nervozuar deputetët e partive opozitare.
Ata kanë thënë se nismat e tyre po refuzohen vetë pse janë propozime opozitare.
Deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka kritikuar pushteti që nuk po e përkrah asnjë iniciativë të partive opozitare.
Ai ka thënë se ky projektligj po refuzohet nga LV-ja vetëm për shkak të propozuesit.
“Unë po e shoh që këtu nuk ka disponim që kjo nismë ligjore të mbështet. Jo për shkak të përmbajtjes se ligjit, por për shkak të propozuesi të ligjit. Sepse propozuesi është opozita. Asnjë nismë e opozitës deri me sot nuk ka kaluat në këtë parlament. Është për keqardhje. Nëse kjo atmosferë e tillë vazhdon, atëherë kjo imponon nevojën që opozita ti rishikoj qëndrimet e veta nga sot e tutje”, ka thënë ai.
Në prezantimin e këtij projektligji, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se miratimi i tij është shumë i nevojshëm për sistemin shëndetësor.
Ai ka thënë se qëllimi është për ta ndihmuar qeverinë në lidhje me planet për shëndetësinë.
“Projektligji ka mbaruar të gjitha procedurat sipas rregullores së Kuvendit. Ka qenë i deleguar për votim në qeveri, dhe nuk kemi marrë përgjigje konkrete vetëm se është në agjendë legjislative”, ka thënë Zemaj.
Mbështetje nismës ligjore të LDK-së i ka dhënë edhe PDK-ja.
Deputeti i kësaj partie, Bekim Haxhiu, ka thënë se propozimi i LDK-së është i qëlluar.
“Partia Demokratike e Kosovës, e përkrahë propozimin e LDK-së, sepse drafti i tyre është shumë më mirë i përgatitur, kurse draft ligji që e keni bërë ju ministër, më vjen keq por është nënçmim për profesionistët shëndetësor. Me draftin e ministrisë së shëndetësisë janë të atakuar të gjith profesionistët shëndetësor, me këtë draft iu mundësohet tregtimi me licenca. Kjo po bëhet sepse dikush po dëshiron të bëj monopole në sektorin privat, që dikush të mund të shes licencat shëndetësore”, ka thënë Haxhiu.
LV-ja vazhdon kundërshtimin e nismave opozitare
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka kundërshtuar Projektligjin e prezantuar nga ish-ministri Armend Zemaj.
Latifi ka thënë se e ka në program ligjin që e ka propozuar Zemaj.
“Sipas programit të qeverisë për vitin 2022, Ligji për Shëndetësinë është ndër prioritetet më të mëdha. Sikur ajo që e diskutuam më herët. Ky është ligj në finalizim dhe sipas planit, të dyja këto ligje do të dorëzohen deri më 30 shtator, por do ta bëjëm shumë më herët pasi kemi bërë avancime”, ka thënë Rifat Latifi.
Sipas tij, propozimi i LDK-së kishte mangësi.
“Projektligji për Shëndetësi është në fazën finale. Ne si organ propozues kemi adresuar mangësitë e identifikuara”, theksoi ai.
Me tej, ai ka deklaruar projektligji nuk mundëson reformat e kërkuara.
“Ky draft ligj është një ligj që do ta ndryshojë dhe mundësojë transformimin e shëndetësisë. Do ta shtojë mirëqenien e mjekëve, duke ngritur kualitetin e shërbimeve”, është shprehur Latifi.
Paradite, në të njëjtën mënyrë, deputet e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kundërshtuar, duke mos e miratuar Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave, i cili ishte propozuar nga PDK-ja.
Një ditë më parë, partitë opozitare ia dhënë votën pushtetit për miratimin e Marrëveshjes me MCC-në.


