VV-ja kundërshton edhe një iniciativë të opozitës: Nuk e përkrah Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave - NACIONALE

VV-ja kundërshton edhe një iniciativë të opozitës: Nuk e përkrah Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje ka kundërshtuar edhe një iniciativë të opozitës. Një ditë pasi partitë opozitare ia dhënë votën pushtetit për miratimin e Marrëveshjes me MCC-në, partia në pushtet ka zgjedhur konfrontimin me partitë opozitare.

Ndonëse Projektligji për rregullimin e çmimit të barnave ishte në interes të qytetarëve, deputetët e LV-së kanë votuar kundër. Pas disa orë debat për këtë çështje, 42 deputetë kanë votuar kundër projektligjit, 19 për dhe dy kanë abstenuar. Njëra prej votave që ka abstenuat është ajo e Kryetarit i Kuvendi, Glauk Konjufca. Ky i fundit deri me tani disa herë ka zgjedhur të votojë ndryshe nga partia e tij.

Refuzimi i deputetëve të pushtetit për ta përkrahur këtë nismë ka nxitur reagime të ashpra nga deputet e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.

Deputetët e LV-së kundërshtimin e këtij projektligji e kanë arsyetuar me faktin se Qeveria e ka në agjendë këtë projektligj.

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, e cila e ka prezantuar para deputetëve Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, ka thënë se dokumentin për mendim e kishte dërguar në Qeveri, por kjo e fundit nuk e ka marrë parasysh atë.

“Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e çmimeve dhe ndaljen e abuzimeve me to nga kompanitë farmaceutike. Projektligji përcakton çmimin fiks për shitje të produkteve me shumicë dhe pakicë”, ka thënë ajo.

Pretendimet i iniciueses së ligjit i ka kundërshtuar deputeti i LV-së, Besim Muzaqi, i cili ka thënë se dokumenti nuk e rregullon tregun.

Ai ka akuzuar PDK-në se pse nuk e ka miratuar këtë ligj sa ka qenë në pushtet.

“Pse nuk e keni sjellë në Kuvend këtë projektligj për 20 vjet? Pranojeni që nuk e kishit qëllim e as tash nuk e keni qëllim, por keni interes për përshtatjen e çmimeve me kompanitë ku ju keni hise. Mos krijoni iluzione të shtyni agjenda tuajat në kundërshtim me interesin e qytetarëve në Qeverinë e Albin Kurtit. Nuk do të lëshohem në përmbajtje sepse aty ka gabime elementare. LVV-ja ka qenë gjithmonë e zëshme për ta rregulluar këtë çështje, por jo si ju”, ka thënë Muzaqi.

Ndërsa, deputeti i LV-së, Eman Rrahmani, ka kërkuar nga opozita që projektligji të shtyhet për në shtator.

“Pajtohem me deputetin Gola me i kërkuar opozitës që këtë ligj me e shty deri në shtator dhe nëse deri në shtator Qeveria nuk e sjell, keni me e pasë edhe mbështetjen tonë të këtij ligji shumë të rëndësishme”, ka thënë Rrahmani.

Iniciativën e PDK-së e kanë përkrahur LDK-ja dhe AAK-ja.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se miratimi i këtij projektligji është domosdoshmëri.

Sipas tij, ky projektligj do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës.
“Në madnatin e deputetëve është edhe hartimi i ligjeve edhe ky ligj është hartuar dhe ka shkuar ne Qeveri për mendim. Por, nuk duhet të akuzohet se është bërë ligj i keq sepse deputetët këtë punë kanë të bëjnë ligje dhe nëse nuk janë të mira e kemi mundësinë e përmirësimit të tyre. Ne e përkrahim këtë projektligj”, ka thënë ai.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës që po e kundërshton miratimin e këtij ligji.

“E paskeni në agjendë legjislative, por pse nuk e keni sillni, silleni dhe të trajtohet qysh duhet. Sepse të gjithë pajtohemi, edhe ju pajtoheni, se sot është tepër e nevojshme me ndodh harmonizimi i listës se çmimeve të barnave. Sepse si qytetar kur kemi shku në dy barnatore afër njëra-tjetrës e shihni se i njëjti produkt nuk e ka çmimin e njëjtë”, ka thënë Kadrijaj.

Tahiri akuzon deputetin e LV-së për tregti me barna

Më i ashpër ndaj deputetëve të LV-së që kundërshtonin miratimin e këtij projektligji, ishte Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK), Abelard Tahiri.

“Ne e kemi përgjegjësinë ta rregullojmë sa më shpejtë këtë çështje me ligj. Ne na akuzoi rëndë prezantuesi i LVV-së Besim Muzaqi, aty e kuptova që ai personi në fjalë është një prej njerëzve që shet barna. Ai po i njihka mirë kush janë ata njerëz që kanë abuzuar në këtë industri. Mendoj që është e rëndësishme të flasim për temën që kemi ardhur”, ka thënë Tahiri.

Pas akuzave ka reaguar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Besim Muzaqi.

Ai ka thënë se pretendimet e deputetit të PDK-së janë shpifje.

“Tha se Besimi ka shitur barna, Besimi është farmacist, pra farmacisti nuk shet barna, por u shërben pacientëve. Ky është shërbim farmaceutik që unë me nder e kam kryer”, ka thënë Muzaqi.

Ai ka thënë se këtë punë ai e ka bërë me nder për një dekadë.

“Unë me respekt e kam bërë këtë punë mbi 10 vjet. Sigurisht po shohim një presion të madh nga sponzosrizuesit që kanë interesa të larta që të kalojë kështu siç është sjellë”, është shprehur Muzaqi.

Lajme të ngjashme