Opozita dorëzon amendamentet në Kuvend, kërkon përfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale - NACIONALE

Opozita dorëzon amendamentet në Kuvend, kërkon përfshirjen e veteranëve në rritjen e pagës minimale

4 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Partitë opozitare kanë dërguar në komisionin parlamentar propozimet për Projektligjin, i cili i hap rrugë rritjen e pagës minimale. Përmes amandameteve, PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar që në lexim të dytë të këtij projektligji të merren parasysh propozimet e tyre që veteranët e UÇK-së të përfshihen në rritjen e pagës minimale.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë dorëzuar në Kuvend amandamentet e tyre ligjore për projektligjin, i cili parasheh rritjen e pagës minimale. Përfaqësuesit e këtyre partive kanë thënë për gazetën Nacionale se këto amandamete parashohin që në ligj të përfshihet ndërlidhja e rritjes se pagës minimale me pensionet e veteranëve të UÇK-së, të cilët i ka përjashtuar qeveria.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniq, ka thënë se Qeveria e ka për obligim që t’i marrë parasysh kërkesat e veteranëve në lexim të dytë të këtij projektligji.

Ka qenë një sjellje e padrejtë dhe përçmuese e qeverisë karshi veteranëve, kur ka vendosur t’i përjashtojë ata nga ligji për pagën minimale. Ne i kemi dhënë propozimet tona se si duhet të bëhet kjo. Për t’i mbështetur veteranët, ne në Kuvend të Kosovës do të propozojmë amendamentin ligjor për përfshirjen e veteranëve në këtë ligj. Tani mbetet të shihet se si do të sillet qeveria në leximin e dytë të këtij projektligji”, ka thënë ai për gazetën Nacionale.

Të njëjtën kërkesë ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Deputetja e kësaj partie, Time Kadrijaj, ka thënë për gazetën Nacionale se për të kaluar amandamenti i tyre i duhet edhe mbështetja e partisë në pushtet.

Ajo ka treguar se propozimin e tyre do të dërgojnë edhe në seancë plenare, nëse LV-ja nuk e përkrah atë në komisionin parlamentar.

AAK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim. Ne i kemi dërguar amandementet në komisionin parlamentar. Po problemi qëndron se edhe në komision duhen të përkrahen e votohen amandamentet. Pavarësisht qëndrimit të shumicës në komision, amandamentet do të shkojnë në seancë plenare e aty me votë do të vendoset!”, ka deklaruar ajo.

Sipas saj, AAK-ja do t’i dalë në krah çdo kërkese të veteranëve të UÇK-së. “Ne i përkrahim kërkesat legjitime veteranëve”, ka thënë Kadrijaj.

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë në pritje të seancës kur do të vendoset në leximin e dytë të projektligjit për pagën minimale.

Ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, ka deklaruar për gazetën Nacionale se më Qeveria nuk i ka ftuar në takim.

Nuk na ka thirrur askush. Ne kemi pritur se do të na thërrasin që të shkojmë në komision në dëgjim publik, por deri me tani askush nuk na kanë thirrur. Ka qenë premtim që të na thërrasin prapë, por unë iu kam thënë se ato qëndrime nuk kanë nevojë me na i dërguat me shkrim hiq. Në nuk lëshojmë pe, qëndrimi i jonë është se ligji duhet të kthehet ashtu siç ka qenë”, ka thënë ai.

Klinaku ka treguar se amandamentet e PDK-së dhe AAK-së janë në përputhje me kërkesat e tyre.

I kam parë amandamentet e partive opozitare, ato janë në përputhje me kërkesat tona. Pra, kërkojmë që ligji të kthehet ashtu siç ka qenë dhe veteranët të jenë pjesë e ligjit për rritjen e pagës minimale”, është shprehur Klinaku.

Në të kundërtën, sipas tij, veteranët nuk do ta ndalin protestën. “Ju qëndrimin tonë e dini. Ata seancën e ne protestën”, ka thënë Klinaku.

Qeveria insiston në përjashtimin e veteranëve nga projektligji

Më 14 qershor, Kuvendi i Kosovës e ka votuar në parim projektligjin, i cili hap rrugë për rritjen e pagës minimale. Projektligji parasheh rritjen e pagës minimale nga 170 euro në 264 euro bruto, apo 250 euro neto.

Mirëpo, ky projektligj nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, ashtu siç është paraparë më herët.

Një veprim të tillë të qeverisë, opozita dhe veteranët e UÇK-së e kanë kundërshtuar. Madje, këta të fundit kanë organizuar edhe disa protesta për këtë çështje.

Qeveria e Kosovës vazhdon të insistojë se paga minimale nuk duhet të ndërlidhet me pensione.

Një ditë më parë, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se beson se do të arrihet një dakordim me një ligj të ri që do të siguronte një listë të pastruar të veteranëve.

Ai ka thënë çështja e veteranëve të UÇK-së dhe ligji për pagën minimale janë çështje të ndara me njëra-tjetrën. “Sa i përket çështjes së veteranëve kemi pasur një takim dhe Zyra e Kryeministrit ka marrë përsipër që të përcjellë një propozim se si do të duhej të zgjidhej çështja më tutje, pra për çështjen e veteranëve, mirëpo ligji për pagën minimale është çështje tjetër siç e kemi diskutuar tashmë dhe sa i përket kësaj po besoj kemi pasur edhe një reagim apo deklarim publik edhe nga përfaqësues të shoqatave të veteranëve, dhe po besoj që mund të arrijmë një dakordim si të ecim tutje përpara me një ligj të ri që do të siguronte një listë të pastruar dhe pastaj dhe të mund të bisedonim edhe për mënyrën sesi të trajtohet dinjitetshëm kjo kategori e shoqërisë sonë”, ka thënë Murati.

Në pastrimin e listave të veteranëve ka insistuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës fjalën veteran dhe luftëtar e çlirimtar në njërën anë, dhe fjalën pagë në anën tjetër, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë beneficione për veteranët si mirënjohje e shoqërisë, por jo pagë. Paga merret në kohën e tashme të vazhdueshme jo për diçka para 23 vjetëve. Kjo nënkupton që beneficioni nuk bën të lidhet me pagën minimale. Unë besoj që beneficioni për veteranët duhet të jetë më i lartë se paga minimale. Por për këtë kam kërkuar që paraprakisht të bëhet një rregullim i listave sepse duhet të vijmë tek e vërteta historike ashtu siç ka qenë. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrin e veteranëve që të ndihemi krenarë”, ka thënë Kurti.

Ky projektligj ndryshon dhe plotëson Ligjin për veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ligjin për personat e verbër dhe Ligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Lajme të ngjashme