Protesta e veteranëve e “Jaranat e Liburnit”, data e 6 qershorit ishte e nxehtë për pushtetin
Afera “Jaranat e Liburnit” vazhdon të mbetet temë e rëndësishme e debatit publik. Në fakt, episodi i katërt i “Ditarit të Buzhalës” iu kushtua intervistës së Liburn Aliut, ministër i Ministrisë së Infrastrukturës, në T7.
Gjatë këtij episodi, gazetari Berat Buzhala iu përgjigj ministrit Aliu, i cili i përmendi 16 herë emrin gjatë një intervistë javën e kaluar. Ai flet edhe për atë se çfarë skandali ka pritur ministri Liburn Aliu se do t’i dilte atij ose kabinetit të tij pas paralajmërimit të bërë në Facebook, e po ashtu edhe për çmimin e banesës së tij në lagjen luksoze Marigona Hill.
Një aspekt tjetër i këtij episodi ka të bëjë me përsëritjen e veçantë të historisë mes VV-së së sotme dhe ish-PDK-së.
Dikur kishim Hashim Thaçin, i cili në ministrinë me më së shumti para kishte dërguar dy njerëzit e besueshëm të gardës së vjetër të partisë, Fatmir Limajn si ministër dhe Adem Grabovcin si zëvendësministër. Tash e kemi Albin Kurtin, i cili në ministrinë me më së shumti para ka dërguar dy njerëzit e besueshëm të gardës së vjetër të partisë, Liburn Aliun si ministër dhe Hysen Durmishin si zëvendësministër.
E njëjta intervistë u diskutua edhe në emisione të tjera gjatë natës së 6 qershorit, ku u diskutuan përgjimet e Gazetës Nacionale e përgjigjet e Aliut karshi aferës.
Megjithatë, krahas saj, protesta e veteranëve të UÇK-së, ishte temë e rëndësishme, të cilët ia mësynë Kuvendit që në ora 10:00 të mëngjesit. Protesta ishte mënyra që zgjodhën ish-ushtarët e UÇK-së për kundërshtuar për anashkalimin e tyre nga ngritja e pagës minimale.
Si shkoi protesta?
Për pak kohë, protesta e tyre shpërtheu paksa teksa veteranët u ofruan në rrethojat e Kuvendit, duke tentuar të depërtojnë edhe në ndërtesë.
Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, ka thënë se nëse ndodh eskalimi përgjigjesia bie mbi qeverinë.
“Ne po e lëmë edhe një mundësi që deputetët mos ta aprovojnë një diçka të tillë, në të kundërtën nuk përjashtohen format e reagimeve tona. Publikisht po e themi se ne nuk marrim përgjegjësi pasi revoltat janë të mëdha, nuk marrim përgjegjësi. Kur preken invalidët, veteranët dhe kategoritë e dala nga lufta, ti po prek në lirinë e Kosovës, po prek në themelet e Kosovës që janë krijuar pas luftës. Nuk do të donim që të eskalojë protesta, por nëse kjo ndodh, përgjegjësia bie mbi qeverinë dhe kryeministrin Kurti, sepse ai duhej të kishte respekt e përkujdesje më të veçantë”, ka thënë Jashari.
Kurse U.D. kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Faton Klinaku, ka deklaruar se Qeveria e ka për obligim plotësimin e kërkesave për kategoritë e dala nga lufta.
“Ka një muaj që qeveria e di se do të bëjmë protesta. Po i shihni se po luftojnë se cili ka shku me i vizitu më shumë krerët e UÇK-së në Hagë. Qëllimin kryesor e kanë që ta trullosin opinionin që të mos dalin masa në protestë, se gjoja këtë janë për UÇK-në. Ata s’kanë nevojë për vizita, ata kanë nevojë me obligimet ligjore me pagesa që i kanë, sepse krerët e UÇK-së nuk kanë nevojë as për mua, ata kanë nevojë për familjen, por shteti duhet të përkujdeset për ata”, ka thënë Klinaku.
Kryefjala e protestës ishte gazi lotsjellës, i cili sikur u shfaq nga hiçi për të shpërndarë protestën, ku të gjitha palët mohuan hedhjen e tij.
Nga tymi i gazit lotsjellës disa veteranë u lënduan, e po ashtu lëndime morën edhe dy policë.
Sa i përket seancës, Abelard Tahiri i PDK-së, kërkoi që të shtyhet votimi i ligjit për pagën minimale. Përplasja me e spikatur ishte ajo mes Haradinajt dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.
“Çështja e pagës minimale të mos trajtohet kështu siç është, duke lënë kështu anash veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Tahiri.
Kryetari i AAK-së kritikoi deputetet që sipas tij po i lënë jashtë ligjit për ngritjen e pagës minimale veteranët.
“Është turp i madh… si me ia pru vetes, si me ia pru këtij populli, këtij parlamenti, me diskutu se a është në rregull me i nda veteranët kur e rrisim pagën minimale a s’është. Është turp për ty Glauk Konjufca, djali i Sherif Konjufcës, është turp për Gani Krasniqin, Fatmir Humollin, Enver Dugollin, e krejt këta të tjerët”, ka thënë ai.
Më tej, Haradinaj ka thënë se projektligji për paga minimale nuk do të mund të kalojë, dhe i ka kërkuar Qeverisë që ta tërheqë projektligjin. Por, ai edhe e shau Konjufcën në një formë, duke i thënë “Shko bre në hamam!”.
Pas kësaj, kryeparlamentari Konjufca i ka kërkuar Haradinajt që ta ruajë qetësinë.
“Ky është Kuvend, edhe vetë keni qenë Kryeministër. Edhe ju po besoj e kuptoni se Parlamenti i ka rregullat e veta. Ju lutem ruajeni qetësinë, nëse keni mundësi”, iu drejtua Konjufca Haradinajt.
Ligji nuk kaloi dhe veteranët u shpërndanë duke pastruar edhe rrëmujën që kishin shkaktuar si pasojë e protestës.
Pasdite e kobshme
E pasditja e ditës së hënë ishte e errët për Kosovën ku Prishtina dhe disa qytete tjera përjetuan një stuhi të fuqishme, dhe si pasojë një pemë u rrezua në qendër të Prishtinës dukë shkaktuar vdekjen e një personi dhe lënduar një tjetër.
Si pasojë e stuhisë, rrufeja ka goditur dy persona në fshatin Zatriq të Rahovecit, duke lënë një të vdekur dhe një të lënduar.
Po ashtu edhe në fshatin Qyshk të Pejës ka ndërrua jetë një 22 vjeçar pas lëndimeve që mori nga aksidenti.