"E papranueshme, kërko falje": Haxhi Avdyli kritikohet ashpër për racizmin ndaj minoriteteve
Haxhi Avdyli, deputet i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë një deklaratë raciste të premten ndaj partive të minoriteteve në Kosovë. Politikani në fjalë, nuk ka kërkuar falje për fjalët që i tha nga Kuvendi i Kosovës. Si u shpreh konkretisht ai? Çfarë po i kërkon një ish-deputet egjiptias? A duhet të vazhdojë të qëndrojë në institucionet e Kosovës?
“…bile edhe partive minoritare iu ka ardhë rendi për ta udhëhequr këtë sektor”, kjo ishte fjalia e thënë diku kah mesi i një deklarate skandaloze të deputetit Avdyli, derisa po fliste në Kuvend për gjendjen në shëndetësi.
“23 vjet pas çlirimit, ky dështim në këtë sektor, mund të themi se faji nuk është jetim. Të gjitha partitë kanë udhëhequr këtë sektor, bile edhe partive minoritare iu ka ardhë rendi për të udhëhequr këtë sektor. Edhe VV-ja e ka udhëhequr për dy vite”, ka thënë Avdyli.
E papranueshme
Për ish-deputetin egjipitas, Veton Berisha, një deklaratë e tillë e dhënë nga një ish-koleg i tij, është e papranueshme.
Berisha i tha gazetës Nacionale se edhe më të papranueshme, situatën e bën arsyetimi i deputetit Avdyli, derisa shtoi se ai i krahasoi për të keq minoritetet.
“Unë e kam pas kolegë në një mandat, më duket. Për mua, si deklaratë është e qartë, e prapranueshme. Për faktin që e pash edhe arsyetimin e tij. Arsyetimi nuk është i bazuar në atë që ka thënë, ka thënë diçka tjetër, e ka arsyetuar me diçka tjetër. E merrr krahasimin për keq, thotë bile ju ka ardhë koha edhe minoriteteve. Mendoj që duhet me kërku falje, po mendoj që është tepër e rëndë për neve, që një deputet i Kuvendit të Kosovës jep shembuj të tillë”, ka thënë ai.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës për Nacionalen theksoi se në mesin e minoriteteve, ka figura që kanë dhënë kontribut më shumë se Avdyli dhe se kjo është qasje irrituese.
“Mund të vlerësohemi dhe të matemi, nëse po e konsideron vetën që ka të drejtë më shumë, mendoj që e ka gabim, kemi në mesin e minoriteteve që kanë dhënë kontribut shumë me shumë se Haxhi Avdyli. Kjo qasje është e prapranueshme, e nevojshme është kërkim falje dhe të mos mundohet me u arsyetu. Jemi lodhë ma me këtë qasje irrituese dhe inferiore, në kuptimin që ai e thotë se në çfarë gjendje ka ardhë shëndetësia, këtë punë edhe minoritetet e bëjnë”, tha ai.
Berisha përmendi edhe një personalitet, Avdyllah Qafanin, i cili, sipas tij, për gjashtë muaj do të tregonte “si udhëhiqet shëndetësia”.
“Bile, ia kisha ofru dy personalitete, një prej tyre, Avdullah Qafani, me udhëheq, me na dhënë 6 muaj, kishim tregu qysh udhëhiqet shëndetësia në Kosovë. Punon kardiokirurg në Dubai, s’ka pas vend në Kosovë, ka shku në Dubai”, tha ai në fund për Nacionalen.
Në lidhje me këtë çështje, Nacionale bisedoi edhe me aktivisten Zana Avdiu, e cila përmendi edhe kushtet e Bashkimit Evropian për rrugën e Kosovës drejt këtij blloku, që ndërlidhen me komunitetet.
“Duke qenë se jemi kështu, kemi këso mendësie, të shumtat kushte nga BE-ja që po e vështirësojnë rrugën e Kosovës në avancim e zhvillim, lidhen pikërisht me komunitetet. Edhe si shoqëri, edhe si pozita zyrtare, nuk është se jemi të gatshëm që komunitetet, sidomos kur vijnë nga radhës e romëve, ashkalinjëve dhe egjiptias, t’i pranojmë si pjesë të shoqërisë”, tha ajo.
Avdiu i tha Nacionales së një figurë si deputet Haxhi Avdyli, nuk duhet të jetë pjesë e institucioneve të vendit dhe se duhet të mbahet përgjegjës për këtë deklaratë.
“Prandaj, duhen më shumë ligje dhe mekanizma tjerë mbrojtës për komunitetet. Gjtihashtu, në këtë rast, z.Avdyli duhet të mbahet përgjegjës për deklaratën e tij. Deputeti Avdyli është përfshirë edhe në skandale të tjera që kanë të bëjnë me gratë. Pra, një figurë si Haxhi Avdyli nuk bën të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës”, tha ajo.
Si tentoi deputeti që të arsyetohet?
Pasi pa raportimet nëpër media, Avdyli tentoi të sqarohet në Kuvendin e Kosovës për deklaratën e dhënë, por megjithatë, nuk kërkoi falje.
Ai pretendoi se deklarimi i tij nuk është racizëm, por vlerësim për ministrat e Shëndetësisë që kanë shërbyer nga partitë e minoriteteve.
“Minstrinë e Shëndetësisë, e kanë udhëheq të gjitha partitë bile edhe minoritetet. DIkush e paska shkru koment racist. Te lutem, çfarë racizmi është ky koment, nuk është racizëm, është vlerësim për dy ministrat e shëndetësisë…Kjo është në kuptim pozitiv, që të gjitha partitë e kanë udhëheqë shëndetësinë dhe përgjegjësia na bie të të gjithë dhe kjo nuk ka të bëjë në këtë kontekst…Unë konsideroj partitë minoritare e si parti të këtij kuvendi dhe parti si çdo parti tjetër”, ka thënë ai.
Për arsyetimin e Avdylit, Nacionales i ka folur deputeti Berisha, i cili tha se mënyra se si e arsyeton deklaratën, tregon “dobësi të dyfishtë”.
“Arsyetimi është i prapranueshëm, mënyra qysh e arsyeton, është e dukshme çka e thotë. Është dobësi e dyfishtë. Ai nashta ka mujt me thënë në afekt, pa e mendu mirë, por deklarata e tij është e qartë, e jep një krahasim, na qet shumë inferiorë, edhe e krahason për të keq. Që edhe neve na kardhë radha me udhëheqë”, përfundoi ai.
Avdyli për një kohë të gjatë është përmendur si një prej emrave të mundshëm për ministër të Shëndetësisë, madje edhe është propozuar nga subjekti i tij, Lista Guxo.
Ministria e Shëndetësisë, mbetet ende pa udhëheqës pas dorëheqjes së Rifat Latifi, puna e të cilit u përcoll me shumë kritika.

