"E fuqishmja e VV-së", kur Qeveria e Isa Mustafës ia ndalonte hyrjen Dejona Mihalit në Kosovë
Viti 2016. Një verë e nxehtë në aspektin politik për shkak të përplasjes për Asociacionin e Demarkacionin në mes pushtetit dhe opozitës. Në krejt këtë ngjarje të madhe, pra të përplasjes së Qeverisë, që udhëhiqej nga PDK e LDK, dhe opozitës nga VV-ja, AAK-ja e Nisma, një ngjarje interesante kishte ngjarë.
Atëbotë kishte nervozuar vetëm VV-në. Në këtë verë të nxehtë politike të vitit 2016, Policia e Kosovës ia kishte ndaluar hyrjen në Kosovë, Dejona Mihalit, që sot u bë kryetema e ditës në Kosovë, pas akuzave të Haki Abazit, deputetit të rebeluar të VV-së. Pra Mihali, koordinatorja e komiteteve në VV, ishte ndaluar në pikën kufitare në Morinë dhe nuk ishte lejuar që të futej në Republikën e Kosovës.
Ky vendim i Policisë, që atëbotë udhëhiqej nga drejtori Shpend Maxhuni, i kishte nervozuar shumë drejtuesit e VV-së, të cilit në një konferencë për media e kundërshtuan vendimin për ndalimin e hyrjës së Mihalit në Kosovës.
Dy figura, që edhe sot e kësaj dite janë të fuqishme në VV, e mbajtë një konferencë kundër vendimit ndaj Mihalit. Glauk Konjfuca, tash kryetar i Kuvendit të Kosovës, dhe Albulena Haxhiu, tash ministre e Drejtësisë, folën rreth vendimit të Policisë e Ministrisë së Brendshme, e cila udhëhiqej nga Skender Hyseni i LDK-së.
“A mund të na tregojnë pra, autoritetet e Kosovës që e kanë marrë këtë vendim, se me cilin veprim Dejona Mihali e ka shkelë rendin publik, sigurinë publike, shëndetin publik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare?” – deklaronte Konjufca me Haxhiun në prapavi.
Për vendimin ndaj Mihalit, do ta pësonte edhe vetë Skender Hyseni, ministër i Brendshëm. Lëvizja Vetëvendosje, ku Mihali vazhdon të ketë ndikim të jashtëzakonshëm, kishte bërë një aksion kundër Hysenit, duke i kërkuar atij ndalimin “menjëherë deportimet nga Kosova”.
“Urdhrat që ndalojnë lirinë e lëvizjes, hyrjen dhe qëndrimin në Kosovë të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, janë urdhra me prapavijë politike dhe të padrejtë. Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, duke urdhëruar dëbimin nga Kosova për aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët nuk kanë shkelur asnjë ligj po bën gabime të rënda politike. Policia dhe institucionet e rendit të drejtuara prej tij po shkelin të drejtat e liritë e njeriut, madje edhe ligjet e Kosovës duke përndjekur aktivistët e Lëvizjes me origjinë nga Shqipëria." – shkruante VV-ja.
Tutje, ata kërkonin heqjen e këtij vendimi ndaj Mihalit e të tjerëve.
“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të urdhrit të ndalimit për Dejona Mihalin, Bashkim Rodonin e Boiken Abazin, si dhe ndaljen e persekutimit të aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga Republika e Shqipërisë. Përndryshe aksionet tona nuk do të ndalen me kaq!” – vazhdonte VV-ja në komunikatën e tyre.
Ndryshe sot Haki Abazi, deputet i revoltuar i VV-së, në konferencën e tij për media, e përmendi me emër zonjën Mihali, për fuqinë e të cilës Nacionale ka shkruar disa herë, përfshirë edhe sot. Në fjalën e tij, Abazi pretendoi se Mihali e kontrollon grupin parlamentar dhe vendimmarrjen aty.
“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje. Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty.” – tha z. Abazi.
“Natyrisht, që kam protestuar përbrenda” – vazhdoi ai.
Për këto akuza, Mihali nuk është deklaruar, duke thënë se nuk i ka parë deklaratat.
“Jo, nuk i kam parë deklaratat, jam në një takim për momentin, kështu që juve punë të mbarë.” - tha shkurt Mihali për Insajderin.

