Dy “zbythje” brenda javës në veri, “ultimatumi i të premtes” shtyhet për “dy të premte tjera”
“Ultimatumi i të premtes” u shty edhe për dy të premte tjera.
Në formë të shkruar Inspektorati Komunal i Mitrovicës së Veriut i dorëzoi vendimin Nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq, që “deri të premten të lirojë objektin” në Mahallën e Boshnjakëve, ndërtesë kjo e cila funkisonon me sistem të Serbisë.
Është e vetmja ndërtesë në atë komunë që ka “organet shtetërore të Republikës së Serbisë”, siç thonë Lista Serbe.
E premtja erdhi, dhe Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje, njoftoi se vendimi për largimin e punonjësve të administratës serbe “është shtyrë për dy javë”, në një prononcim për RTK-në.
Simiq, një ditë me parë doli me një videomesazh për të përçuar mesazh se “nuk e lirojmë objektin” dhe se punonjësit do të qëndrojnë aty. U sorollat vërdallë nëpër objekt për të treguar se “aty punohet”.
Në atë ndërtesë, përveç strukturave paralalele, punon edhe e ashtuquajtura “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë e Serbisë, që në Beograd udhëhiqet nga Petar Petkoviq.
Këshilltari i Erden Atiq, Visar Syla, në një prononcim për “KoSSeV” ditë më parë u shpreh “i prerë” se ky objekt po funksionon pa dokumentacionin e nevojshëm të shfrytëzimin dhe se “lirimi” i tij është çështje për t’u konkluduar deri të premten.
Këtij vendimi i reaguan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, derisa mëngjesn e të premtes afër ndërtesës u stacionuan forca të KFOR-it dhe EULEX-it.
Vetëvendosja hoqi dorë nga kjo e premte ultimatumi, për të dhënë të premten e pas dy jave si ultimatum të ri.
Por, brenda javës, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Vetëvendosja, e shtyri edhe një tjetër vendim sa i përket veriut – atë të zonave kadastrale në Dren dhe Leshak të Leposaviqit, ku parashihej ndërtimi i një stacioni policor kufitar.
Në janar ishte marrë vendimi për shtetëzim të rreth 80 hekterëve tokë, dhe punimet kishin nisur – për t’u ndërprerë menjëherë, pas hasjes së rezistencës së madhe nga komuniteti ndërkombëtar; por edhe banorët lokalë.
Qeveria ditë më parë “për arsye teknike” shtyu një vendim përfundimtar në lidhje me shpronësimet në këto zona.
“Pika në vijim për arsye teknike shtyhet për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Kalojmë të pika gjashtë.” – ka thënë shkurtimisht Kurti.
Në fillim të shkurtit ishin ndërprerë punimet për ndërtimin e stacionit policor kufitar, por Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, shprehej se nuk ka ngecje në punime, por se po ndiqen procedurat ligjore.
Në këto zona që ishin shpallur të interesit të veçantë publik, parashihej ndërtimi i një stacioni policor kufitar.
Bashkimi Evropian e kishte kundërshtuar ashpër “mënyrën” se si kishte nisur procesi i shpronësimit të atyre zonave, ndërsa edhe Përfaqësuesi Special i Brukselit për negoicatat për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e kishte qortuar Kurtin për saktësisht të njëjtën.
Këto shpronësime “janë të ndjeshme për nga natyra”, pati shkruar vërejtshëm BE-ja në reagim dhe kërkoi sërish që ato kur bëhen të bëhen me “njoftim paraprak dhe informim gjithpërfshirës të pronarëve të pronave”. Ndërtimi i katër bazave policore në ato zona, ngre “shqetësim mbi të drejat pronësore” në pjesën veriore të vendit, thonin ata.
“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore - në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit - ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet”.
“BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t'i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, pati thënë Bashkimi Evropian.
Edhe Raportuesja për Kosovën në Parlamentin e Evropës, Viola von Cramon, kishte protestuar për vendimin qeveritar. E pati quajtur “absolutisht të papranueshme” dhe se me të ardhë në Kosovë “do ta konfrontoj qeverinë” në lidhje me atë vendim.

“Jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë (vendimin). Kjo është absolutisht e papranueshme. Dhe është një arsye pse kur të shkojë në Kosovë, do të shkojë edhe në veri të Kosovës, dhe definitivisht do të flas edhe me qytetarët e atjeshëm, dhe të kuptoj më shumë për çështjen, dhe më pas të konfrontoj Qeverinë në Prishtinë për situatën në terren".
"Kjo është një prej detyrave dhe është – do të thoja – një prej shqetësimeve më të mëdha për momentin. Sepse e shohim që stabiliteti – nëse mund ta quajmë stabilitet në veri – është shumë i brishtë”, pati thënë ditë më parë Cramon.
Për këtë gjë ishte deklaruar edhe vetë ndërmjetësi sllovak në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kishte bërë të ditur se në mars të këtij viti ia kishte përçuar “këtë shqetësim” kryeministrit kosovar, Albin Kurti.
“Mesazhi im ka qenë, sigurohuni që çdo hap të jetë i mbështetur në legjislacionin ekzistues, që ligjet tuaja të respektohen dhe që popullata e afektuar të ndjehet pjesë e procesit dhe jo vetëm të jetë e ekspozuar ndaj rezultatit të procesit”.
“Pra, ky është mesazhi im për homologët e mi këtu në Prishtinë, që sa herë që marrin një vendim që ndikon në jetën e serbëve të Kosovës, është e rëndësishme që ata të ndihen të përfshirë, të konsultohen dhe të informohen, që të mos kapen në befasi. . E njëjta gjë vlen edhe për komunitetin ndërkombëtar”, shtonte ai

