BE kundërshton rreptë mënyrën e shpronësimeve të afro 80 hektarëve tokë në Dren dhe Leshak të Leposaviqit
Tashmë edhe Bashkimi Evropian si tërësi i ka reaguar Qeverisë së Kosovës për vendimin (e rinuar) në lidhje me shpronësimet në dy zona kadastrale në Komunën e Leposaviqit, përkatësisht në fshatin Dren dhe Leshak. Ky vendim ishte marrë fillimisht në janar ku parashihej ndërtim stacioni policor kufitar, punime këto të cilat ishin pezulluar njëherë. Këto shpronësime “janë të ndjeshme për nga natyra”, shkroi vërejtshëm BE-ja në reagim dhe kërkoi sërish që ato kur bëhen të bëhen me “njoftim paraprak dhe informim gjithpërfshirës të pronarëve të pronave”. Ndërtimi i katër bazave policore në ato zona, ngre “shqetësim mbi të drejat pronësore” në pjesën veriore të vendit, thonë ata.
Pronarët e këtyre parcelave të tokës, thotë Bashkimi Evropian, kanë të drejtë për të paraqitur komentet e tyre mbi shpronësimet e synuara. Dhe, para se procesi të konkludohet, ata duhet të kenë në dispozicion mjetet e përshatshme juridike dhe shpagim të duhur, vazhdon vërejtja e BE’së.
“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore - në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit - ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t'i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, ka thënë Bashkimi Evropian.
Vendimi i rinuar i qeverisë kosovare ka zgjuar reagimin edhe të Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila e quajti “absolutisht të papranueshme” dhe se me të ardhur në Kosovës “do ta konfrontojë” qeverinë kosovare në lidhje me një vendim të tillë.
“Jemi të vetëdijshëm për një gjë të tillë (vendimin). Kjo është absolutisht e papranueshme. Dhe është një arsye pse kur të shkojë në Kosovë, do të shkojë edhe në veri të Kosovës, dhe definitivisht do të flas edhe me qytetarët e atjeshëm, dhe të kuptoj më shumë për çështjen, dhe më pas të konfrontoj Qeverinë në Prishtinë për situatën në terren. Kjo është një prej detyrave dhe është – do të thoja – një prej shqetësimeve më të mëdha për momentin. Sepse e shohim që stabiliteti – nëse mund ta quajmë stabilitet në veri – është shumë i brishtë”, ka thënë ditë më parë Cramon.
Për këtë gjë ishte deklaruar edhe vetë ndërmjetësi sllovak në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kishte bërë të ditur se në mars të këtij viti ia kishte përçuar “këtë shqetësim” kryeministrit kosovar, Albin Kurti.



“Serbët nuk duhe të zihen në befasi por të jenë të informuar”, ka thënë Lajçak në përgjigjen ndaj medias, e cila e pyeti se a është në dijeni “se shpronësimet u shpallën pa dëgjim publik”, pati thënë Lajçak në një intervistë për KoSSeV.
“Po e monitorojmë situatën deri në hollësitë më të vogla”, u përgjigj Lajçak për gazetaren Tatjana Lazareviq. “Dhe, po, e diskutuam këtë gjatë vizitës sime, kësah here për shpronësimet, rreth disa çështjeve tjera që përfshijnë komunitetin serb dhe që do të kërkonte një nivel të madh mirëbesimi dhe konsultimi”.
“Mesazhi im ka qenë, sigurohuni që çdo hap të jetë i mbështetur në legjislacionin ekzistues, që ligjet tuaja të respektohen dhe që popullata e afektuar të ndjehet pjesë e procesit dhe jo vetëm të jetë e ekspozuar ndaj rezultatit të procesit”.
“Pra, ky është mesazhi im për homologët e mi këtu në Prishtinë, që sa herë që marrin një vendim që ndikon në jetën e serbëve të Kosovës, është e rëndësishme që ata të ndihen të përfshirë, të konsultohen dhe të informohen, që të mos kapen në befasi. . E njëjta gjë vlen edhe për komunitetin ndërkombëtar”, shtonte ai
Lajçak thoshte se është në dijeni që niveli i besimit ndërmjet komunitetit serb dhe qeverisë kosovare “është tejet i ulët”.
“Ne po provojmë të ndihmojmë të rrisim këtë mirëbesim, bashkërisht. Çfarë është në të vërtetë e rëndësishme është që gjithçka që ndodh të jetë qartësisht e trupëzuar në kornizë ligjore, dhe që të bëhet në mënyrë pjesëmarrëse, përfshirëse”, tha Lajçak.
Për çka e tëra kjo?
Kjo zonë me vendim qeveritar u shtetëzua si zonë e interesit të veçantë publik për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interesin Publik”, ku parashihej të ndërtohet stacion i policisë kufitare.

Me vendim qeveritar, 80 hektarë tokë në Zonën Kadastrale: Dren dhe Leshak, në Komunë të Leposaviqit u shpallën të interesin të veçantë publik të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Pubik”.
Qeveria me vendim urdhëroi Departamentin e Shpronësimit në koordinim me Ministritë përkatëse të inciojë procedures për shpronësimin e këtyre pronave të paluajtshme. Shpronësimet ishin planifikuar për shtatë parcela në zonën kadastrale Dren. Prej tyre thuhet se pronar për një është Komuna e Leposaviqit, dhe për katër është pronë shoqërore, gjegjësisht se pronari është kompani dhe dy janë në pronësi të personit DJ.
Për gjashtë nga shtatë parcelat jepen informacione për sipërfaqen. Është gjithsej 395977 metra katrorë, pra më shumë se 39 hektarë.
Për zonën kadastrale Leshak thuhet se janë duke u shpronësuar 13 parcela. Nga ky numër, dy janë gjithashtu në pronësi të një kompanie, dhe 11 të tjerat figurojnë si individë, ndërsa për parcelat individuale janë disa bashkëpronarë. Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave është 427.533, pra më shumë se 42 hektarë.
Sipërfaqja e përgjithshme e të gjitha parcelave e kalon sipërfaqen prej 80 hektarësh dhe sipas një imazhi satelitor të publikuar nga mediat serbe./Nacionale/