Drama me targat u zgjidh – Asociacioni, ‘përballja’ tjetër e Kurtit në Bruksel? - NACIONALE

Drama me targat u zgjidh – Asociacioni, ‘përballja’ tjetër e Kurtit në Bruksel?

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

Çështja e targave u zgjidh. Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje të mërkurën në mes të frikës për tensione e përshallëzim të situatës në veri. Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti Aleksandër Vuçiq janë ftuar për një takim tjetër. A është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe “përballja” e radhës?

Asociacioni – E përmendi Bashkimi Evropian kur njoftoi për arritjen e marrëveshjes, e përmendi Gjermania gjatë “48 orëshit”, e përmendi edhe Franca në një komunikatë së fundi, dy shtete këto që po e përkrahin propozimin e fundit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

A është kjo përballja e radhës?

Pyetur nga Nacionale në lidhje me këtë çështje, analisti Halil Matoshi u përgjigj si vijon: “Qeveria e Kosovës është dakorduar që t’i zbatojë të gjitha Marrëveshjet e arritura në Bruksel, përfshi Asociacionin”.

Z.Matoshi thotë se shmangia apo neglizhimi e penalizon Qeverinë Kurti, derisa shton se po mësohet se shtetet mund të mbahen përgjegjëse, “në rast të shkeljes së rregullave”.

“Shmangia ose neglizhimi do ta penalizojë Qeverinë Kurti, i cili tek po mëson se në marrdhëniet Ndërkombëtare ka rregulla dhe së shtetet mund të mbahen përgjegjëse e të ndëshkohen në rast të shkeljës së rregullave.” - i tha ai Nacionales.

Në fund, analisti shtroi edhe një pyetje, derisa paraprakisht tha se “shpreson që kryeministri këtë herë e mori mësimin e duhur”.

“Albini e hëngri një dru të mirë, këtë herë shpresoj se e mori lekcionin e duhur. Besoj së po mbledh mend!?” - pyeti në fund ai.

Ndërkaq, analistja Zana Avdiu thotë se shtetet perëndimore janë të një qëndrimi, se duhet të respektohen marrëveshjet e nënshkruara.

“Edhe Amerika, Britania, edhe BE-ja si tërësi, janë në një vijë: të respektohen marrëveshjes dhe të përfundohen proceset që do të çonin drejt normalizimit të raporteve me Serbinë. Vëmendja është rritur sa i përket çështjes së Kosovës dhe Serbisë, si shkak i luftës në Ukrainë dhe sigurisht që janë shtuar edhe kërkesat nga Bashkësia Ndërkombëtare për një marrëveshje përfundimtare, që do të siguronte edhe paqe në këtë rajon.” - tha ajo për Nacionalen.

Në fund, znj.Avdiu theksoi se vëmendja dhe kërkesat janë më të mëdha tani, megjithatë, nuk e quan këtë si “presion”.

“Pra, vëmendja është shumë e madhe tani, e gjithashtu edhe kërkesat, që unë nuk do ta quaja presion, por kërkesa të qarta për të dyja palët.” – përfundoi ajo.

Politologu Shkodran Ramadani, po ashtu i përmendi Nacionales njoftimin e fundit të BE-së, ku thuhet se palët janë pajtuar që të respektohen marrëveshjet.

“Tash normalisht që ia kërkojnë të gjitha palët sepse në takimin e fundit në Bruksel BE tha se Kosova është pajtuar që të themelohet edhe “Zajednica”. Pra po i kërkojnë diçka që veç e ka premtuar në negociatat e deritanishme.” - tha ai.

Çfarë tha BE-ja?

Kryediplomati Josep Borell derisa njoftoi për arritjen e marrëveshjes për targat, përmendi edhe “marrëveshjet e mëparshme”, duke përfshirë edhe Asociacionin.

Palët kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut duhet të zbatohen”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga përfaqësuesi i Lartë.

Këtu, vlen të përmendet se Kurti dhe Vuçiq janë ftuar për një takim të radhës, ndonëse ende nuk ka data, por BE-ja po kërkon që të shfrytëzohet ky momentum për të ecur përpara.

“Është e rëndësishme që t’i kemi ata në Bruksel, që të kemi konfirmimin e tyre për ardhjen në Bruksel në të njëjtën ditë dhe për të njëjtën axhendë, duke shpresuar që të ketë rezulate. Por përfaqësuesi i lartë i BE-së ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në ditët që vijnë.” - tha zëdhënësi Peter Stano të premten, në një intervistë për “ABC”.

Çfarë tha Franca?

Ministria për Evropën dhe Punë të Jashtme e Francës dje ka publikuar në rrjetin social Tëitter dhe në faqen zyrtare një komunikatë, ku thuhet se mirëpret marrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, kah fundi i komunikatës përmendet se palët duhet të zbatojnë marrëveshjet e arritura, si dhe dispozitat e asaj të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Franca u bën thirrje palëve që të vazhdojnë diskutimet në frymën e kompromisit dhe të zbatojnë marrëveshjet tashmë të arritura, duke përfshirë dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe.” - thuhet në fund të komunikatës.

Çfarë tha Gjermania?

Gjatë “48 orëshit”, ku Kosova kishte shtyrë shqiptimin e gjobave për veturat me targa ilegale, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermania ishte deklaruar në lidhje me situatën.

Steffen Hebestreit, zëdhënës i Qeverisë, kishte kërkuar që të futet në agjendë edhe çështja e Asociacionit.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të përmbahet nga çdo masë ekzekutive që ka të bëjë me ndërrimin e targave. Përveç kësaj, edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të vihet në agjendë.” – kishte deklaruar ai.

Lajme të ngjashme