Drafti i ri dhe Asociacioni i vjetër – Pse ishte rrëzuar marrëveshja nga Gjykata Kushtetuese? - NACIONALE

Drafti i ri dhe Asociacioni i vjetër – Pse ishte rrëzuar marrëveshja nga Gjykata Kushtetuese?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ndryshimet gjeopolitike në botë dhe urgjenca për stabilitet në Ballkan duket se kanë bërë që Franca, Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të shtyjnë përpara një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Raportohet, se marrëveshja finale me Serbinë nuk është më as çështje muajsh, por, e shumta, çështje javësh.

Pika më e nxehtë e një marrëveshjeje me Serbinë, së paku në kontekstin kosovar, pritet të jetë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ekspertët gjermanë tashmë kanë përpiluar një draft-marrëveshje, të cilën Gazeta Nacionale e posedon. Pikë e nxehtë aty pritet të jetë pikërisht Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe.

E nënshkruar dhe e dakorduar në Bruksel, por e rrëzuar në disa nene nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, marrëveshja për asociacionin nuk u zbatua asnjëherë, e nuk u rishkrua asnjë statut i ri për të.

Vetëvendosja, që e kundërshtoi më së shumti, tashmë me një shumicë stabile në Kuvend, e kur i pari i saj u bë edhe i pari i Qeverisë dhe po i prin dialogut me Serbinë, duket se gjendet para një situate jo të lehtë.

Presioni është rritur, një bashkësi komunash serbe duhet të themelohet.

Si erdhi deri te formimi i Asociacionit?

Asociacioni i Komunave Serbe, me akronimin ASK, e i quajtur edhe “zajednicë” nga eksponentët që e kundërshtojnë, lindi fillimisht në prill të vitit 2013. Dy vjet më pas, në vitin 2015, u nënshkruan parimet e përgjithshme si dhe elementet juridike e korniza ligjore nga të cilat do të karakterizohej kjo bashkësi komunash.

Pas dy muajve, kjo marrëveshje ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Aty u konstatua se parimet nuk janë plotësisht në përputhje me kushtetutën.

Që nga ajo ditë, as nuk u draftua një model tjetër, as nuk u zbatua marrëveshja ekzistuese.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave më Shumicë Serbe ishte kundërshtuar fuqishëm nga opozita e asaj kohe - LV-ja, AAK-ja dhe Nisma - të cilat kishin organizuar protesta, kishin mbledhur mbi 200 mijë nënshkrime dhe e kishin bllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

E nxitur prej këtyre reagimeve, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga, në tetor të viti 2015, kishte kërkuar nga Gjykatën Kushtetuese ta vlerësonte përputhshmërinë e kësaj marrëveshjeje me Kushtetutën e Kosovës.

Në dhjetor të atij viti, Kushtetuesja kishte vlerësuar se parimet e përgjithshme të kësaj marrëveshjeje nuk ishin frymën e kushtetutës.

Gjykata kishte konstatuar se objektivat, organizimi strukturor, buxheti, mbështetja dhe dispozitat e përgjithshme të Asociacionit i tejkalonin standardet kushtetuese të Kosovës për vetëqeverisje lokale.

Sipas vlerësimit të gjykatës, e drejta e nismave ligjore u garantohet ekskluzivisht presidentit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit ose së paku dhjetë mijë qytetarëve.

Në aktgjykimin e saj, gjithashtu, Kushtetuesja kishte konstatuar se Asociacioni nuk mund të kishte autoritet të plotë dhe ekskluziv për t’i promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës, në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore. “Gjykata konstaton se parimet e këtij asociacioni, siç janë përshkruar në marrëveshjen e 25 gushtit të këtij viti, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës, përkatësisht me disa nene që kanë të bëjnë me kapituj mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre", ishte thënë në vendimin e gjykatës.

Duke u bazuar në mospërputhjen e kësaj marrëveshjeje me Kushtetutën e Kosovës, Kushtetuesja kishte vlerësuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të themelohet ashtu siç është parashikuar në Marrëveshjen e parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila ishte nënshkruar në prill të vitit 2013 në Bruksel.

Çka thuhet tjetër në Aktgjykimin e Kushtetueses?

Gjykata Kushtetuese gjeti se organizimi strukturor, buxheti e dispozitat e përgjithshme bien ndesh me vetëqeverisjen lokale në Kosovë

Objektivat, organizimi strukturor, buxheti, mbështetja dhe dispozitat e përgjithshme të Asociacionit, i tejkalojnë standardet kushtetuese të Kosovës për vetëqeverisje lokale;” thuhet në aktgjykim.

Një tjetër problem juridik doli të ishte e drejta e nismave ligjore, që, sipas Kushtetueses, nuk mund t’i takonte një bashkësie komunash.

E drejta e nismave ligjore u garantohet ekskluzivisht Presidentit të Republikës së Kosovës, Qeverisë, deputetëve të Kuvendit ose së paku dhjetë mijë qytetarëve;” thuhet aty.

Autoriteti ekskluziv për t’i promovuar interesat në marrëdhëniet me autoritetet qendrore, ishte një problem tjetër, që kushtetuesja s’e kapërdiu.

“Asociacioni nuk mund të ketë autoritet të plotë dhe ekskluziv për të promovuar interesat e komunitetit serb të Kosovës, në marrëdhëniet e tij me autoritetet qendrore.”

Kushtetuesja gjithashtu u shpreh e brengosur për terminologjinë e përdorur në gjuhën angleze, e që lejonte dykuptimësi, sa i përket ushtrimit të vështrimit të plotë apo kryerjen e auditimit.

“Gjykata është e brengosur se kuptimi i termit ne anglisht "ushtrimin e vështrimit të plotë" (exercise full overview) ësht% dykuptimësh dhe nuk është konform me termat e përdorur në tekstin e Parimeve në gjuhën shqipe dhe as me ata në tekstin e Parimeve në gjuhën serbe. Gjykata vëren se termi në shqip, i përdorur në Parime, është "ushtrimin e vështrimit të plotë", i cili në anglisht përkthehet përafërsisht si "exercise of full view", e i cili është i ngjashëm, më thjesht të observosh. Gjykata më tej vëren se termi në serbisht, i përdorur në Parime, është "obavljanje potpunog pregleda", e që në anglisht përkthehet përafërsisht si "conduct a full review", e i cili është i ngjashëm me kryerjen e auditimit.”

Kujtojmë se Aktgykimi i vitit 2015, me të cilin rrëzohej në shumë pika marrëveshja për asociacionin, deri më tash është akti më i lartë juridik sa i përket kësaj çështjeje.

Nga drafti që është propozuar e që u mbajt i fshehur deri në publikimin e sotëm, edhe propozimi i ekspertëve gjerman, qëndron në frymën e njejtë juridike, sa i përket parimeve të përgjithshme mbi Asociacionin e komunave serbe.

Mbetet të shihet nëse Qeveria e Kosovës do t’a pranojë propozimin, si dhe rrugëtimin e tij në kontekstin juridik e kushtetues të Kosovës.

Lajme të ngjashme