A ka diçka pozitive te Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe?
Nacionale ka publikuar Draft-Statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të përgatitur nga ekspertë gjermanë. Megjithëse, shumë prej pikave janë mjaft problematike duhet shtruar pyetjen: a ka diçka pozitive te ky Draft-Statut?
Draft-Statuti nuk lëviz nga Parimet e Përgjithshme të Marrëveshjes së vitit 2015 që ishte nënshkruar në Bruksel nga ish kryeministri Isa Mustafa.
Asociacioni do të jetë një entitet legal që potencialisht mund të cenojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës duke mos iu përgjigjur Qeverisë së Kosovës apo Kuvendit të Kosovës por vetëm Gjykatës Kushtetuese.
Por, lënë anash gjithçka negative, Draft-Statuti megjithatë provon (e përsërisim, provon) deridiku të adresojë mospërputhshmëritë e gjetura në AktGjykimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit 2015.
Ta zëmë, kur flitet për transferet financiare nga autoritetet qendrore, autorët gjermanë lënë edhe këtë shënim: “(SHËNIM: Gjykata Kushtetuese e shpalli jokushtetuese këtë pikë, por Asociacioni ekzistues i Komunave të Kosovës përmban në statutin e saj provizionin në vijim: 6.1. Pronat e asociacionit dhe fonde të tjera që përbëhen nga 6.1.3 të ardhurat nga niveli qendror, niveli lokal, dhe nga jashtë).”
Në Nenin 4 të këtij Draft-Statuti ndërkohë, shkruhet si vijon:
“Në përmbushje të Objektivave të saj, Asociacioni/Bashkësia nuk do të cenojë ose anashkalojë autoritetin dhe kompetencat kushtetuese dhe ligjore të komunave pjesëmarrëse e as në ndonjë mënyrë të zëvendësojë ose minojë marrëdhënien kushtetuese e ligjore mes autoriteteve qendrore dhe lokale në Republikën e Kosovës.”
Draft-Statuti i referohet Kushtetutës së Kosovës në shumë raste të tjera, por më i rëndësishmi vlerësohet të jetë Neni 17.
Gjykata Kushtetuese, fjalën kryesore
Gjykata Kushtetuese mund të bëhet arena e përplasjeve mes Qeverisë së Kosovës dhe Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në pikën 4 të Nenit 17 thuhet si vijon:
“Në çdo kohë, Qeveria mund të ushtrojë të drejtën kushtetuese të saj për t’i çuar çështjet në Gjykatën Kushtetuese të lidhura kushtetshmërisht me çdo aspekt të punës dhe funksioneve të Asociacionit/Bashkësisë. Gjykimet relevante dhe diskutimet e Gjykatës Kushtetuese do të jenë obligative për Asociacionin/Bashkësinë.
Politikisht
Nëse anashkalojmë – po të mundeshim të anashkalonim – aspektet negative të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Draft-Statuti megjithatë mund të çojë drejt një zhbllokimi të ecjes së Kosovës në intergrimet evropiane.
Kosovës i është kërkuar për kohë të gjatë që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të adresuar çështjen e Asociacionit. Megjithatë, iniciativat për propozim të draft-statutit apo edhe ndonjë modeli krejt tjetër kanë munguar nga Qeveritë e Republikës së Kosovës.
Kryeministri i vendit e ka vlerësuar “të çmontuar” nga Gjykata Kushtetuese versionin e Asociacionit sipas Parimeve të Përgjithshme të vitit 2015.
Por, tashmë është rritur presioni madje edhe nga aleatët perëndimor si ShBA-të dhe Gjermania që Kosova të lëvizë në këtë drejtim. Një gjë e tillë potencialisht mund të shtyjë Qeverinë që të hartojë një Draft-Statut më të favorshëm për Kosovën që nuk cenon rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me çështjen Nacionale do të përgatis një mori shkrimesh me ekspertë të fushës.
