Draft-Dita e Draft-Statutit të Asociacionit: Çka mësuam e çka u tha sot pas publikimit të Nacionales? - NACIONALE

Draft-Dita e Draft-Statutit të Asociacionit: Çka mësuam e çka u tha sot pas publikimit të Nacionales?

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Gazeta Nacionale gjatë orëve të paradites publikoi Draft-Statutin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, draft ky i përgatitur nga ekspertë gjermanë, që sipas burimeve tona janë të lidhur me Qeverinë Federale të Gjermanisë.

Edhe në këtë Draft-Statut me autorë gjermanë nuk ka kapërcim të termit “entitet legal/ligjor” që kishte qenë problematik për Kushtetuesen.

Ky entitet legal/ligjor mund të interpretohet se njeh subjektivitetin juridik Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, gjë që mund të jetë potencialisht problematik për rendin tonë kushtetues.

Entitet legal

Asociacioni definohet si vijon në Nenin 1, Pikën 1, të Draft-Statutit:

“Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë është si një entitet legal i themeluar në vijë me Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”

Ky entitet legal/ligjor nuk regjistrohet në asnjë entitet tjetër, gjë që mund të interpretohet se po ashtu i njeh subjektivitetin juridik Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kësisoji, Draft-Statuti në mënyrë indirekte potencialisht merr karakter kushtetues.

Për të verifikuar nëse dokumenti në fjalë ka lidhje me federalët gjermanë, Nacionale kontaktoi institucionin respektiv, pra Qeverinë Federale.

Në një përgjigje për Nacionalen, një zëdhënëse e kësaj qeverie, që kërkoi të mbetet anonime dhe t’i shkruhet vetëm pozicioni tha:

“Është në bindjen tonë të fuqishme që çështjet politike sa i përket rrugës drejt normalizimit të plotë duhen bërë në një formë më të vendosur dhe më të shpejtë në mënyrë që të mos ketë përshkallëzim në terren,” – u shpreh ajo.

Përgjigja e saj vazhdoi duke thënë:

“Në takimet e fundit të nivelit të lartë kjo është theksuar dhe propozimet drejt këtij qëllimi janë diskutuar në një mënyrë konfidenciale. Diskutimet po vazhdojnë,” - shkroi ajo.

Reagime

Qindra të tillë u panë pas publikimit të draftit. Nga të parët ishte gazetari Vehbi Kajtazi.

Përmes një cicërime në "Twitter", ai shkroi se duhet bërë gati për zgjedhje.

Kajtazi këtu aludoi në faktin se një opsion i tillë është vështirë i pranueshëm për Kurtin.

Në anën tjetër, kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i njohur për këto qëndrime edhe në të kaluarën ka thënë se mundësia më e mirë ka qenë ripërcaktimi i kufijve.

Ai ka thënë se vendi ynë në mënyrë të turpshme e ka humbur rastin që e ka cilësuar si historik për ta zgjidhur çështjen e Kosovës dhe Serbisë.

“Ne e kemi futë veten me këtë qasje në rrugë qorre. E kemi lëshu për turpin tonë rastin historik të zgjidhjes së problemit shqiptaro-serb, përmes ripërcaktimit të kufijve", ka thënë Murati në Debat Plus.

Qëndrimi identik

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e ka komentuar këtë draft.

Në një përgjigje për Gazetën Nacionale, ai ka thënë se drafti është pa autor. Tutje Kryeziu ka bërë me dije se Qeveria nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj Asociacionit.

Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës do ta mbrojë Kushtetten dhe ligjet e Kosovës.

Qëndrimi jonë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe është i njohur, i qartë dhe i njëjtë. Asociacione që karakter themeltar kanë etninë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës sonë dhe vet karakterit e shtetit tonë. Për më tepër, komunitetet jo-shumicë kenë nevojë për integrim, jo izolim. Sa i përket dokumentit që ka qarkulluar sot në media, ai përveçse draft, është pa autor. Në anën tjetër ne jemi Qeveri e Republikës së Kosovës që kemi kushtetutshmëri dhe ligje të cilat i mbrojmë dhe respektojmë”, deklaroi Kryeziu.

Kujtojmë, çështjen e Asociacionit e përmendi edhe dje Gabriel Escobar.

Emisari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në një intervistë dhënë Kanal10 konfirmoi se ka biseduar me presidenten Osmani për çështjen e Asociacionit.

Ai ka thënë se duhet të themelohet konform Kushtetutës së Kosovës, por duhet të bëhet gjithsesi, pasi është zotim ndërkombëtar i shtetit.

Siç pohoi ai, me të parën e vendit diskutoi për situatën ku të dyja palët mund të fitojnë, pra formati "win-win".

Lajme të ngjashme