Haradinaj-Stublla: Sinjalet e Kurtit, nënshkrim të marrëveshjes me Serbinë ose zgjedhje të reja
Meliza Haradinaj-Stublla ka thënë se është koha vendimtare kur kryeministri Albin Kurti do të vendos nëse do ta pranojë marrëveshjen me Serbinë apo thjesht do ta çojë vendin në zgjedhje të reja.
Sipas Haradinaj-Stubllës, vendimtar do të jetë vendimi i Kurtit për ta shtyrë ose jo çështjen e targave që skadon në fund të tetorit.
Ajo në emisionin Pressin në T7, ka përmendur lansimin e videove të fundit nga Vetëvendosje, si sulme mbi partitë e opozitare, si sinjal që Kurti është i gatshëm edhe për opsionin e zgjedhjeve të reja.
“Është simptomatike sepse në të njëjtën kohë kur skadon marrëveshja për targat dhe kur kërkohet një përgjigje formale nga ai, kemi lansimin e videove që e sulmojnë opozitën. Kemi një mesazh, sinjal kontradiktor që vjen nga kryeministri, të cilin duhet ta shohim se nëse e pranon shtyrjen e vendimit për targat, ai i pranon marrëveshjet”, ka thënë ajo.
“Nëse e refuzon shtyrjen për targat, ai po na çon drejt zgjedhjeve të reja”, ka shtuar ish-ministrja.