Dje dha dorëheqje, çka tha Zejnullahu-Raci për skandalet e mungesën e gjërave themelore në QKUK - NACIONALE

Dje dha dorëheqje, çka tha Zejnullahu-Raci për skandalet e mungesën e gjërave themelore në QKUK

1 vit më parë

nga Gentiana Hasani

Një ditë para se të jepte dorëheqje nga pozita e u.d. të drejtoreshës së ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci zgjodhi të debutonte në një intervistë- ndoshta e para gjatë pesë muajve të mandatit të saj. Brenda këtyre muajve sa Zejnullahu-Raci e udhëhoqi institucionin më të rëndësishëm shëndetësor në vend, ShSKUK, ndodhën shumë skandale.

Skandalet: Një grua shtatzënë u vra para klinikës së gjinekologjisë, fetusi i një foshnjeje u fut në lavatriçen e Spitalit të Pejës, logopedi i QKUK-së abuzoi me një të mitur me autizëm e një pacient u hodh nga dritarja e Klinikës së Kirurgjisë Torakale në QKUK. Këto janë vetëm disa nga tragjeditë që u raportuan në QKUK gjatë këtyre muajve. Çka tha për to ish. u.d. e drejtoreshës së ShSKUK-së?

Emërimin si ushtruese e detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës e mori në gusht të vitit të kaluar. Për pesë muaj, mjekja Pranvera Zejnullahu-Raçi e ushtroi këtë detyrë. Por paraqitjet ajo i pati shumë të rralla për mediet.

Për publikun Zejnullahu-Raci nuk foli, as kur po raportohej se brenda hapësirave të QKUK-së, një grua shtatzënë u vra. Krimi ndodhi pikërisht para klinikës së gjinekologjisë.

Zejnullahu-Raci nuk foli për publikun brenda këtyre pesë muajve, as kur në Spitalin e Pejës ndodhi një skandal, ku fetusi i një foshnjeje të vdekur u fut në lavatriçen e spitalit nga punonjësit aty.

Deklaratë nga Zejnullahu-Raci nuk dëgjuam, as kur logopedi i QKUK-së abuzoi me një fëmijë me autizëm në ordinancën e tij private e as kur mjekët e QKUK-së konsideruan të suksesshëm një operacion, ku, në fakt, pacienti kishte vdekur pas operimit.

Për krejt këto skandale, ish u.d. e drejtorit të ShSKUK-së foli pak në "Kallxo.com" të enjten. Duhet thënë se në po të njëjtën ditë, Pranvera Zejnullahu e ofroi dorëheqjen e saj nga posti i u.d. të drejtorit të ShSKUK-së.

Çka tha mbrëmë Zejnullahu-Raci në Kallxo.com?:

Sistemi shëndetësor në Kosovë lëngon nga probleme të shumta. Mungesa e stafit mjekësor, e terapive, e infrastrukturës dhe mungesa e kushteve të punës janë vetëm disa nga të metat me të cilat ballafaqohen spitalet kosovare.

Si rrjedhojë, me mungesë të terapive elementare ballafaqohet edhe QKUK-ja. Në këtë institucion shëndetësor, më i madhi në vend, ditëve të fundit ka mungesë edhe të penjve kirurgjikalë.

Kthimi në punë i logopedit keqtrajtues

Logopedi Iljasa Zylfiu, i arrestuar pak javë më parë nën dyshimin për keqtrajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, e vijon punën rregullisht që nga java e kaluar.

Ai është rikthyer në vendin ku e ushtronte profesionin e tij, në repartin e otorinolaringologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

E për këtë çështje tashmë ka folur edhe ish-drejtoresha e ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Çështja e logopedit në ORL është trajtuar menjëherë, drejtori i kësaj klinike ka bërë kërkesë, sepse ashtu shkon hierarkia. As unë, as ai nuk mund ta shkarkojmë vetë drejtpërdrejt” – ka thënë Zejnullahu-Raçi në Kallxo Përnime.

Fetusi i foshnjës së vdekur u fut në lavatriçen e spitalit, çka tha ish-drejtoresha?

Vendi u trondit, kur në dhejtorin e vitit të kaluar u zbulua një skandal i madh në Spitalin Rajonal të Pejës. Atje, një fetus dyshohet të jetë futur në rrobalarëse. Për këtë rast janë duke u kryer hetime edhe nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Pejës.

Rasti në fjalë kishte bërë që ish-drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi, t’i dërgohet një vërejtje nga ana e bordit të këtij shërbimi.

Brenda ditës marr 100 e-maile edhe kam qenë e informuar dhe në momentin që Spitali i Pejës ka qenë në bashkëpunim me Policinë dhe me Prokurorinë, shpeshherë nuk dalim me informata pa u kryer procesi se a ka pasur ndonjë dyshim për vepër penale apo jo. Bordi, nëse është dashtë në kohë reale me i lajmëru, unë kam edhe shumë probleme të tjera. Nuk më kujtohet saktë sa ditë më pas i kam njoftuar” – ka thënë ajo.

Ajo në intervistën e së enjtes në "Kallxo.com" ka shtuar se nuk i kujtohet se pas sa ditëve saktë pasi që ka ndodhur ngjarja, e ka njoftuar rastin në bord të ShSKUK-së.

Pacientët presin me vite për një rezonancë magnetike në QKUK, çka tha ish-drejtoresha?

Në klinikën e radiologjisë së QKUK-së ka listë të gjatë ku pacientët detyrohen të presin për të marrë shërbime radiologjike.

Për pritjet e qytetarëve për ta marrë këtë shërbim, tha pak ish-ushtruesja e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Pranvera Zejnullahu-Raci.

“Për rezonancë magnetike, saktë me muaj nuk e di, sepse ripërtërihet vazhdimisht, është e gjatë, është faktikisht mbi një vit” – është shprehur Zejnullahu-Raçi.

Ajo tutje ka thënë se deri më tani ka funksionuar vetëm njëra rezonancë, përderisa para një jave është lëshuar në funksion edhe e dyta.

“Ta them një diçka, para një jave është lëshuar në funksion e dyta rezonancë që ka qenë e prishur në klinikën e onkologjisë. Tash e kemi edhe një në neurologji dhe jemi duke punuar me dy rezonanca” – ka shpjeguar ish-drejtoresha. Zejnullahu-Raçi është pyetur se pse këto rezonanca nuk punojnë edhe pasdite e edhe gjatë fundjavës, duke pasur parasysh që të njëjtat kanë punuar në orar të zgjatur para dy viteve.

Pranvera Zejnullahu-Raci dha dorëheqje nga pozita e u.d. të drejtorit të ShSKUK-së të enjten e 26 janarit. Arsyetimi i saj ishte: për shkaqe personale.

Zëvendësimin e Racit bordi i ShSKUK-së e bëri pas pak orëve. Në vend të saj, nga ky bord u emërua Dr. Narqize Arenliu-Hoxhaj./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme