Tahiri për raportin e DASh-it: Është letërnjoftimi i kësaj qeverie
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka përmendur raportin e DASH-it dhe atë të Freedom House, duke thënë se Kosova asnjëherë nuk është klasifikuar kaq rëndë.
Tahiri ka thënë se raporti thekson korrupsionin serioz në Qeveri, teksa ka thënë se raporti është “leternjoftimi i kësaj qeverie”.
“Në historinë e qeverisjes në Kosovë asnjëherë vendi ynë dhe qeveria nuk ka marrë një klasifikim kaq të rëndë dhe kaq serioz, kaq keq në raport me gjendjen e vendit tonë. Për me kuptu sa keq dhe sa është e rëndësishme të diskutojë këtë raport vetëm hapeni faqen e parë, flet në radhë të parë për një korrupsion serioz në qeveri, as nuk thotë në qeverisje, korrupsion serioz në qeveri.” – ka thënë Tahiri.
“Ky raport është letërnjoftimi i kësaj qeverie, ndërsa raporti i Freedom House në dy pika kryesore te funksionimi i qeverisë, sa i përket luftës së korrupsionit e rangon prej katër pikëve në një pikë. Ndërsa, sa i përket asaj se çka bënë Qeveria për transparencë prej 4 në 2. Kjo është një çështje e rëndësishme të cilën duhet ta diskutojmë dhe të ballafaqohemi me argumente që janë të saktësuara në këto dy raporte.” – ka thënë ndër të tjera ai.