Rritet lista e pacientëve për rrezatime në Onkologji - NACIONALE

Rritet lista e pacientëve për rrezatime në Onkologji

1 vit më parë

nga NACIONALE

Edhe pse në klinikën e Onkologjisë është funksionalizuar edhe aparati i dytë për rrezatime, megjithatë vazhdon fluksi i madh i pacientëve të cilët për rreth 2 javë patën ndërprerje të marrjes së shërbimeve. Stafi i kësaj klinike thotë se Ministria do të duhej të aplikonte marrëveshjen për dërgim të pacientëve në Shqipëri mirëpo nga ministria thonë se nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Ndonëse është funksionalizuar edhe aparatura tjetër për rrezatim të pacientëve të sëmurë nga kanceri, në Onkologji është krijuar listë e gjatë e pacientëve që po presin për rrezatim.

Janë mbledhë një numër i konsiderueshëm i pacientëve. Do të provojmë gjatë javëve në vijim t’i thërrasim të gjithë që ta fillojnë procedurën. Vërtetë jemi mbrapa. Këto dy javë apo tri që nuk kemi bërë rrezatime, na kanë kthyer mbrapa procedurën”, ka theksuar për RTK-në, Sonja Blakaj, shefe e Repartit të Radioterapisë.

Për procedurat e ndërprerjes së rrezatimeve, për RTK-në kanë folur edhe familjarët e pacienteve.

"Para se ndodh vërshimet mami i ka kryer 15 rrezatime, mandej i ka ra diku 3 javë me pritë, tash ka filluar që tri ditë dhe i ka edhe 6 rrezatime gjithsej. Sot na ka ra pak me pritë për shkak të rasteve të reja por mirë është. Stafi i mirë, gjithçka në rregull", ka thënë Endrit Zuka familjar.

Ndërkaq, Ismet Gashi po ashtu familjar i një pacienti tha se babai i tij që dy javë është duke pritur.

“Sot e kanë thirr në telefon t’i vazhdojë terapitë, kështu që gjithçka në rregull është duke shkuar. Tash jemi duke pritur", ka thënë Gashi.

Doktoresha Blakaj konsideron se do të duhej të shfrytëzohej ftesa e Ministrisë së Shqipërisë që disa pacientë të trajtoheshin në Shqipëri.

“Kemi pritë prej ministrisë se ka qenë marrëveshja me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë. Kemi mundur ta shfrytëzojmë edhe atë marrëveshje që disa pacientë të shkojnë të trajtohen atje mos të presin këtu”, ka shtuar Blakaj.

Por Ministria e Shëndetësisë konsideron se nuk ka nevojë për dërgim të pacientëve në Shqipëri, pasi sipas tyre stafi i Onkologjisë duhet të punojë me intensitet të shtuar për të evituar listat e pritjes së pacientëve.

Lajme të ngjashme