Ditët e dialogut: Kurti sot takon Stoltenbergun, nesër Vuçiqin - NACIONALE

Ditët e dialogut: Kurti sot takon Stoltenbergun, nesër Vuçiqin

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pritet që të ketë një agjendë jo të lehtë të takimeve këto ditë në Bruksel. Kurti sot pritet të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, teksa nesër takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas tensinoneve mes Kosovës dhe Serbisë që u shfaqën në pjesën veriore të vendit, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas njoftimit të NATO-s, Stoltenberg pritet që të parin ta takojë presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, me fillim nga ora 15:30, teksa takimi me Kurtin pritet të fillojë nga ora 17:00.

Stoltenberg do të mbajë konferencë për media me të dy udhëheqësit veç e veç.

Takimi i Stoltenbergut me Kurtin dhe Vuçiqin, vjen pas tensioneve në veri që u shkaktuan me vendosjen e reciprocitetit për targa dhe dokumente të identifikimit.

I pari i NATO-s më 3 gusht kishte biseduar në telefon me Vuçiq, duke ia rikujtuar se misioni i NATO-s në Kosovës, KFOR, është i gatshëm të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti.

Fola me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për tensionet në Kosovën veriore. Të gjitha palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe t’i zgjidhin dallimet përmes diplomacisë. NATO/KFOR-i qëndron i gatshëm për të ndërhyrë, nëse stabiliteti rrezikohet, duke u mbështetur në mandatin e vet nga OKB-ja”, kishte shkruar Stoltenberg në Twitter.

Takimi me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të enjten nga ora 10:30 pritet që të takohen në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Lartë, Josep Borrell. Të dy, do të ulen në tavolinën e bisedimeve një vit nga takimi i fundit i tyre në kuadër të dialogut, e pak muaj nga darka e famshme në Berlin.

Agjenda e takimit mes Kurtit dhe Vuçiq është bërë publike, ndërsa fokusi kryesor është rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbi.

Fokus i veçantë edhe në këtë takim, do të vendoset te arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.

Por përveç këtyre, Kurti e Vuçiq në Bruksel do të bisedojnë edhe për çështjet aktuale si dhe do të synohet zbutja e tensioneve.

Të enjten, më 18 gusht, do të mbahet takimi i nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel. Me në krye Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, dialogu do të mbështetet nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, me pjesëmarrës presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Takimi do të fillojë në orën 10:30 dhe do të ketë në fokus përparimin në Dialog dhe arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit. Gjithashtu në takim do të trajtohen çështjet aktuale dhe do të synohet zbutja e tensionit aktual në terren”, thuhet në njoftimin e BE-së.

“Konsultimet” para takimit me Vuçiqin

Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme mori dy telefonata të rëndësishme, pikërisht dy ditë para takimit në Bruksel, por edhe zhvilloi një takim në zyrën e tij.

Fillimisht, shefi i ekzekutivit bëri të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Derek Chollet, këshilltarin e Departmanetit të Shtetit.

Kurti ka njoftuar se ka biseduar për shumë çështje për dialogun me Serbinë, duke theksuar rëndësinë e një marrëveshjeje të përqendruar në njohjen reciproke.

Ai përcolli përshëndetjet e Sekretarit Blinken pas takimit tonë madhështor në DC muajin e kaluar”, ka thënë ai.

Veç kësaj, Kurti bisedoi edhe me të dërguarin special të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duke theksuar se është e nevojshme që në takimin e 18 gushtit në Bruksel të diskutohet për marrëveshjen me Serbinë me njohje reciproke në qendër.

Përpara diskutimeve në Bruksel, pata një telefonatë produktive me të dërguarin special për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, duke theksuar nevojën për një marrëveshje të përqendruar në njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Gjithashtu, Kurti në zyrën e tij është vizituar nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it, ku ndër të tjera thuhet së është biseduar “për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë”.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se në takimin e së enjtes mes kryemininistrit Albin Kurti dhe presidentit Aleksandër Vuçiq, pritet që të diskutohen dy pika.

Ai ka thënë se çështjet kryesore për të cilat do të flitet, janë elementet e një kornize të përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë dhe zhvillimet aktuale në vend.

Ky është takimi i tretë i Kurtit me Vuçiqin.

Lajme të ngjashme