Sot vazhdimi i seancës konstituive, a do të hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja? - NACIONALE

Sot vazhdimi i seancës konstituive, a do të hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të bëjnë përpjekën e radhës për konstituimin e Kuvendit.

Seanca konstituive, e cila ka filluar më 8 gusht, do të vazhdojë sot në ora 11:00.

Në rendin e ditës të dërguar nga drejtoria për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit janë dy pika, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Pas më shumë se një muaji bllokadë institucionale, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ftuar këtë seancë vetëm pasi VV-ja dhe LDK-ja e ka propozuar një kandidat për president, i cili nuk i ka votat e sigurta.

Përveç VV-së, pjesëmarrjen në këtë seancë e kanë konfirmuar edhe dy partitë opozitare. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë bërë me dije se do të jenë pjesë e kësaj seance. Aleanca e Ardian Gjinit ka treguar se nuk do të jetë pjesë e kësaj seance.

Qëndrimet e partive

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka treguar pse kjo parti sot do të marrë pjesë në vazhdimin e seancës konstituive.

Ai ka bërë me dije se deputetët e kësaj parti do të jenë në seancë për shkak të 16 shatorit.

Në emisionin Interaktiv të KTV-së, ai ka thënë e është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë institucione kur Gjykata Speciale të marrë vendimin për ish-krerët e UÇK-së.

“Pjesëmarrja jonë në seancë ndodh për shkak të ngjarjes që e kemi si vend, pra 16 shtatorit. Ne do të shkojmë nesër për ta konstituar Kuvendin, në mënyrë që kur merret vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Kosova të ketë të paktën Kuvendin. Prandaj, do ta bëjmë këtë lëshim”, ka deklaruar Gruda.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka bërë me dije se partia e tij sot do të jetë në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.

Ai ka treguar se kjo parti do të votojë kandidatin e VV-së për kryetar dhe kandidatët për nënkryetarë.

“Ne si LDK e votojmë”, është shprehur Haziri.

Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Haziri ka thënë se ai ka qenë vazhdimisht pro marrëveshjeve, bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet subjekteve politike.

“Unë jam kanë pro marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, të koordinimit sa ma të mirë. Kështu që nesër, natyrshëm, duhet me kalu kandidati i VV-së për kryetar të Kuvendit, kushdo që është, dhe nënkryetarët që vijnë nga secila parti”, ka deklaruar Haziri.

Kurse, kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka paralajmëruar se cilido vendim i seancës konstituive, që do të mbahet sot, do të përfundojë në Gjykatë Kushtetuese.

Ai ka bërë me dije se kjo do të ndodhë për shkak se këto vendime do të jenë të paligjshme.

Në emisionin “Debat Plus”, ai ka deklaruar se edhe nëse kjo legjislaturë e zgjedh presidentin, vendimi do të shkojë për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese.

“Matematikisht ka gjasa që bëhen 80 deputetë që rrinë në sallë. Ama unë po iu tregoj që nuk ka kurrfarë gjasa më as teorike më, që kjo çështje nuk shkon në Gjykatë Kushtetuese. Çfarëdo vendimi që do të marrë ky Kuvend tash është jo kushtetues dhe i jashtëligjshëm. Edhe nëse kanë me zgjedh presidentin, do të shkoj në GJK dhe do të ndodh siç ka ndodh më herët, të shpallet null”, ka deklaruar Gjini.

Lajme të ngjashme