Lajçaku i mbledh "burrat", Kurti darkon me Vuçiqin
Darka joformale në mes të kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhe të ngarkuarit të BE’së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka filluar në orën 19:45.
Siç raporton Radio Televizioni i Kosovës, darka është duke u mbajtur në periferi të Berlinit.
Kurti ka thënë se pret që gjatë këtij takimi të kuptojë më mirë se e vetmja marrëveshje pas një dialogu parimor në mes të Kosovës dhe Serbisë është ajo që është ligjërisht e obligueshme, e bën normalizimin e plotë sepse e ka në qendër njohjen reciproke.
Sipas Kurtit, në Evropë janë të brengosur që Serbia nuk u rreshtua me Bashkimin Europian, NATO-n e ShBA-në duke mos i vendosur sanksione Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
“Ne në Ballkan kemi shumë dallime por na u shtua edhe një i tillë”, tha Kurti për RTK-në.
Ai ka thënë se pritet të diskutojë për dialogun dhe njohjen, me këtë të fundit që do të jetë në qendër të asaj të parës, përcjell Gazeta Nacionale.
Tutje, ai tha se marrëveshja për të cilën do të diskutojnë është aq që konsiderohet ligjërisht e obligueshme.
“Në takimin që do ta kem tash me presidentin e Serbisë të fasilituar nga Lajçak dhe të organizuar nga kancelari gjerman Schulz, unë pres që nga ky takim të kuptohet edhe më mirë se e vetmja marrëveshje pas një dialogu parimor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ajo e cila është ligjërisht e obligueshme, e bën normalizimin e plotë sepse e ka në qendër njohjen reciproke”, tha Kurti për RTK-në.
Kurti ka folur edhe rreth asaj se çka bisedoi me Olaf Scholz, kancelarin e Gjermanisë.
“Padyshim se një ndër temat që u diskutua është edhe dialogu me Serbinë. Në Europë janë të brengosur meqenëse Serbia nuk u rreshtua me BE’në dhe NATO’n e SHBA’në dhe nuk i vendosi sanksione Federatës Ruse. Ne në Ballkan kemi shumë dallime por na u shtua edhe një i tillë. Tash Ballkani Perëndimor që përbëhet prej gjashtë shteteve nuk janë këto gjashtë shtete bashkë, e kemi Serbinë, por për shkak të Republikës Serbe edhe Bosnje e Hercegovinën, që nuk i vendosin sanksione Federatës Ruse. Unë e mirëkuptoj Brukselin si kryeqytet i dyfishtë edhe i NATO’s edhe i Bashkimit Europian, që dëshiron paqe, stabilitet dhe siguri por për të gjitha këto kontribuon Kosova dhe uroj që Serbia të ndryshojë qëndrimin e saj, ta pranojë Kosovën dhe në të njëjtën kohë të distancohet aktualisht nga Putini e sa i përket të kaluarës nga Millosheviqi”, tha Kurti.
Ndryshe gjatë ditës, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, deklaroi se Kurti do të takohet me z. Miroslav Lajçak në mënyrë joformale.
Takimi joformal
Përveç Kurtit, edhe Vuçiq do të ketë një takim të tillë me emisarin e BE-së për dialogun me Serbinë.
“Pas ftesës nga kancelari Scholz, përfaqësuesi special i BE-së Lajçak po ashtu ka udhëtuar në Berlin për të takuar kancelarin e më pas për të mbajtur takime të ndara joformale edhe me presidentin Vuçiq por edhe me kryeministrin Kurti.”
Zëdhënësi kryesor i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë ka njoftuar se e gjithë kjo mbledhi ka ndodhur pas ftesave që i ka bërë z. Scholz.
Qëllimi i këtij takimi do të jetë mbështetja e dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ka vazhduar z. Stano.