Dhjetëra shkelje e mospërfillje të procedurave ligjore: Çka gjeti Zyra e Auditimit në KEK? - NACIONALE

Dhjetëra shkelje e mospërfillje të procedurave ligjore: Çka gjeti Zyra e Auditimit në KEK?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mori shkelje, shpërfillje në raportin e auditimit për pasyrat financiare të Korporatës Energjetike të Kosovës për vitin 2022. Në këtë raport përmenden edhe tenderët si dhe gjoba prej 3.2 milionë eurove nga ZRRE-ja për KEK-un. Ndërkohë, kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi vazhdon të qëndrojë në paraburgim. Çka thotë raporti?

Raporti i ZKA-së për vitin 2022 ka gjetur parregullësi të shumta KEK-ut. Në raport theksohen kontratat që janë nënshkruar gjashtë muaj pas përfundimit të punëve, gjoba prej 3.2 milionë eurove, pagesa nga buxheti i KEK-ut pa procedura tenderimi, mos përputhje e balancave të pagesave, shkelje në përzgjedhjet e kompanive për shitblerje të energjisë elektrike, tregtim i energjisë elektrike e të tjera çështje problematike.

Një nga gjetjet e ZKA-së thuhet se KEK-u ka nënshkruar kontrata disa muaj pas përfundimit të punimeve dhe kjo ndikon në çmime më të pafavorshme.

Kryerja e punëve dhe shërbimeve pa kontratë dhe pastaj kontraktimi përveç se është në kundërshtim më ligjin e prokurimit mund të ndikoj në çmime më të pa favorshme nëse do të përdorej procedura e hapur konkurruese.” – thuhet në raportin e ZKA-së.

Gjithashtu, raporti ka gjetur shkelje në ankande, ku janë dhënë kontrata me çmime më të larta si dhe janë shpërfillur kërkesat e ZRRE-së.

Zyra e Auditimit të Kosovës ka gjetur se KEK-u ka përsëritur ankandet në mënyrë të jashtëligjshme dhe jo në pajtim më Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike.

Kompania më qëllim të arritjes së çmimeve më të favorshme kishte përsëritur ankandet edhe në rastet kur ofertat ishin të vlefshme edhe pse procedura e ZRrE-së në rastet e tilla kërkon që të mos përsëritet ankandi. Si rezultat i përsëritjes së ankandeve, kemi identifikuar se në dy raste, kompania kishte kontraktuar çmime më të larta sesa çmimet në ankandet fillestare, po ashtu edhe në dy raste tjera kontraktimet ishin me çmime më të ulëta se sa çmimet nga ankandet fillestare.” – thuhet në raportin e ZKA-së.

E kjo ka ndikuar që “kompania për sasinë e njëjtë të energjisë së blerë ka paguar kosto më të lartë në krahasim me atë që do paguhej nëse do pranoheshin ofertat fillestare.

Më 24 shkurt 2023, kompania kishte pranuar njoftimin për shkeljet e konstatuara në lidhje më blerjen e energjisë, pagesat dhe nominimet ku edhe ishte njoftuar se do të aplikohen dispozitat e masave ndëshkimore ashtu siç parashihet me legjislacionin në fuqi. Për këto shkelje, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), më 05 maj 2023, kishte vendosur gjobën prej 3.2 milion euro.” – thuhet në raportin e ZKA-së.

KEK-u bëri kërkesa specifike kompanive në tenderë për të ulur konkurrencën.

Në pikën “Kërkesa të panevojshme në dosje të tenderit”, raporti tregon një rast ku KEK-u kishte vendosur një kërkesë specifike duke e favorizuar një operator.

Për kontratën Furnizim me pjesë ndërrimi për eskavator (Liebherr), në vlerë prej 55,287€ e nënshkruar me datë 12.04.2022, kompania kishte kërkuar në dosje të tenderit, të kapaciteti teknik dhe profesional, që Operatori Ekonomik të sjellë "Autorizim, nga prodhuesi i pajisjes ose dileri i autorizuar, për produktet që ofroni". Njëri OE kishte kërkuar që te hiqet kjo kërkesë sepse në Kosovë ka vetëm një distributor të autorizuar për shitjen e pjesëve të Liebherr dhe asnjë OE tjetër nuk mund ta sigurojë ketë autorizim rrjedhimisht kompania ishte duke e favorizuar një OE të vetëm në çdo aktivitet prokurimi për këtë furnizim.” – thuhet në raport.

Disa nga gjetjet tjera të raportit të ZKA-së për KEK-un:

Mos rivlerësimi periodik i pasurive afatgjata

Mos përditësimi i regjistrit të pasurisë me ndryshimet e ndodhura ndër vite për pronat e paluajtshme

Mos prezantimi i plotë i informacioneve shpjeguese për kontingjencat

Mos përputhje e detyrimeve në regjistrat kontabël të kompanisë më gjendjen tek furnitorët

Politikë e papërshtatshme për provizionimin e stoqeve

Mangësi në pagesat shtesë ndaj punëtorëve

Ndërprerje e pa arsyeshme e kontratave kornizë me çmime të bursës dhe nënshkrim i kontratave të reja me çmime fikse

Mos përputhje e detyrimeve në regjistrat kontabël të kompanisë më gjendjen tek furnitorët

Njohje në periudhë të gabuar e llogarive të arkëtueshme për të hyrat nga interesi

Aktivitete të shpeshta të prokurimit me vlerë minimale

Kujtojmë se kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqi, po vazhdon të qëndrojnë në paraburgim. Krasniqit i është vazhduar edhe për dy muaj paraburgimi. Ai është arrestuar në muajin prill të vitin 2023.

Lajme të ngjashme