Detajet nga deklarata në Prokurori e ish-zyrtarëve të Komunës së Leposaviqit që akuzohen për konsumimin e kokainës - NACIONALE

Detajet nga deklarata në Prokurori e ish-zyrtarëve të Komunës së Leposaviqit që akuzohen për konsumimin e kokainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre zyrtarët e Komunës së Leposaviqit, tashmë akuzohen nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, nën dyshimin se kanë konsumuar kokainë në vendin e tyre të punës.

Prokuroria aktakuzën e ka ngritur në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, ku për këtë skandal në komunë kishte raportuar fillimisht Gazeta Nacionale, dhe bëhet fjalë për Stefan Stefanoviq, Dragana Miletiq dhe Sladjan Mijajloviq.

Më 21 mars 2025, Prokuroria e Mitrovicës ngiti aktakuzën dhe në njoftimin e tyre, u tha se gjatë muajit nëntor 2023, i pandehuri Stefan Stefanoviq, akuzohet se në një nga zyrat e Komunës së Leposaviqit e ka ftuar të pandehurën Dragana Miletiq dhe i ka ofruar substancë narkotike të llojit kokainë dhe më pas e kanë konsumuar së bashku.

Prokuroria gjithashtu ka thënë se po në këtë muaj, i pandehuri Stefan Stefanoviq e ka thirrur në një nga zyrat e objektit të kësaj Komune të pandehurin Sladjan Mijajloviq dhe i ka ofruar substancë narkotike – kokainë, të cilën e ka vendosur në tavolinë dhe i pandehuri Sladjan Mijajloviq e ka konsumuar përmes hundës.

Përveç në objektin komunal, shpërndarja e substancave narkotike është bërë edhe në lokalet e qytetit të Leposaviqit.

“Gjatë muajit nëntor, i pandehuri Stefan Stefanoviq, në një nga lokalet e qytetit, pa autorizim, shpërndan substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjën e kafiterisë të pandehurën D.M. dhe i ofron substancë narkotike – kokainë, të cilën e pandehura Dragana Miletiq e konsumon përmes hundës.” – thekson Prokuroria e Mitrovicës.

Mediumi Kallxo.com ka raportuar deklarimet e të pandehurëve para Prokurorisë.

Sladjan Mijajloviq në deklaratën e tij në polici më 31.01.2024 ka theksuar se ka qenë përdorues i marihuanës para katër – pesë vitesh. Po ashtu pohon se në Komunën e Leposaviqit ka konsumuar lëndë narkotike, siç thotë ai, një herë ose dy. Substancën narkotike me emrin kokainë thotë se e ka konsumuar në Komunë bashkë me Stefan Stefanoviq, nga i cili thotë se është furnizuar.

Sipas tij, Stefan Stefanoviq ka punuar si sigurim në Komunën e Leposaviqit.

Ish-nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq ka deklaruar më 25.07.2024 në Prokurori se Stefan Stefanoviq e ka detyruar të konsumonte lëndë narkotike duke e ftuar në një zyrë që ka qenë jashtë funksionit në objektin e kësaj komune.

Unë iu kam ofruar tavolinës dhe kam parë që i ka përgatitur dy vija, që unë e kam pyetur se çfarë është kjo, ai më ka thënë asgjë serioze, kur ta konsumosh do ta shohësh që nuk është asgjë serioze. Unë e kam përsëritur, nuk dua asgjë që të marr që të mos më krijoj problem dhe është nisur në drejtim të derës. Atëherë ai më ka tërhequr dhe më ka thënë lirshëm merre këtë që mos të kesh problem ti dhe familja jote, ti dhe vajza jote. E dimë ku ajo lëviz në Mitrovicë, bukfalisht më ka frikësuar. Nuk e kam ditur çka është atë që duhet të konsumoj, kam menduar se mos është diçka që do të më vërë në gjumë, se ai tërë kohën më ka vardisur, tërë kohën më ka shqetësuar.” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Mitrovicës.

Ajo shtoi se brenda kësaj dite, tashmë në kohën e pauzës, Stefan Stefanoviq e mori në tualetin e një kafiterie ish-nënkryetaren duke i thënë “merre edhe këtë herë dhe më nuk do të kesh problem me mua”.

Ndërsa pas tre-katër ditësh, siç ka deklaruar ajo, Stefanoviq i ka djegur automjetin me urdhër të ish-ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radoica Radimiroviqit, djalit të tij dhe një personi tjetër me inicjale M.J.. Sipas saj, këto i kanë bërë për shkak se i kanë kërkuar të punojë kundër Kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe kjo e ka refuzuar.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se deklarimet e Dragana Miletiq dhe Sladjan Mijajloviq kanë ndërlidhshmëri me incizimet në CD.

Lajme të ngjashme