Raportimi i Nacionales: Prokuroria ngre aktakuzë ndaj ish-nënkryetares së Leposaviqit dhe dy të tjerëve që konsumonin kokainë në komunë
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-nënkryetares së komunës së Leposaviqit, Dragana Miletiq.
Në aktakuzë janë edhe dy të pandehur të tjerë me inicialet S.S dhe S.M
Kjo aktakuzë ka ardhur pas raportimit ekskluziv të Nacionales muaj më parë, ku gazeta publikoi pamje teksa zyrtarët konsumonin kokainë brenda hapësira të komunës.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj të pandehurit me iniciale S.S., për shkak të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, si dhe ndaj D.M., dhe S.M., për shkak të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge””, thuhet në njoftimin e Prokurorisë në Mitrovicë.
Prokuroria e ka përshkruar komplet ngjarjen, e cila ishte raportuar nga Nacionale.
“Gjatë muajit nëntor 2023 në objektin e Komunës së Leposaviqit, i pandehuri S.S., akuzohet se në objektin e komunës së Leposaviqit në një nga zyrat e komunës e fton të pandehurën D.M., dhe i ofron substancë narkotike të llojit kokainë dhe e konsumojnë së bashku përmes hundës”, thuhet më tutje.
“Po ashtu, në një rast tjetër në muajin nëntor 2023, i pandehuri S.S., e thërret në një nga zyrat e objektit të Komunës së Leposaviqit të pandehurin S.M., dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e vendos në tavolinë dhe i pandehuri S.M., e konsumon përmes hundës”, thuhet në aktakuzë.
“Po ashtu, gjatë muajit nëntor i pandehuri S.S., në një nga lokalet e qytetit pa autorizim shpërndanë substanca narkotike të llojit kokainë, ashtu që e thërret në banjon e kafiterisë të pandehurën D.M dhe i ofron substancë narkotike kokainë të cilën e pandehura D.M., e konsumon përmes hundës”, përfundon aktakuza.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë me rastin e ngritjes së aktakuzës ka kërkuar nga gjykata që tre (3) të pandehurit të i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.
Një ditë pas raportimit, nënkryetarja e komunës dhe punëtorët që shiheshin në video-incizimin e Nacionales, ishin suspenduar.
Gjithashtu, ishte suspenduar edhe polici që shihej teksa merrte kokainë.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve të reja në medie në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit kanë konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës. Hetimi i IPK-së ka filluar bazuar në dyshimet se në këto pamje tashmë të publikuara mund të jetë i përfshirë si i dyshuar edhe një zyrtar policor. IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”, thuhej në komunikatën e IPK-së.
Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.
Ky raportim ekskluziv kishte shkaktuar shumë reagime në Kosovë. Kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, kishte deklaruar se nuk kishte pasur dijeni që zhvillohen veprime të tilla në objektin e komunës.
Raportimi i Nacionales
Gazeta Nacionale në fillim të vitit të kaluar kishte publikuar pamje brenda objektit të komunës së Leposaviqit, ku shiheshin zyrtarë të lartë të komunës e punëtorë, duke konsumuar kokainë.
Pas raportimit të Nacionales, nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, u shkarkua. U shkarkuan edhe disa punëtorë të tjerë, përderisa u suspendua punëtori i Policisë që shihej teksa merrte kokainë.
Gazeta Nacionale nga burime të ndryshme kishte siguruar disa video-incizime ku nënkryetarja e komunës, Dragana Miletiq, shihet duke konsumuar lëndë narkotike.
Njëra prej videoeve duket të jetë realizuar në një nga banjot e objektit të komunës së Leposaviqit.
E në një tjetër video nënkryetarja e Leposaviqit shihet teksa konsumon drogë në zyrët e komunës, bashkë me një tjetër punëtor.
Nacionale ka kontaktuar edhe me nënkryetaren e komunës, Miletiq, për të marrë një qëndrim nga ajo për këto video-incizime. Ajo nuk ka folur direkt për përmbajtjen, por e ka akuzuar Listën Serbe.
“Të rreme. Të gjitha këto janë të shpikura prej qytetarësh të Listës Serbe për të kërcënuar emrin dhe pozitën time në Komunë (të Leposaviqit), si dhe punëtorët në Komunë të Leposaviqit”, ka thënë nënkryetarja e Leposaviqit për Nacionalen.
“Nuk është e vërtetë. Që nga fillimi i përfshirjes sime në këtë vend (në Komunë) ata kanë thurrur tregime të ndryshme vetëm për të më rrënuar mua, dhe veturës sime ia vunë flakën. Është e pabesueshme se sa presion kanë bërë mbi mua dhe emrin tim. Por, do të luftoj gjer në fund. S’më frikësojnë”, tha ajo.
Në videot që ka siguruar Nacionale, polici Radoviq shihet teksa drogohet në shoqërimin e punonjësve, e madje dëgjohen edhe zëra duke sharë: “f..k the police”.
Ky raportim ekskluziv kishte shkaktuar shumë reagime në Kosovë. Kryetari i komunës, Lulzim Hetemi, kishte deklaruar se nuk kishte pasur dijeni që zhvillohen veprime të tilla në objektin e komunës.