Deputetët injorantë, fjalimi i Rifat Jasharit: Qysh u shënua 25-vjetori i rezistencës së familjes Jashari?
Tashmë Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ashtu siç njihet gjerësisht rezistenca e familjes Jashari të Prekazit, është drejt fundit. Këtë të marte të 7 marsit, u ndezën flakadanët në Prekaz, që shënon edhe fillimin e fundit të përkujtimit të Epopesë së UÇK-së. Për tri ditë më radhë, pra mes datave 5, 6 dhe 7 mars, u përkujtuan Jasharajt. Por çka ndodhi këto ditë?
Ndoshta gjëja më e papritshme që ndodhi këto ditë, ishte shpërfaqja e paditurisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk arrinin të kujtonin as faktet më të thjeshta rreth luftës së Jasharajve. Gazetari i Nacionales, Vullnet Krasniqi, shkoi në Kuvendin e Kosovës, ku mbahej seanca e përkujtimit të Epopesë së UÇK-së, për të bërë një pyetje të thjeshtë: sa familjarë të komandatit Adem Jashari humbën jetën më 5, 6 dhe 7 mars 1998?
Siç shihej në videon e publikuar nga Nacionale, asnjëri nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, nuk arritën të përgjigjen në mënyrë të saktë.
E kjo video, që ka marrë qindra mijëra klikime e mijëra komente, ka bërë që njerëzit të kërkojnë në “google” detaje rreth familjes Jashari.
Përtej injorancës së deputetëve, në seancën e Kuvendit ndodhi edhe një gjë e mirë. Mes duartrokitjeve e respektit padyshim të merituar, Rifat Jashari, vëllai i komandatit Adem Jashari, mbajti një fjalim të shkurtër. Z. Jashari dha mesazhe për unitet, duke kërkuar që “të hiqet qafe përgjithmonë Serbia”.
“Këtu është kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit, të ardhmen e shtetit, u kisha preferuar që të jeni të një gjuhe, të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara, të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia e pastaj kemi kohë të merremi me të tjerat.” – tha z. Jashari.
Më rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, anëtari më i moshuar i mbijetuar i familjes Jashari, pra z. Rifat Jashari, u dekorua me medalje nga ana e presidentes Vjosa Osmani. Shefja e shtetit i ndau Rifat Jasharit medaljen e titulluar “Urdhri i Lirisë”, për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës nga Serbia.
Këtë 25-vjetor, e madhe u bë edhe një fotografi e Rifat Jasharit me Albin Kurtin, ku këta dy shiheshin dorë për dore teksa ecnin bashkarisht. Natyrisht, edhe fjalimi i Glauk Konjufcës, kryetar i Kuvendit të Kosovës, ishte një moment interesant. Më saktësisht, gati përlotja e Konjufcës, u ra në sy shumë njerëzve.
“Shpesh më del para syve momenti kur baca Rifat kthehet në Prekaz në mes të varreve ende të freskëta: Me plis në kokë dhe mustaqet e bardha, me atë ecje titanike, ai bartte mbi supet e tij, si kreshtat e maleve tona, krejt dhimbjen tonë historike por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, gruan dhe katër fëmijët, prindërit, vëllezërit bashkë me gratë e tyre dhe 9 nipa e mbesa. Por ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së dhe bashkëfshatarët e tij.” – tha mes tjerash z. Konjufca, fjalimi i të cilit e emocionoi edhe Rifat Jasharin.
Një moment tjetër i bukur ishte edhe ngjashmëria mes Lulzim Jasharit dhe babait të tij, Adem Jasharit, që është kryeheroi i Kosovës. Gjatë shënimit të përvjetorit të 25-të të Epopesë së UÇK-së, ra në sy ngjashmëria e madhe mes të atit dhe të birit edhe tek vizitorët në Prekaz.
Vizitorët e Memorlialit “Adem Jashari” kanë thënë se pamja e Lulzimit po ua heqë mallin e ish-komandantit historik.
“Edhe e ecmja, edhe e lëvizmja, edhe fytyra, janë me një fjale si portreti i Adem Jasharit”, theksonte një qytetar.
Ndërsa sa profesorët kanë një shpjegim për ngjashmërine, qyetarët besojnë se se pamja thuajse identike e Lulit me Ademin vjen nga perëndia.
Sigurisht, parakalimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, si gjithnjë ngjalli shumë emocion.


