Shqetësuese: Çdo e pesta familje në Kosovë s'arriti t'i paguante faturat të paktën dy herë gjatë vitit
Me 521 euro pagë mesatare bruto, buxheti i ekonomive familjare gjatë vitit 2022 duket të ketë qenë i pamjaftueshëm. E kryesisht pjesa më e madhe tij është shpenzuar për ushqim dhe banim. Ndërsa 19% e ekonomive familjare nuk kanë mundur të përballojnë pagesat, dy herë ose më shumë gjatë vitit. Në çka tjetër shpenzohet buxheti i kosovarëve?
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e anketës së Buxhetit të Ekonomive Familjare për vitin 2022.
Të gjeturat nuk janë edhe aq të mira, pasi që 19 për qind e qytetarëve të vendin nuk kanë mundur t’i përballojnë pagesat mujore më shumë se dy herë gjatë vitit.
“Ekonomitë familjare shpesh nuk janë në gjendje të paguajnë në kohë pagesat siç janë qiraja, kreditë, tatimet, shpenzimet komunale - faturat, mirëmbajtje të rregullta etj.” – thuhet në raportin e ASK-së.
Mirëpo, për ekonomistin Imer Raçi, kjo gjendje është krijuar për shkak të rritjes së çmimeve dhe ndihmës së vogël së Qeverisë së Kosovës.
Ai thotë se rritja e çmimeve të produkteve të konsumit, çmimi i energjisë, janë arsyet kryesore vështriësitë e ekonomive familjare.
“Standardi jetesor është goditur çdo herë si rritje e çmimeve e qe ka rënduar shporten e konsumatorit. Me të demtuarit janë ata që kanë te ardhura fikse e që nuk janë rritur, pra nuk kanë përcjellur inflacionin. Ndihma ka qenë e vogël dhe kjo barrë i bartet Qeverise sepse edhe nese janë ndihmu qytetarët ata kanë rritur edhe çmimet siç është çmimi i energjisë dhe kanë rënduar ekonominë familjare ose edhe me keq me rritje çmimi po i kthejnë subvencionet e marra me faturat e radhes te energjisë.” – ka thënë ai për Nacionale.
Për të qenë më të përballueshme pagesat mujore, Raçi e sheh si pikë kyçe intervenimin e qeverisë, si me rritjen e pagës minimale dhe me rritjen e pensioneve.
“Paga minimale e pandryshuar, pensionet e papërballueshme për krizen, çmimet e rritura kërkojne një dorë të zgjatur nga Qeveria në të kunderten kjo krize do të thellohet e do e vështirësoj edhe më shumë jetën e qytetareve.” – ka thënë ai.
Sa shpenzojnë kosovarët?
Sipas kësaj ankete të ASK-së ushqimi, banimi, transporti, veshmbathjet, alkooli dhe duhani, paraqesin 85 përqind të konsumit të përgjithshëm.
ASK thotë se “pjesa më e madhe e buxhetit të ekonomive familjare shfrytëzohet për ushqim dhe pijet joalkoolike dhe është llogaritur 4.389 €, ndërsa 4591 € në vendbanime urbane dhe 4485 € në ato rurale.”
Shpenzimi i dytë më i lartë i ekonomive familjare shpenzohet për banim rreth 14 për qind apo me 1 mijë e 137 euro në muaj.
Për shpenzimet në transport, një ekonomi familjare mesatarisht ka shpenzuar 591 euro, ndërsa 560 euro në vendbanime urbane dhe 619 euro në ato rurale.
“Në vitin 2022 ekonomia familjare mesatarisht ka shpenzuar 476 € për veshmbathje, ndërsa 521 € në vendbanime urbane dhe 435 € në ato rurale, apo 6 përqind të buxhetit në kuadër të buxhetit të përgjithshëm.” – thuhet në anketën e ASK-së.
Alkooli dhe duhani janë 3 përqind e shpenzimit të buxhetit apo 279 euro, 296 euro në vendbanime urbane dhe 263 euro në ato rurale.
Çka tjetër?
“Në vitin 2022 ekonomia familjare mesatarisht për mobilie ka shpenzuar rreth 235 €, ndërsa 228 € në vendbanime urbane dhe 240 € në ato rurale.” – thotë raporti i ASK-së.
“Shpenzimet e buxhetit të ekonomive familjare për shëndetësinë në vitin 2022 ishin rreth 215 €, ndërsa 216 € në vendbanime urbane dhe 213 € në ato rurale.”
“Shpenzimet për komunikim në vitin 2022 kanë qenë 173 €, ndërsa 174 € në vendbanime urbane dhe 172 € në ato rurale dhe kanë marrë pjesë në ndarjen e buxhetit të përgjithshëm të ekonomisë familjare me 2 përqind.” – janë të gjeturat e ASK-së.
Ndërsa kosovarë për pushime shpenzojnë më së paku.
“Pjesa e ndarë për rekreacion prej buxhetit të përgjithshëm të ekonomisë familjare në vitin 2022 ka qenë 181 €, ndërsa 196 € në vendbanime urbane dhe 167 € në ato rurale.” – thotë raporti i ASK-së.
Sipas ASK-së, “në vitin 2022 rrogat nga sektori privat dhe publik kanë qenë burimi më i rëndësishëm i të hyrave në Kosovë për rreth 50 përqind të ekonomive familjare.”
Ndërsa “8 për qind të ekonomive familjare të hyrat nga jashtë i kanë burim kryesor të hyrave.”



