Bislimi thotë se rritja ekonomike s'është rastësi - 68 për qind popullit të shqetësuar për çmimet dhe koston e jetës - NACIONALE

Bislimi thotë se rritja ekonomike s'është rastësi - 68 për qind popullit të shqetësuar për çmimet dhe koston e jetës

11 muaj më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, vazhdon të tregojë shifra për rritje të ekonomisë së vendit, teksa duket se nuk e shikon që çmimet e larta dhe kostoja e jetës, janë ndër problemet kryesore dhe më shqetësuese për qytetarët e vendit.

Zv.kryeministri Bislimi të enjten ka publikuar disa të dhëna që tregojnë që Kosova ka rritjen më të lartë ekonomike në vend.

Ai ka thënë se këto rezultate nuk janë të rastësishme, teksa këto statisitika duket që nuk ndikojnë tek populli.

Rishtazi, BERZh-i e vlerësoi Kosovën si vendin me rritjen më të lartë ekonomike në rajon për vitin 2023. BERZh-I parashikon se ky trend do të vazhdojë në të ardhmen e afërt. Banka Botërore dhe FMN-ja, gjithashtu, e kanë vlerësuar vendin tonë për rritjen ekonomike dhe trendin pozitiv të tij. Këto rezultate nuk janë rastësore. Trajektorja në të cilën ne e kemi drejtuar vendin është e duhura, ku do t’i shohim përfitimet në vitet në vijim. Qëllimi ynë është që kjo rritje të jetë e qëndrueshme. Të pakësohen pabarazitë dhe të ketë shpërndarje të barabartë për të gjithë qytetarët.” – ka shkruar Bislimi në Twitter.

Edhe ditë më parë, Bislimi arsyetoi rritjen ekonomike me këto fjalë:

Kur ne themi ka rritje reale, kjo nënkupton kështu: në qoftë se kjo shportë e konsumit në vitin 2021 ka kushtuar 100 euro dhe tash për shkak të inflacionit kushton 110 euro, individët i kanë 114 euro në xhep, pra përtej kostos së inflacionit kanë edhe 4 për qind (ka menduar 4 euro) apo 3.7 për qind më shumë. Do të thotë, prap mund ta bleni të njëjtën shportë përkundër inflacionit, plus ka 3 për qind më shumë.” – ka thënë ai gjatë raportimit të tij në Komision më 10 maj.

Megjithatë, pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të pushtetit se Kosova ka rritje ekonomike, kjo gjë vazhdon të mospërkthehet në jetën e përditshme të qytetarëve.

Sondazhi i institutit amerikan

Organizata joqeveritare amerikane “Instituti Republikan Ndërkombëtar”, ka publikuar të gjeturat e anketës për Kosovën.

Në këtë anketë, qytetarët janë pyetur edhe se “cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet Kosova?"

Sipas kësaj anekete, del që qytetarët gjatë vitit 2021 vetëm 15 për qind e kishin përzgjedhur koston e jetesës dhe çmimet e larta.

Ndërkaq, shqetësimi i qytetarëve për koston e jetës e çmimet e larta në mars të vitit 2023 është rritur drastikisht.

Tash 68 për qind e qyetarëve janë shprehur se kostoja e jetës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm me të cilin po përballet Kosova.

Problemi i dytë me përqindje më të lartë del të jetë papunësia me 57 për qind e të anketuarve, anipse pushtetit thotë se kanë zvogëluar papunësinë.

Nga 6 për qind në vitin 2021 tash në vitin 2023, 13 për qind e të anketuarave mendojnë që ekonomia në përgjithësi është një problem kryesor.

Më tej, gjetjet tregojnë që 60 për qind e qytetarëve mendojnë që çmimi i lartë i ushqimit është më i rëndësishmi.

Ndërsa, me 22 për qind është renditur, kostoja e lartë e jetesës në krahasim me të ardhurat.

Mungesa e vendeve të punës në përgjithësi është shqetësimi më i rëndësishëm i të anekturave me 56 për qind dhe me 26 për qind puna që nuk paguhet mirë.

Ndërkohë, sondazhi i IRI-it, tregon që qytetarën nuk presin ndonjë ndryshim në ekonominë familjare gjatë 12 muajve të ardhshëm.

43 për qind e tyre kanë thënë se ekonomia familjare do të jetë e njejtë.

Për të mos harruar, në Kosovë, nga muaji prill 2023 është shtrenjtuar energjia elektirke prej 15.4 për qind.

Lajme të ngjashme