“Të varfër e të papunë”: Kosovarët i shohin varfërinë, papunësinë e çmimet e larta si problemet kryesore - NACIONALE

“Të varfër e të papunë”: Kosovarët i shohin varfërinë, papunësinë e çmimet e larta si problemet kryesore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) ka botuar raportin e fundit të Pulsit Publik, i cili peshon besimin publik në Qeverinë e Kosovës. Përtej besimit në institucionet e Kosovës, ky raport vlerëson edhe brengat e qytetarëve rreth problemeve të tyre më madhore. Në këtë kontekst, qytetarët e Kosovës, të pyetur në një anketim, kanë rënditur disa probleme kryesore.

Problemet kryesore të qytetarëve nuk lidhen fare me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ndonëse kjo është një nga temat kryesore të diskutuara në opinionin publik, përfshirë mediet. Në fakt, kryeproblemet e kosovarë kanë të bëjnë me jetën e tyre të përditshme, përfshirë mirëqenien e tyre sociale e statusin ekonomik.

Papunësia, varfëria e çmimet e artikujve të domosdoshëm – janë tri problemet kryesore me të cilat përballen qytetarët e Kosovës. Në lidhje me përceptimet e tyre për problemet më madhore me të cilat përballet Kosova aktualisht, gati 30 për qind e qytetarëve kanë theksuar papunësinë.

Ndërsa 21 për qind e qytetarëve e kanë rënditur çështjen e varfërisë si problemin e dytë më madhor. E duket se inflacioni ka ndikuar keq në jetën e qytetarëve. 17,4 për qind e qytetarëve e kanë listuar si problemin e tretë më madhor “çmimet e artikuvje të domosdoshëm”.

Një tjetër problem, por më i vogël në përqindje, është furnizimi me energji (4,3 për qind). Ndërsa problemet me shërbimet shëndetësore i kanë parë si problem madhor 4,1 për qind e qytetarëve. Ndërsa arsimi, dhuna mbi baza gjinore e korrupsioni janë rënditur pas problemeve të lartëpërmendura.

Në lidhje me këto gjetje të Pulsit Publik, ka reaguar ekonomisti i afërt me VV-në, Edison Jakurti, duke shkruar se për uljen e varfërisë, papunësisë dhe efekteve negative të inflacionit, duhet programe e politika.

“Sipas raportit të fundit të Pulsit Publik, të bërë nga UNDP në bazë të një ankete të zhvilluar në muajt tetor-nëntor 2022, mbi 68% e qytetarëve e shohin papunësinë, varfërinë, dhe çmimet e artikujve të domosdoshëm si problemet më madhore me të cilat përballet Kosova aktualisht. Ndërsa në diskursin publik e dëgjojmë ditë e natë: dialogu me Serbinë.” – shkroi ndër të tjera z. Jakurti.

Por çka tha Pulsi Publik për çështjen e besimit në Qeverinë e Kosovës?

Nga gjetjet më të domethënëse të Pulsit Publik në lidhje me Qeverinë Kurti, ishte rritja e pakënaqësisë së qytetarëve me ekzekutivin. Sipas raportit, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv ka rënë për disa pikë në krahasim me prillin e vitit të kaluar.

“Në anketën e opinionit tetor-nëntor 2022, niveli i kënaqshmërisë me performancën e kabinetit ekzekutiv kapi vlerën prej 41%, një rënie për 6.2 pikë përqindjeje nga anketa e prillit 2022 kur ishte 47.2%. Niveli i kënaqshmërisë me punën e Kryeministrit kapi vlerën prej 44.9%, një rënie për 7.7 pikë përqindje nga prilli 2022 kur ishte 52.6%.” – thuhej në komunikatën e UNDP-së.

Në raport përmendet edhe niveli i kënaqshmerisë se qytetarëve me institucionet tjera.

“Kënaqshmëria me punën e Kuvendit kapi vlerën prej 39.1%, kurse kënaqshmëria me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës ishte 50.8%. Anketa e nëntorit 2022 tregon që niveli i kënaqshmërisë me Presidenten ishte në 56.8%. Ulje të dukshme pati në shkallën e kënaqshmërisë me Gjykatat dhe Zyrën e Kryeprokurorit, në 24.4% dhe 22% përkatësisht, krahasuar me prillin e vitit 2022”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme