Çka është Banka Zhvillimore për të cilën Murati tha se "po bëhet realitet"? - NACIONALE

Çka është Banka Zhvillimore për të cilën Murati tha se "po bëhet realitet"?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Gati krejt në fund të qeverisjes, ministri i Financave i Qeverisë Kurti, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se mund ta bëjnë realitet një premtim zgjedhor që e kishin bërë para gati katër viteve. E ky premtim ishte për krijimin e Bankës Zhvillimore. Murati njoftoi të dielën se Banka Zhvillimore po bëhet realitet. Çka tha ai dhe çka është Banka Zhvillimore?

Ministri i Finanacave, Hekuran Murati, i cilli po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në takimeve vjetore të Bankës Botërore, ka paralajmëruar se Banka Zhvillimore po bëhet realitet.

Murati përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kjo temë është diskutuar me Bankën Botërore e cila do të mbështet krijimin e Bankës Zhvillimore me një projekt rreth 50 milionë euro.

Banka Zhvillimore po bëhet realitet! Njëra nga temat e diskutuara me Bankën Botërore gjatë takimeve vjetore në Ëashington DC, ishte edhe mundësia e mbështetjes nga ana e tyre për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës. Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kap vlerën rreth 50 milionë euro.” – ka shkruar Murati.

Më tej, ai ka shpejguar rolin e Bankës Zhvillimore në ekonominë kosovare.

Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia etj. Qeveria për zhvillim të qëndrueshëm!” – ka thënë ai.

E për këtë lajm, reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila nuk beson se do të bëhet Banka Zhvillimore.

Ajo tha se deri më 9 shkurt, datë për mbajtjet e zgjedhjeve, shumë gjëra do të bëhen në Facebook, duke aluduar se praktikisht nuk do të ndodhë krijimi i Bankës Zhvillimore.

Pas ''Fondit Sovran'' bëhet edhe ''Banka Zhvillimore''.Mbahuni fort se prej sot deri me 9 shkurt shumë gjana kanë me ndodhë në facebook.” – ka shkruar ajo në Facebook.

Por, i shpejtë ishte reagimi i deputetit të VV-së, Adnan Rrustemi kundër deputetës Bajrami.

Rrustemi i VV-së pretendoi se lajmi i Muratit “ia ka prishë” fundjavën deputetës Bajrami, teksa përmendi edhe vlerësimin e presidentes së KE-së, Ursula Von der Leyen për kryeministrin, Albin Kurti.

Vlerësimi i djeshëm i lartë për KM Kurti nga Von der Leyen për shumë suksese, si dhe lajmi se Banka Zhvillimore po bëhet, ia kanë prishë vikendin Hykmete Bajramit. Me rëndësi Kosova!” – ka shkruar ai në Facebook.

Çka është Banka Zhvillimore?

Ajo që dihet është se Banka Zhvillimore do kishte për detyrë që të ndihmojë sektorin privat dhe do të promovonte investimet.

Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar.” – thuhet në planin e qeverisë.

Ekonomistët dhe njohësit e fushës kishin shprehur kritika nëse Banka Zhvillimore është e nevojshme për ekonominë e vendit.

Mbetet të shihet nëse ky premtim i Qeverisë Kurti i bërë gjatë kohës së fushatës zgjedhore më 2021 do të mbahet.

Lajme të ngjashme