Tre mijë bizneset e reja në muajt e parë të 2023-s: 97% e tyre s'i kanë as nga pesë punëtorë
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ditë më parë prezantoi shifra të kompanive të reja që janë regjistruar në Kosovë gjatë këtij viti. Mbi tre mijë ishte numri i tyre. Por nga sa punëtorë do të punësojnë këto kompani dhe në cilat qytete janë të fokusuara? Ndërkaq, Murati nuk ka treguar që 446 biznese janë shuar gjatë kësaj periudhe.
Ministri Hekruan Murati më mburrje në një shkrim në Facebook dha lajmin për regjistrimin e 3 mijë e 86 bizneseve të reja në Kosovë.
Sipas tij, këto biznese tregojnë që ekonomia e vendit po shkon drejt zgjerimit përkundër krizave globale.
Ai gjithashtu vuri theksin tek hapja e biznesve në sektorin e prodhimit.
“Rekord numër i bizneseve të hapura në tremujorin e parë 2023. Ekonomia e vendit po vazhdon zgjerimin përkundër krizave globale. Në tremujorin e parë të vitit 2023 janë regjistruar gjithsej 3,086 biznese të reja, që paraqet shifrën më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Lajmi tjetër i mirë është që në sektorin e prodhimit janë hapur 353 biznese të reja, gjë që e bën sektorin e dytë, menjëherë pas tregtisë.” – ka shkruar Murati në Facebook.
Ndërkaq, 446 biznese janë shuar pasi ministri si duket ka harruar të theksojë në shkrimin e tij edhe këtë statistikë.
Por çka dihet për këto biznese?
Agjencia e Statisitikave të Kosovës (ASK) që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, ka publikuar “Repertori Statistikor mbi Ndërmarrjet Ekonomike në Kosovë TM1 2023”.
Sipas ASK-së të dhënat për tremujorin e parë të viti 2023, tregojnë që janë hapur 3 mijë e 86 biznese, e që sipas tyre ka një ngritje për 9.0 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në listën e aktiviteteve të cilat u regjistruan e para del të jetë tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 762 ndërmarrje të regjistruara apo me 24.7 për qind.
Ndërsa këto janë aktivitete e tjera:
“Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregtia me shumicë dhe pakicë, riparimi i mjeteve motorike, motoçikletave me 762 ndërmarrje të regjistruara (24.7%); Prodhimi me 353 ndërmarrje të regjistruara (11.4%); Ndërtimtaria me 325 ndërmarrje të regjistruara (10.5%); Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike me 309 ndërmarrje të regjistruara (10.0%); Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim me 271 ndërmarrje të regjistruara (8.8%) etj.” – thuhet në njoftimin e ASK-së.
Me nga sa të punësuar?
Bizneset prej 1 deri në 4 të punësuar janë ndërrmarjet që janë regjistruar më së shumti për gjatë kësaj periudhe me gjithsej 2 mijë e 988 apo 96.8 për qind, ndërsa është regjistruar vetëm një kompani me më shumë se 250 të punësuar.
“Ndërkaq, sipas kategorisë së të punësuarve në ndërmarrjet e regjistruara në këtë tremujor, ishin: në kategorinë me 1 deri në 4 të punësuar janë gjithsej 2 988 ndërmarrje të regjistruara (96.8%); në kategorinë me 5 deri 9 të punësuar janë 69 sosh (2.2%); në kategorinë me 10 deri në 19 të punësuar janë 19 ndërmarrje të regjistruara (0.6%); me 20 deri 249 të punësuar janë 9 ndërmarrje të regjistruara (0.3%); ndërsa në kategorinë me 250 e më shumë të punësuar është vetëm 1 ndërmarrje e regjistruar.” – thuhet në raportin e ASK-së.
Në cilat qytete?
Qytetet ku më së shumti u regjistruan bizneset e reja janë: Prishtina, Ferizaj dhe Prizreni.
Kjo është lista e plotë:
“Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në nivel të komunave prin komuna e Prishtinës me 862 ndërmarrje të regjistruara (27.9%); Ferizaj me 267 ndërmarrje të regjistruara (8.6%); Prizreni me 261 ndërmarrje të regjistruara (8.4%); Gjilani me 172 ndërmarrje të regjistruara (5.6%); Peja me 160 ndërmarrje të regjistruara (5.2%); dhe Fushë Kosova me 124 ndërmarrje të regjistruara (4.0%). Ndërsa, komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.” – njofton ASK.



