"Edhe ne kemi shpirt", "duam të drejtat tona": Protestojnë punëtorët e sektorit privat
Federate Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka protestuar për shkak të kushteve të rënda të punëtorëve të këtij sektori në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Punëtoreve. Ata kanë kritikuar Qeverinë teksa kanë thënë se janë të diskriminuar.
Protestuesit janë mbledhur fillimisht në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe kanë vazhduar deri te Qeveria e Kosovës.
"Qeveri – kompani, është bërë vonë, kfjelluni ose lamtumirë”, “qeveri nënshkruani marrëveshjen kolektive”, “duam të drejtat tona”, “rritni pagat, s’punojmë më për 200 euro”, “kërkojmë rritje të pagave” - janë disa nga pankartat që protestuesit kanë mbajtur në dorë.

Kryetar i Sindikatës së Pavarur në Sektorin Privat të Kosovës, Jusuf Azemi ka thënë kërkesat e tyre vazhdojnë të jenë të njëjta siç i kishin para 10 viteve.
Ai ka thënë se punëtorët e sektorit privat janë të diskriminuar.
“Kërkesat janë ato që nuk janë lëkundur vendi që 10 vjet, s’kemi ndryshim të pagës, siguri në punë, është diskriminim i sektorit privat nga ai publik.”- ka thënë Azemi.

“Do të kishim pasur dëshirë që edhe në të kishim dal që të festojmë, por a din pse nuk jemi dal sepse kompanitë dhe Qeveria nuk po na lejon që të dalim. Sepse ata nuk e kanë problem pagën dhe benificionin. Ata po kanë problem kur ne po i’u prishim ndonjëherë. Sot kemi dal që ta bëjmë një bilanc, sot një vit kemi qenë këtu, sot një vit i kemi ofruara qeverisë këto kërkesa, bilancin qeverisë së Kosovës ka hyrë zero.” – citohet të këtë thënë ai, sipas Ekonomia Online.
Azemi ka thënë se edhe punëtorët e sektorit privat jetojnë në Kosovës teksa ka përmendur edhe vdekjet e punëtorëve në vendet e punës që ndodhin në Kosovë.
“Të gjithë po jetojmë këtu. Të gjithë jemi të vetëdijeshm se sa është inflacioni dhe pagat tona që i marrim nga qeveri janë po ato që kanë qenë. Edhe në kemi shpirt edhe ne dëshirojmë që të jetojmë, t’i gëzojmë fëmijët tanë po i’u nuk po na lejoni. Kërkuam pa ndërpre që ta kemi një 30% të trustit, mbajtëm shpresë që më në fund do t’i gëzojmë familjet tona dhe kjo nuk ndodhi. 25 herë i kërkuam kryeministrit e ministrave që t’i rregullojmë kushtet punëtorëve të Kosovës,”

“Kosova është e para në rajon me punëtorët e vdekur, ne kemi probleme edhe për të organizuar edhe funeral, Qeveria ka premtuar që do të ndaj një fond, por nuk e ka bërë. Më vitin 2021-2022 mbi 100 mijë punëtorë kanë ikur nga Kosova.” – ka thënë ai.
Për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve që shënohet më 1 maj, Qeveria Kurti është akuzuar për mostrajtim të punëtorëve edhe nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kryeministrit Kurti dhe kabineti i tij janë më shumë të fokusuar në grumbullimin e parave në thesar sesa në investime kapitale.
"Dita Ndërkombëtare e Punës kësaj here Kosovën e gjen në pozitën më të rëndë në 24 vitet e fundit. Secilën ditë që kalon, vendi ynë është edhe më keq, punëtorët tanë më të diskriminuar, e qeveria edhe më e fjetur. Kryeministri dhe kabineti i tij qeveritar janë të fokusuar më shumë në grumbullimin e parave në thesarin e shtetit se sa në investime kapitale - aty ku hapen vende të reja pune, rriten rrogat dhe zhvillohet shteti.” – ka shkruar ai.
Po ashtu edhe PSD-ja ka mbajtur një aktivitet simbolik para qeverisë, ku kanë hedhur në pah se qeveria nuk punon asnjë ditë të viti për të përmirësuar të drejtat e punëtorëve.
“Jemi në pushim vjetor (365 ditë) ndaj të drejtave të punëtorëve” – thuhet në një pankartë që e kanë vendosur aktivistët e PSD-së para objektit të Qeverisë.
