Kurti shkruan për Ditën e Punëtorëve, përmend Projektligjin e Pagës Minimale dhe Superpunën
Kryeministri Albin Kurti ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 majin, me anë të një postimi në Facebook ku ka numëruar disa prej masave që ka marrë për të përmirësuar kushtet e punës.
Kurti ka përmendur në këtë postim Projekt-Ligjin për Pagën Minimale, por i cili ende nuk ka kaluar në Kuvendin e Kosovës. Përmes këtij Projekt-Ligji nuk lejohet që paga minimale të jetë më e vogël se 250 euro.
Përtej kësaj, ai ka përmendur edhe masën “Superpuna” për të cilën thotë se ka mundësuar realizimin e 4501 marrëdhënieve të punës.
“(deri në çastin e këtij postimi)” – ka shkruar Kurti, për të treguar se dikush mund të punësohej derisa ai shkruante këto fjalë.
“Punësimi ka qenë njëri prej prioriteve tona kryesore dhe së bashku me të esenciale janë edhe të drejtat në punë. Në këtë drejtim në vitin e kaluar janë bërë 6316 inspektime nëpër biznese që synim kanë pasur monitorimin e respektimit të Ligjit të Punës dhe ligjeve të tjera në fuqi. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti janë shqiptuar 153 gjoba për mosrespektim të këtyre ligjeve.” – ka shkruar tutje Kurti.