Cirkusi i vendimeve me 'V' të madhe të “kryetarit me ‘k’ të vogël” Erden Atiq: Çfarë po u ndodh “ultimatimeve” të çdojavshme?
Se nuk duhet shpërfaqur “triumfalizma”, pati qenë vetë mesazhi dhe kërkesa (ndonëse doli që vetëm deklarative) e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas takimit të Nivelit të Lartë më 2 maj në Bruksel, në kohën kur ende nuk ishte bërë as betimi i katër kryetarëve të rinj legalë shqiptarë (të zgjedhur me vetëm 3% të votës së përgjithshme, rrjedhimisht jo-legjitimë) në komunat veriore.
Kurti e frazonte para gazetarëve kosovarë, serbë e ndërkombëtarë, se ata do të jenë “udhëheqës me ‘u’ të vogël” dhe “kryetarë me ‘k’ të vogël” teksa shprehimisht tingëllonte të qëndronte konform kërkesës së QUINT-it që kryetarët “të mos ushtrojnë funksione përtej administrative...dhe shërbime bazike komunale”.
Megjithatë tabloja do të rrotllohej në tërësi nga-dhe-përmes dy kryetarëve që garuan nën brendin e Lëvizjes Vetëvendosje, Erden Atiq dhe Lulzim Hetemi, të cilët në rend të parë do të refuzonin ftesën e ambasadorit amerikan më 29 maj; e që Kurti do të deklarohej se “kanë qenë në orar të punës”.
Ky refuzim pati shënuar edhe pikëprerjen e mosbashkërendimit kategorik me aleatët e sigurisë së vendit – tregim ky tashmë i mbarënjohur dhe i vulosur me sanksionim për herë të parë të Kosovës.
Për Lulzim Hetemin s’ka dëgjuar e parë kush gjë, përveç një komenti dërguar në Facebook një modeleje si “respekt për bukuroshen”, ku kryetari Hetemi ia dërgonte edhe flamurin e Kosovës si shenjë triumfi të vetëngujimit fortifikant në godinën e komunës; si dhe një komentimi për media se “po ha bukë si në hotel; kurrë më mirë s’kam qenë... Edhe me u la mirë, edhe banjo ka”. Kjo komedi 100 vitrinëshe ende s’është sosur.
Megjithatë ka qenë Mitrovica e Veriut vendi ku është provuar të shënohen poena politike nga “kryetari me ‘k’ të vogël” duke lëshuar “vendime me ‘V’ të mëdha”; e ku zbatimi nuk ‘zë’ vend fare.
Erden Atiq, i cili para disa muajve u intervistua nga “El Pais” ku media prestigjioze spanjolle raportonte për punën e tij nga një objekt ku “nuk ka asgjë aty përpos rafte të zbrazta dhe dy shishe ujë”, do të bëhej më kontraverzi, duke lëshuar vendime që rezonojnë nëpër tituj mediash, por nuk i rezonojnë askund në terren.
E premtja e fundit do të bëhej e premte komedie.
Krejt në fund të ditës njoftoi se dita e fundit kur strukturat paralele serbe do të duhej të lironin objektin që shfrytëzojnë s’është edhe bash e fundit.
Para tri jave u dha një javë kohë ultimatum, e pas asaj një jave kohë ultimatum u dha edhe dy javë ultimatum kohë...e pas këtyre dy jave kohe dha edhe dy javë kohë që Inspektorati Komunal të bëjë një raport për këtë objekt...e mbase, kësisoji, edhe deri në pafundësi.
Hajgare? Nuk mund të mos duket se po.
Tërë ditën nuk u bë i gjallë as për një sekond të vetëm – në telefon s’përgjigjej, përgjigje me shkrim s’kthente. Por, krejt në mbrëmje nxori një vendim, të çuditshëm e me çudi shumë.
Nxorri këshilltarin e tij, Visar Sylën, i cili mohoi se ka shtyerje të afatit – për ta shtyer veten pas dy-tri ore, ta përgënjeshtrojë këshilltarin që e nxorri vetë të thotë që s’ka shtyrje të afatit.
Hajgare? Nuk mund të mos duket se po.
“Të dashur qytetarë, në lidhje me vendimin nr.01-713/031 dua të ju njoftoj se afati i lirimit të objektit, i shfrytëzuar jashtëligjshëm, shtyhet deri në pranimin e Raportit nga Inspektorati Komunal”, shkroi Atiq dhe ia bashkëngjti vendimin.
Një ditë më vonë, për më tepër, Atiqin do ta përgënjeshtronte mozomakeq, Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin. S’ka të bëjë gjë fare, tregoi Ugljanin, kjo çfarë thotë Atiqi për gjoja raport inspektorati – por, presioni ndërkombëtar.
“Tërë ditën jam në punë. Dhe vendimi për lirimin e objektit ishte nën mbikëqyrjen e zyrtarëve ndërkombëtarë, përfaqësues të KFOR-it dhe EULEX-it ishin aty. Shtyrja e vendimit ishte ndikuar nga presioni i bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht për shkak të bisedimeve në Bruksel dhe që situata të mos eskalojë. Arsyeja kryesore pse është shtyrë është presioni i përfaqësuesve ndërkombëtarë”, tha ai në emisionin “Interaktiv” në KTV.
Kjo ngjarje po bëhet si seriali “100 vitrinat”; nuk po përfundon.
Serbët, dolën të kenë “mësuar” një gjë nga bashkëpartiaku i Atiqit, Lulzim Hetemi, modelin e mbylljes “hermetike”. U ngunjuan brenda objektit gjatë natës.
Për objektin në “Mahallën e Boshnjakëve” që bie nën pronësi komunale, serbët lëre që s’i ofruan dokumentacionin e nevojshëm rreth bazës së shfrytëzimit, por edhe shpërfillën kërkesën për lirimin ultimativ të saj.
Atiq, s'ndjen nevojën të shpjegohet për vendimarrjen e tij, e as pse vendimmarrja e tij s'është çuar në vend.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli me disa pretendime të tij gjatë ditës që Atiqi kishte hequr dorë (që edhe u konfirmua nga vetë Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut).
Tha se “Prishtina hoqi dorë” nga vendimi ultimativ për lirimin e kësja ndërtese që shfrytëzohet nga strukturat paralele serbe, si pasojë e presionit të aplikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Por, ai shtoi se, qeveria kosovare e Albin Kurtit, do të provojë sërish të njëtjën pas takimit të Nivelit të Lartë më 14 shtator.
“Prishtina u përpoq t'i zbatonte qëllimet e saj me marifete, por përsëri u vunë nën presion nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe u detyruan të dorëzoheshin", tha Vuçiq, siç e citoi KoSSeV.
Lista Serbe ditëve të fundit është shprehur se s’bëhet fjalë për lirim të objektit nga ku operohet me sistem paralel të Serbisë, e për më tepër nga ku operon edhe e ashtuquajtur “Zyrë për Kosovë dhe Metohi” që në qeverinë serbe udhëhiqet nga Petar Petkoviq.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë kundërshtuar këtë vendim të Atiqit, të cilit kaherë i është kërkuar “të mos ushtrojë funksione përtej administrative” dhe aq më pak jo të merr vendime që “mund të perceptohet si përshallëzuese”.
“Zyrtarë amerikanë e kanë ritheksuar pritjen tonë që këta kryetarë, përfshirë atë të Mitrovicës së Veriut, do të bëjnë përpjekje për t’iu përgjigjur shqetësimeve të të gjitha banorëve dhe pjesëtarëve të komuniteteve”, thanë nga ShBA në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Njëjtë u shprehën edhe nga BE, ku zëdhënësi Peter Stano, tha se qëndrimi i unionit 27 shtetësh është se janë “të shqetësuar për ndikimin që do ta kenë në situatën e sigurisë vendimet e fundit të administratës së Komunës së Mitrovicës së Veriut për përdorimin e hapësirës dhe ndërtesave publike dhe komunale”.
BE kërkoi “bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë në të gjitha vendimet që mund të kenë ndikim në situatën e brishtë të sigurisë” dhe se çështja e strukturave paralele duhet të adresohet në Dialogun e Brukselit dhe në kuadër të themelimit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe”.