Chollet: Vendimi i fundit i Kosovës për targa mund të prodhojë një krizë të re - NACIONALE

Chollet: Vendimi i fundit i Kosovës për targa mund të prodhojë një krizë të re

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Këshilltari Special i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë ka deklaruar se vendimi i fundit i Kosovës për çështjen e targave mund të prodhojë një krizë të re.

Sipas tij, kjo është një çështje që amerikanët nuk do të donin ta shihnin, pasi kur ka qenë edhe vet personalisht në vendin tonë, e ka ripërsëritur faktin se palët duhet të ulen në dialog në Bruksel dhe ta vazhdojnë atë deri në fund, ku synohet të arrihet marrëveshja finale me njohje reciproke.

"Fatkeqësisht këto janë hapa që nuk do të donim t'i shihnim. Kur isha në rajon javën e kaluar, e bëra shumë të qartë që ShBA, duke punuar vazhdimisht me partnerët evropianë duan t'i mbyllin krizat dhe të vazhdojë dialogu në Bruksel, nga i cili synohet marrëveshja finale dhe njohja reciproke", tha fillimisht ai.

Tutje, Chollet shtoi se ky hap i Prishtinës nuk është në përputhje me marrëveshjen e nëntorit.

"Mendoj se hapat e 24 orëve të fundit të Prishtinës nuk janë në përpuethshmëri me asnjërën nga pikat e marrëveshjes së arritur në nëntor. Mendoj se asnjë palë nuk duhet të marrë vendime të njëanshme. Duhet t'i koordinojmë hapat e mëtutjeshëm dhe t'i evitojmë krizat", vlerësoi Chollet.

Asociacioni

Ndërkaq, sonte në mbrëmje ai foli edhe për median serbe N1, duke mohuar zërat se Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe do të jetë një lloj Republikë Serbe ekuivalente me atë në Bosnje e Hercegovinë.

“Duhet të jem i qartë, nuk është një marrëveshje që i ngjan Republikës Srpska.” – ka deklaruar ai.

Siç bëhet e ditur nga mediumi në fjalë, Chollet nuk ka dashur të flasë shumë rreth specifikave për Asociacionin, pasi që këto detaje duhet të diskutohen përmes dialogut, sipas tij.

“ShBA-ja e përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe qëllimi i tij është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke.” – ka thënë ai.

Nesër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti nesër do të takohet me "pesëshen euro-amerikane" që pritet të vijë në Kosovë.

Bëhet fjalë për Emisarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e kancelarit gjerman, Scholz, presidentit francez, Macron dhe kryeministres italiane, Maloni.

Në këtë takim pritet të diskutohen hapat e radhës të dialogut, ndërsa raportohet se mund të ketë edhe afate për arritje të marrëveshjes.

Kujtojmë, afati i fundit që kishte qarkulluar në opinionin publik ishte marsi i këtij viti, por zhvillimet e dhjetorit ndryshuan rrjedhën.

Lajme të ngjashme