"Nervozohet" Chollet: Dua të jem i qartë, Asociacioni s'i ngjan Republikës Serbe - NACIONALE

"Nervozohet" Chollet: Dua të jem i qartë, Asociacioni s'i ngjan Republikës Serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Nënsekretari amerikan dhe këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet edhe një herë tjetër ka deklaruar se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe duhet të formohet. Madje, ai e ka theksuar se kjo është e rëndësishme për shtetin që ai përfaqëson.

Në një intervistë për“N1”, Chollet e ka bërë të qartë se nuk është një marrëveshje që i ngjan Republikës Srpska.

“Duhet të jem i qartë, nuk është një marrëveshje që i ngjan Republikës Srpska.” – ka deklaruar ai.

Siç bëhet e ditur nga mediumi në fjalë, Chollet nuk ka dashur të flasë shumë rreth specifikave për Asociacionin, pasi që këto detaje duhet të diskutohen përmes dialogut, sipas tij.

“ShBA-ja e përkrah dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, dhe qëllimi i tij është normalizimi në drejtim të njohjes reciproke.” – ka thënë ai.

Por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, disa herë ka deklaruar se themelimi i Asociacionit është në kundërshtim me Kushtetutën. Madje, në një intervistë për “N1”, ai kishte deklaruar se “Kosova nuk dëshron një Republikë Srpska” brenda territorit të saj.

“Kosova nuk do të lejojë një Republika Srpska brenda Kosovës dhe ne e dimë shumë mirë se kjo është ajo që dëshiron Serbia. Ne kemi një përvojë të hidhur kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe jemi shumë të kujdesshëm që ta pengojmë Serbinë të kopjojë atë model në Kosovë.” – kishte thënë ai.

Chollet e kërkoi Asociacionin gjatë vizitës në Kosovë

Nuk dihet se çfarë ka ndodhur në prapavijë të takimeve me presidenten Osmani e kryeministrin Albin Kurti. Asnjëri nga dy liderët e vendit nuk ka dhënë shumë detaje.

Zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për media bëri të ditur se në takimin e së mërkurës u diskutua “plani evropian”, apo siç njihet më shumë, plani “franko-gjerman”.

Në këtë komunikatë, por as në njoftimin e presidentes Osmani, nuk përmendej diku fjala “Asociacion”.

Por, këshilltari Chollet u duk mjaft i hapur në një takim me gazetarë në Prishtinë. Ai madje, e tha qartë se Kosova duhet të përmbushë zotimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ne besojmë se jemi në një moment kritik. Ne besojmë se Kosova me Serbinë duke të angazhohen urgjentisht në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, i cili po punon drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke.” – kishte thënë Chollet.

Ndërkaq, se e ka diskutuar çështjen e Asociacionit me Kurtin dhe të tjerët që ishin në takim, ai e konfirmoi edhe në intervistën dhënë “Financial Times”, ku tha se “ata e kuptojnë rëndësinë e kësaj”.

“Ndërsa serbët përfundimisht do të duhet të pranojnë një nivel të sovranitetit, Kosova duhet t'u japë qytetarëve të saj etnikë serbë autonomi më të madhe, në veçanti një asociacion formal për komunat me shumicë serbe në veri të vendit.” – deklaroi ai mes tjerash në këtë intervistë, deklaratë kjo që i nervozoi mjaft shumë disa komentues në rrjetin social Facebook.

Lajme të ngjashme