Asociacioni: ShBA e BE të vendosur se duhet themeluar, Kurti thotë se s'ka Republikë Serbe - NACIONALE

Asociacioni: ShBA e BE të vendosur se duhet themeluar, Kurti thotë se s'ka Republikë Serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tri intervista nga tre njerëz të rëndësishëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Njëri kryeministër i Kosovës, tjetri emisar për Ballkanin Perëndimor i ShBA-së, ndërsa i fundit i dërguar i posaçëm i BE-së për dialog. Pra Albin Kurti, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçk dhanë intervista dje, e ku natyrisht tema kryesore ishte dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Por aty në qendër ishte asociacioni. Edhe më konkretisht, dy emisarët, pra Escobar dhe Lajçak folën për nevojën e themelimit të Asociacionit, gjersa Kurti paralajmëroi përsëri se nuk do të ketë Republikë Serbe.

Natyrisht, nuk munguan as detajet nga prapaskena e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me Lajçakun që dha ca detaje shtesë për situatën serioze që ekzistonte para marrëveshjes për targat.

Ndërsa, Kurti foli më shumë për situatën në Serbi, të cilën e akuzoi si vend gjysmëautoritar e me të cilin vend Kosova ka nevojë për normalizim të marrëdhënieve.

Çfarë tha Kurti?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e dha një intervistë për mediumin boshnjak “N1”, në të cilën foli për marrëdhëniet me Serbinë, dialogun, e raportet me Bosnjën, Asociacionin e shumë tema të tjera.

Natyrisht, Kurti foli shkurtimisht për çështjen e Asociacionit, por me një vendosmëri. Ai përsëriti deklaratën e tij se nuk do të lejojnë Republikë Serbe në Kosovë.

Kosova nuk do të lejojë një Republika Srpska brenda Kosovës dhe ne e dimë shumë mirë se kjo është ajo që dëshiron Serbia. Ne kemi një përvojë të hidhur kur bëhet fjalë për Bosnjën dhe Hercegovinën dhe jemi shumë të kujdesshëm që ta pengojmë Serbinë të kopjojë atë model në Kosovë”, tha ai, transmeton Nacionale.

Tutje, Kurti u deklarua edhe për Serbinë, të cilën e cilësoi si vend autokratike me lidhje të afërta me Rusinë.

Dhe kjo është aryseja pse situata në Ballkan është e rrezikshme, sepse përveç luftimit të hegjemonisë së Begradit, ekziston edhe Rusia. Kosova ka ushtrinë dhe policinë e saj dhe është një vend shumë më demokratik se Serbia, dhe pavarësia e Kosovës është më e madhe se në Serbi, që është e varur nga Rusia. Në terma të rritjes ekonomike, ne jemi përpar Serbisë. Në Serbi opozita nuk mund të fitojë, dhe në Kosovë, si opozitë, kemi provuar se ne mund të fitojmë pushtetin. Është testi kryesor i demokracisë. Ju e dini që opozita nuk e ka asnjë shansë për fitore në Rusi, po ashtu. Ne jemi të kujdesshëm, sepse kemi kufirin me një vend jo demokratik.” – deklaroi tutje z. Kurti në intervistën për mediumin boshnjak.

Kyreministri foli edhe për marrëdhëniet jonormale me Serbinë.

Kosova është një vend normal, ne kemi shpallur pavarësinë para gati 15 vitesh dhe në vitin e fundit kemi pasur rritjen më të lartë historike. Ne gjithashtu kemi përmirësuar pozicionin tonë me 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International, si dhe kur bëhet fjalë për lirinë e medias. Sa i përket shtetit ligjor, ne jemi të parët në Ballkan. Pra, Kosova është një vend normal me progres dhe zhvillim, por marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale”, tha ai.

Çfarë thanë emisarët?

Edhe z. Escobar, por edhe Lajçak, folën për nevojën për themelimin e Asociacionit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Escobar, që është diplomati më i lartë i DASh-it për Ballkanin Perëndimor, tha se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të zbatohet.

Tutje, ai tha se të dyja vendet, pra Kosova dhe Serbia, duhet të mendojnë për banorët e veriut dhe perspektivën e tyre, transmeton VOA. Ndërsa në një fjalim tjetër në “Atlantic Council”, Escobar e tha përsëri të njëjtën gjë, që Asociacioni është ligjërisht i detyrueshëm.

"Është një dispozitë ligjërisht e detyrueshme. Është ligjërisht e detyrueshme për Serbinë, për Kosovën dhe për BE-në, dhe pikërisht për shkak se ne mbështesim dialogun, është edhe detyrimi ynë. Pra, po, duhet të zbatohet dhe do të zbatohet.” – tha emisari i ShBA-së.

Ndërsa, z. Lajçak, në intervistën për Kanal10, theksoi se palët, pra Kosova dhe Serbia, e kuptojnë që marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të respektohen.

I pyetur nga moderatori Kushtrim Sadiku nëse duhet të themelohet Asociacionit, z. Lajçak e dha këtë përgjigje:

Është një fjali që e thashë edhe në marrëveshjen që arritëm të mërkurën e kaluar e cila thotë se palët e kuptojnë se të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, duhet të zbatohen. Kjo i jep përgjigje pyetjes tuaj. Unë vetëm mund ta përsërisë se BE-ja pret dhe kërkon që çdo gjë që është rënë dakord në 10 vjet dialog duhet të zbatohet nga të dyja palët, me çka nuk mund të jetë qasje selective ndaj angazhimeve të marra nga palët. Pra, kjo është ajo që i bën marrëveshjet tona kredibile, kjo është ajo që e bën procesin kredibil. Dhe kjo është ajo që do t’i bëjë edhe marrëveshjet e ardhshme kredibile. Pra, nuk mund ta pranojmë qasjen, unë do ta bëj këtë por nuk do ta bëj atë.

Ndërsa për Asociacionin ka folur sot edhe Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Beograd, duke thënë se Kurti duhet të zgjidhë çështjen e të dretjave kolektive të serbëve.

Pala kosovare po përpiqet të shoh se sa hapësirë ka për ndërkombëtarizimin e çështjeve të saja. Ndërsa pala serbe dëshiron të shohë se cilat janë të drejtat dhe e ardhmja e tyre kolektive në Kosovë. Ne duhet të merremi me këtë. Amerikanët dhe evropianët i thanë Kurtit të zgjidhë çështjen e të drejtave kolektive të serbëve”, tha Hill për TV Insajderi, transmeton Albanian Post.

Lajme të ngjashme