‘Dy kriteret e fundit’: Qe pse Kurti s’i ka meritat për liberalizimin e vizave
“Jeni tejet i matur.. kam një pyetje konkrete të cilën dua ta di”, kështu e filloi fjalën e saj deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fjolla Ujkani, të mërkurën në Komisionin për Integrim Evropian, derisa po i drejtohej zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi për çështjen e vizave, sikur dëshironte të nënkuptonte se meritat i ka Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti. Edhe ky i fundit, e bëri një ndërlidhje mes qeverisjes së tij dhe këtij lajmi pozitiv. A i ka kryeministri meritat për heqjen e vizave?
Ambasadorët e shteteve të Bashkimit Evropian të mërkurën i kanë dhënë “PO-në” vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Vendimi i hapi rrugë Presidencës Çeke të BE-së që t’i nisë negociatat me Parlamentin Evropian dhe vendimi, me shumë gjasë hynë në fuqi më së largu më 1 janar të vitit 2024.
Le të kthehemi në vitin 2018
Ishte data 18 korrik, para katër vitesh e disa muajsh, kur Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Në komunikatën për media, përmendëshin dy çështje: Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Kosova i ka përmbushur dy kriteret e mbetura…" - theksohej qartë në njoftimin e KE-së.
Demarkacioni i Kufirit: Shumëkush mund ta mbajë në mend, dhunën në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotësjellës nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila e kundërshtonte ratifikimin e kësaj marrëveshje.
Arritjet në luftën kundër krimit të korrupsionit: Ishin këto dy çështje që kryeministri Kurti, në reagimin e tij për vendimin e ambasadorëve evropianë, që pretendoi se ka pasur progres, duke tentuar të lë të kuptojë se në një formë, kjo mund të ketë ndikuar në vendimin pozitivë.
Por, komunikata e cila gjendet në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, tregon se Kosova veç se kishte arritur progres në këto dy fusha, para katër viteve.
A ka ndonjë meritë Kurti për heqjen e vizave?
Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, i ka thënë Nacionales se kryeministri Kurti po vepron njëjtë si ata që kanë qenë në pushtet para tij, derisa e përmendi edhe rekomandimin e Komisionit Evropian në vitin 2018.
“Albin Kurti po vepron njësoj sikurse edhe paraardhësit e tij, të cilët vazhdimisht përpiqeshin që t’i merrnin meritat për liberalizimin e vizave. Kurti dhe gjithë opinioni e di që Komisioni Evropian qysh në vitin 2018 ka rekomandu liberalizimin sepse Kosova i ka plotësu kushtet. Ai e di shumë mirë se që atëherë kjo çështje është puro-politike dhe nuk ka të bëjë me përmbushjen e kritereve." - tha ai.
Mushkolaj mes tjerash, tha se Kurti “po përpiqet që të bëjë politikë me këtë çështje”, por se ka punë të tjera të cilat duhet të përfundojnë, që nuk kanë lidhje me liberalizimin e vizave.
“E kuptoj Kurtin se ai përpiqet që të bëjë politikë me këtë çështje, por përtej marrjes së meritave z.Kurti ka plot punë të tjera për të kryer, e të cilat në fakt nuk lidhen me liberalizimin e vizave. “Pavarsëisht se ai tash përpiqet të shfaqet si një shpëtimtar i popullit, i cili i ka mungu qytetarëve dhe çfarëdo që bën ai është në funksion të marrjes së vendimeve nga ana e BE-së. Në rastin e liberalizimit të vizave, z.Kurti mund ta ketë këtë pjesën e vetë të përgjegjësisë në kuptimin institucional mirëpo ai e di që kriteret janë plotësu qysh në vitin 2018.” - na tha Mushkolaj.
Heqja e liberalizimit të vizave nga agjenda
Situata e krijuar në veri pas mosarritjes së marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë, e largoi nga agjenda e takimit të ambasadorëve, çështjen e liberalizimit të vizave.
Derisa vendimi pritej të merrej javën e kaluar, presidenca çeke konfirmoi se “nuk është ideale”, që të mbahet takimi tani.
"Për shkak të zhvillimeve politike në veri të Kosovës, ta kemi këtë pikë në agjendën e Coreper-it [trupi i ambasadorëve] nuk është ideale.” – thuhej në komunikatën e presidencës çeke.
Vendimi u mor dje, ishte pozitiv. Por, kjo ndodhi pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel, ku siç kishte njoftuar kryediplomati Josep Borell: “Palët kuptojnë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të dialogut duhet të zbatohen.”
Kurti ndërkaq, pretendoi se kërkesat e BE-së për sundim të ligjit, luftim të krimit e korrupsionit, nuk po përmbusheshin më herët, duke tentuar që në këtë pjesë, t’ia lë vetës meritat.
“Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen. Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas World Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave; politikat sociale të rishpërndarjes me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe atë për Përballje me Inflacionin; rreshtimi me botën demokratike dhe qeverisja e mirë dhe e pastër ka ndryshuar rrënjësisht imazhin e Kosovës.” - deklaroi ai.