Boltoni propozon që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet në ndonjë ishull të Egjeut pa spektatorë - NACIONALE

Boltoni propozon që dialogu Kosovë-Serbi të bëhet në ndonjë ishull të Egjeut pa spektatorë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, ka folur edhe në lidhje me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi gjatë ditës së sotme.

Ai foli për EuroNews Albania duke u shprehur se kërcënimi më i madh aktual ishte qeveria e Moskës.

“Nga jashtë, duket se kemi humbur mundësitë që diplomatikisht të zgjidhim mosmarrëveshjet mes Serbisë dhe Kosovës. Shumë njerëz kanë punuar drejt këtij qëllimi për goxha kohë. Nuk e di se çka e shkaktoi trazirën e fundit. Jam i sigurt që arsyet nuk janë të thjeshta, por ma merr mendja që në perspektivën e Evropës dhe të ShBA-ve, duke konsideruar luftën në Ukrainë, tash nuk është koha për tensione në ndonjë pjesë tjetër të kontinentit evropian, në Ballkan apo kudo tjetër, që të lejohet të shpërthejë,” – është shprehur z. Bolton.

Ai ka kërkuar që të paktën të kuptohet se kërcënimi i vërtetë me të cilin po përballet bota aktualisht është Kremlini.

Boltoni komentoi edhe propozimin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për një konferencë të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Besoj që sa më shumë palë të përfshihen në negociata, aq më e zorshme do të jetë të arrihet marrëveshja por ka një traditë në Shtetet e Bashkuara. Kryetari i Çikagos, Mer Daley, kur përballej me mundësinë e grevave të mësuesve, e mbyllte Bordin e Arsimit në një dhomë me sindikatat e mësuesve dhe iu thoshte “nuk do të largoheni nga dhoma derisa ta arrini një marrëveshje.” Zakonisht kishin sukses. Megjithatë, mendoj që kur ka shumë të jashtëm që komentojnë procesin si të ishte ngjarje sportive, nuk do të ketë rezultat të dëshirueshëm. Do të ishte më mirë për Kosovën dhe Serbinë që të përfaqësoheshin në një ishull, ndoshta në Egje, pa shumë spektatorë përreth,” – u shpreh tutje ai.

Lajme të ngjashme