“Donbas ballkanik”: Pasi alarmoi për veriun, Rama del me ide për konferencë ndërkombëtare mes Kosovës e Serbisë
Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, është jashtëzakonisht aktiv në javët e fundit, që nga fillimi i tensioneve në veri të Kosovës në fundin e muajit maj. Në stilin e tij tashmë të njohur, Rama ka disa herë që tregohet jashtëzakonisht dramatik në lidhje me fatin e veriut dhe mundësinë e një konflikti të armatosur. Madje, kryeministri shqiptar është i pari lider i një vendi të NATO-së që po kërkon një “konferencë ndërkombëtare” për të ulur tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Idenë e kësaj konference, Rama e përmendi një ditë më parë, ndërsa nuk ngurroi ta shfaqte idenë e tij as sot në prani të Josep Borrellit, shef i diplomacisë së BE-së, me të cilin doli në një konferencë për media. Në botëkuptimin e Ramës, konferenca duhet të organizohet në stilin e Dejtonit dhe Rambujesë, ku palët s’duhet lënë të dalin pa arritur një marrëveshje.
“Unë shpresoj shumë që ideja e një konference të nivelit të lartë, që të sjellim liderët e dy shteteve, liderët e BE-së dhe Amerikës, dhe të mos i lëmë të dalin pa arritur një marrëveshje, ose të ballafaqohen me të gjitha pasojat që do të ishte shumë zhgënjyese për të gjithë.” - tha Rama, raporton Nacionale.
Por, Rama, përveç idesë, ka pasur edhe shumë alarme e paralajmërime për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës. Dje, gjatë një konference për medie, Rama alarmoi për një “Donbas Ballkanik”, pra një përplasje e armatosur në veri të Kosovës. Duke folur për përplasjet mes Kosovës dhe Serbisë, Rama deklaroi se degradimi i situatës në veri të Kosovës mund t’i kushtojë gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë tek fronti i politikës së brendshme dhe tek sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike u kanë kthyer kurrizin. Ndërkohë situata në Veri degradon me orë e me minuta, duke rritur edhe mundësinë e largqoftë një “Donbasi” ballkanik mu në zemër të Europës. Kjo mundësi edhe vetëm ta mendosh është katastrofike, prandaj duhet eliminuar me çdo kusht. Miopia strategjike në qasjen ndaj dialogut, zvarritja e planit të shkëlqyer franko-gjerman, devijimi i fokusit tek demonstrimet e forcës dhe si rrjedhojë, degradimi i situatës në Veri, mund t’i kushtojnë gjithë këtij rajoni, Serbisë padiskutim, po sidomos Kosovës më shumë se çdokujt tjetër, një kthim i mosozotshëm mbrapa, me pasoja shumëvjeçare.” – tha dje Rama nga Brukseli.
Ditë më parë, Rama kishte alarmuar për mundësinë e një protektorati ushtarak mbi veriun, nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të refuzojë kërkesat e ndërkombëtarëve për shtensionimin e situatës në veri.
Në një seri postimesh në Tëitter, shefi i Qeverisë së Shqipërisë theksoi se nëse Kurti këmbëngul “në të tijën kundër aleatëve”, atëhere KFOR-i do të rikthehet në krye të punës.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova - sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!” – shkroi ai.
Interpretimi ogurzi e pesimist i Ramës, u thellua në cicërimin e tretë. Rama paralajmëroi një “Republikë të KFOR-it”.
“E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!” – shkroi ai.


