Edi Rama: Aleatët s’po mund ta konceptojnë se si Kosova po refuzon të bëjë një hap të vetëm deeskalimi
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, e ka bërë një postim të radhës në Twitter sa i përket çështjes së Kosovës.
Fjalët e z. Rama janë veçanërisht të rëndësishme pasi vijnë pas takimeve që ka pasur në Bruksel me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian.
“...fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të marrëdhënieve të Republikës ës Kosovës me bashkësinë evro-atlantike.” – ka shkruar Rama ndër tjerash në adresimin e tij.
Ai ka rikthyer në vëmendje pamundësinë e partnerëve strategjikë të Shqipërisë dhe Kosovës se si vendi ynë, Kosova, po e ka të pamundur të bëjë një hap të vetëm konkret e konstruktiv për deeskalim të situatës.
“Është e pakonceptueshme për aleatët tanë strategjikë, që Kosova vazhdon të hedhë qoftë edhe një hap të vetëm konkret e konstruktiv për de-eskalimin e situatës gjithnjë e më të rrezikshme në Veriun e Republikës së Kosovës.” – shprehet ai.
Sipas tij, kjo po i shkon në favor Serbisë që “po ia del të fshihet pas mjegullës gjithnjë e më të dendur.”
Kryeministri shqiptar ka ripërsëritur kërkesën e tij që të ketë një konferencë mes Kosovës dhe Serbisë e që do të thirrej nga Franca e Gjermania me mbështetje të BE-së dhe ShBA-ve, e ku “të dyja palët të mos ngrihen nga tryeza e dialogut, deri në nënshkrimin e një marrëveshjes së plotë të normalizimit, përfshirë natyrisht edhe dakordësimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës.”
Vetë Rama e ka propozuar tashmë në Bruksel një draft-statut të Asociacionin, dhe i cili ishte quajtur “shumë konstruktiv” nga ana e emisarit amerikan Gabriel Escobar.
“Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet vendosmërisht një forcë që promovon paqen, mbron stabilitetin në rajon, kontribuon për bashkëpunimin rajonal dhe punon pa u lodhur për rritjen e saj të gjithanshme, pa rënë asnjëherë në kurthin ballkanik të së shkuarës, po edhe pa heshtur në asnjë rast përballë shfaqjeve kërcënuese të vetëmjaftueshmërisë sovraniste, nga kushdoqoftë, kurdoqoftë e kudoqoftë, në lagjen tonë të vogël në mes të Europës” – thekson kryeministri i Shqipërisë.
Kujtojmë se Rama e kishte anuluar mbledhjen e përbashkët të qeverisë së tij me Qeverinë e Kosovës që ishte paraparë të mbahej më 14 qershor, pikërisht për shkak të zhvillimeve në veri të vendit.
Statusi i plotë:
Takimet me autoritetet më të larta të Bashkimit Europian ishin një lajm shumë i mirë lidhur me progresin e Shqipërisë në negociatat me Bashkimin Europian dhe politikën tonë konstruktive rajonale. Por fatkeqësisht në këto takime, ishte tejet brengosës konstatimi i regresit të… pic.twitter.com/lW4J8O1oYE
— Edi Rama (@ediramaal) June 27, 2023

