Blerja sekrete e grurit, Krasniqi: E turpshme, Qeveria Kurti mori grurë nga kompania turke e ndërtimit - NACIONALE

Blerja sekrete e grurit, Krasniqi: E turpshme, Qeveria Kurti mori grurë nga kompania turke e ndërtimit

4 vjet më parë

nga Halim Kafexholli

Çmimi i shtrenjtë i grurit, me të cilin Qeveria Kurti mbushi hambarët, është bërë temë e debatit në Kuvend. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, kanë kërkuar llogaridhënie nga Ministria e Ndërmarrësisë.

Një javë pas publikimit nga gazeta Nacionale të skandalit të grurit të blerë në mënyrë sekrete e me çmim të shtrejntë, opozita ka ngritur zërin për këtë çështje.

“Është turp”

Çështjen e blerjes së grurit e ngriti si diskutim kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Kreu opozitar e ka kritikuar ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin, se kanë blerë grurë nga kompanitë e ndërtimit.

“Është turp që na me marrë mësim, e me na mësu ti që ke ble grurë prej kompanive të ndërtimit. Për këtë jam i sigurt që do ta keni momentin të jepni përgjegjësi”, ka thënë Krasniqi.

Më tej, ai ka qenë i ashpër me krahasimet që ka bërë ministrja Hajdari, duke thënë se bizneset e vogla dhe të mesme duhet të mbështeten, e jo t’u hidhet faji për krizën aktuale.

Ju i shpallët hajna tani, me fjalë të tjera abuzues, marketet e vogla nëpër lagje e fshatra. Marketet e vogla dhe të mesme nëpër të gjithë Kosovën. Ju thatë se ata qenkan fajtorë dhe po e shkaktojnë krizën. Ata qenkan duke na vjedhë ne. Ju thatë që ju nuk keni faj, por këto markete të vogla e të mesme. Ata janë të vetëpunësuar, që ju do t’i mbyllni deri në fund të vitit me këtë logjikë qeverisëse. Ju po dëshironi me i falimentu 30 mijë markete të vogla në vend”, ka thënë kryetari i PDK-së.

Sipas Krasniqit, tendencat e kësaj qeverie nuk po përfundojnë me kaq.

“Ju po folni për bukë 44 %, a dëshironi që t’i mbyllni edhe bukëpjekësit? Po folni për pasta e grurë. Ju s’di a keni mendu që po blini blloka, por keni ble grurë prej kompanive të ndërtimit”, ka përfunduar i pari i PDK-së.

“Strucat s’kthejnë përgjigje”

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, njëherësh edhe ish-ministër i Bujqësisë, ka folur sot në seancën e Kuvendit në lidhje me këtë skandal.

Deputeti Mustafa ka pyetur në Kuvend se sa është marzha e fitimit në grurin që ka blerë Qeveria nga kompania turke. Mirëpo, sikurse edhe në pyetjet e Nacionales edhe pyetjet e Mustafës nuk morën përgjigje nga askush. Ai po ashtu ka pyetur se pse ky grurë nuk është blerë nga bujqit kosovarë.

“S’ka përgjigje nga strucat. Nuk e dinë as që nuk dinë”, ka shkruar më pas në Facebook Besian Mustafa, i cili ka vazhduar me pyetje edhe në profilin e tij në Facebook.

“Sa është marzha e fitimit në grurin që ka blerë Qeveria nga kompania turke e NDËRTIMIT, 1,7 milionë euro MBI çmimin e tregut?”, pyet Mustafa në shkrimin e tij.

“Por, “çuditërisht”, nuk pati guximin të përgjigjet në pyetjen time për marzhën e fitimit të kompanisë turke të ndërtimit nga e cila ka blerë grurë, me kontratë sekrete, 1,7 milionë euro mbi çmimin e tregut”, ka shkruar më tej Mustafa.

Çka raportoi Nacionale?

Gazeta Nacionale ka publikuar javën e kaluar lajmin se si qeveria e Kosovës ka blerë grurë nga Turqia me çmim shumë më të shtrenjtë se sa që mund të ishte blerë nga bujqit kosovarë, ose sa kushton në treg. Kjo çështje u diskutua sot edhe në seancën parlamentare ku opozita kërkuan sqarime nga Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari.

Nacionale raportoi se Qeveria e Kosovës kishte vendosur të mbushte hambarët e shtetit me grurë. Për këtë arsye, i bleu të paktën 10,000 tonë me grurë. Por, del se blerjen sekrete të grurit e ka bërë me çmime abuzive që dëmtuan buxhetin për 1.7 milion euro.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka përdorur arsyetimin “sekret shtetëror” për të mos dhënë përgjigje në lidhje me skandalin. Është fjala për blerjen e grurit për rezerva shtetërore gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti, 2022.

Gazeta ka zbuluar se Qeveria Kurti II, në muajin mars i bleu 3 mijë tonë grurë nga një furnitor i brendshëm. Çmimi për një ton ishte 549 euro. Por, për kompanitë vendore që kishin blerë grurë në po të njëjtin muaj, çmimi mesatar kishte qenë 334 euro.

Ndërkohë, në muajin prill ishin blerë 7 mijë tonë grurë me çmimin 546 euro për ton. Por, çmimet mesatare nëpër vende të huaja ishin 163 euro më lirë, ose 383 euro.

Por, përpos lirisë për të caktuar çmimin duke shmangur ofertat konkurruese, Ministria e ka shfrytëzuar edhe për të zgjedhur ofertuesit prej të cilëve e importon grurin.

Një faturë e siguruar nga Nacionale ku dokumentohet një nga blerjet e Ministrisë, vë në dyshim nëse rezervat e shtetit po mbushen me grurë cilësor. Për rezervat e shtetit, Ministria ka blerë grurë edhe nga një kompani ndërtimi në Turqi.

“Yafe Turizm Insaat Sanayi ve Ticare” shkruhet në pjesën e faturës së lëshuar nga Dogana e Kosovës, ku kërkohet emri i eksportuesit të grurit për Ministrinë. Kompania prej së cilës shteti ka blerë grurë për rezerva është kompani që merret me industrinë e ndërtimit dhe me tregti. Kjo kompani është gati fantome edhe në listat e eksportuesve të Turqisë. Në portalin e eksportit të mbështetutur nga qeveria turke “turkishexporter.net” kompania nuk figuron askund, as në regjistrin e kompanive në Turqi.

Minsitrja Hajdari, u kontaktua nga Nacionale për të marrë një qëndrim për skandalin e blerjes së grurit, mirëpo Hajdari, në vend të përgjigjes konkrete, vendosi të mbajë ligjërata mbi atë se si dhe kur duhet penguar një zyrtare shteti.

“Zotëri, ministrja është në takime, dhe asnjëherë nuk është mirë që ta pengoni ministren në takime”, tha Hajdari duke folur për veten në vetën e tretë.

Kur Nacionale insistoi që të marrë një përgjigje të thjeshtë: nëse gruri i blerë nga Minsitria ka arritur në rezervat e shtetit, minsitrja vazhdonte të fliste për atë se si është “non-stop” e zënë.

Jam nonstop në takime”, tha Ministrja shkurtazi për Nacionalen.

Lajme të ngjashme