Dita e negociatave: Bislimi në Bruksel, por çka tha VV-ja në Kosovë për Asociacionin?
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ka udhëtuar për në Bruskel, ku është takuar edhe me Petar Petkoviqin, kryenegociator i Serbisë. Në këtë takim që tashmë ka përfunduar, është raportuar se do të diskutohej edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sigurisht, temë e diskutimit, siç u raportua, do të jetë edhe zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe situatën aktuale në veri të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit. Por çfarë po thotë VV-ja në Kosovë për Asociacionin?
Përderisa dyshi i Qeverisë Kurti gjendet në Bruksel, në Prishtinë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që besohet se është temë e këtij raundi të negociatave, ka folur Alim Rama, sekretari organizativ i VV-së.
Në një tryezë të diskutimit mbi “planin franko-gjerman”, Rama deklaroi se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar nga ish-ekipi menaxhues në Bruksel më 2 maj ishte “fashist”.
“Ai statut i prezantuar atje, i cili është refuzuar... aty s’ka pasë asnjë nen ku përmendet Republika e Kosovës. Ose ku vendoset ai statut dmth në bazë të atij statuti është me u kriju një entitet i cili nuk është as në Kosovë, as në Serbi, ose më shumë në Serbi sesa në Kosovë. Është fashiste! Dhe mundet me qenë çfarëdo qoftë, nuk i shkon parimeve të dialogut, është shumë me rëndësi ta di për çka është dialogu,” – u shpreh ai.
Ndërsa një ditë më parë, Armend Muja, deputet i LVV-së, foli rreth propozimit të Miroslav Lajçakut, i dërguar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Në fakt, Muja e kritikoi Lajçakun i cili deklaroi se po e kërkon një mes për Asociacionin, duke thënë se politika nuk funksionon në këtë formë.
“Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe ‘hajde të takohemi kah mesi’. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendët evropianë në atë mënyrë. Qëndrimi jonë prej fillimit ka qenë se Kushtetuta e Kosovës dhe ligjshmëria janë alfa dhe omega. Çfarë ka brenda asaj Kushtetute mund të shikohet se si mund të përmirësohet pjesëmarrja politike e secilit komunitet në Kosovë, por një milimetër jashtë Kushtetutës së Kosovës nuk mund të kalojë. Kjo në Kosovë nuk kalon, këtë duhet ta ketë parasysh edhe zotëri Lajçak dhe të tjerët.” - thekson ai.
Siç raportoi Nacionale ditë më parë, Lajçak u pyet për qëndrimet krejtësisht të kundërta të palëve rreth Asociacionit, duke thënë se ai po e kërkon mesin mes qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë.
“Roli ynë si lehtësues është gjithnjë të gjejmë mesin, dhe bash këtë gjë po provojmë ta bëjmë." - deklaroi Lajçak para mediave në Prishtinë.
Pas takimit, Bislimi theksoi se palës serbe i intereson vetëm Asociacioni.
“Sekuentimi për ne ka qenë pjesë qendrore e takimit. Kemi pasur propozimet tona dhe vërejtjet tona, pala serbe ka thënë se ne na intereson vetëm pjesa e Asociacionit e pastaj do të flasim për pjesën tjetër. Mirëpo nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe që sot të diskutohet. Situata në veri nuk është trajtuar fare. Mirëpo kanë qenë dokumentet të cilat i ka sjell Lajçak në vizitën e tij me 11 maj në Prishtinë.” - ka thënë Bislimi.
Ndryshe, javën e kaluar në Kosovë qëndroi edhe Samantha Power, administratore e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), e cila foli edhe për Asociacionin, duke kërkuar që i njëjti të themelohet shpejt.
“Normalizimi do të jetë shumë i mirë dhe dobishëm edhe për biznesin. Kemi pasur diskutime edhe për urgjencën e krijimit të Asociacionit, por edhe zbatimit të plotë të gjitha aspekteve të marrëveshjes. Po ashtu kemi shpresë që palët do të kalojnë në fazën e ardhshme të dialogut me propozime specifike. Ne e kemi bërë shumë të qartë nëpërmjet zotëri Cholletit dhe Escobarit se cilat janë parimet dhe po ashtu besojmë se çdo asociacion do t’iu përmbahet atyre kushteve.” - deklaroi Power.



