"S'është politika ashtu": Nga VV vazhdojnë ta kritikojnë Lajçakun një ditë para takimit të nesërm në Bruksel
Vetëvendosje duket se assesi nuk po e merr veten pas deklaratave të bëra nga emisari Lajçak gjatë gjithë kësaj jave. Ata kanë vazhduar me kritika ndaj tij edhe sot, një ditë para takimit në nivel kryenegociatorësh për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Nëse e mbani mend, gjithçka nisi me një deklaratë nga ana e Lajçakut ku ai e cilësonte “pikënisje” draftin e statutit të Asociacionit që u prezantua në Bruksel nga ana e Ekipit Menaxhues, tashmë i shpërbërë.
I pari që kishte dhënë deklarata të ashpra kishte qenë kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili i kishte thënë edhe këto fjalë:
“Nëse BE-ja nuk mendon se zgjidhja duhet kërkuar brenda Kushtetutës së Kosovës, mendoj se Kosova nuk ka çfarë kërkon në atë dialog më,”
Më pas, z. Lajçak ishte sulmuar edhe nga deputetë e aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.
Por, sulmet ndaj Lajçakut po vazhdojnë edhe sot, në prag të takimit në nivel kryenegociatorësh në Bruksel.
Deputeti Armend Muja e ka thënë atë për të cilën kishte tërhequr vërejtjen edhe Nacionalja gjatë kësaj jave: përmendja e mesit nga Lajçaku ishte e rrezikshme.
“Propozimet që i ka pasur Lajçak është që të ofrojë një ekstrem atje dhe një ekstrem këtu dhe “hajde të takohemi kah mesi”. Nuk është politika ashtu, as shteti nuk funksionon, besa nuk po funksionojnë as trendet evropiane në atë mënyrë,” – ka thënë ai për KosovaPress.
Siç raporton ky medium, Muja e ka quajtur edhe të anshëm ndërmjetësin Lajçak.
Takimi i nesërm në Bruksel mund të jetë i dobishëm edhe për një përplasje tjetër në distancë mes BE-së dhe Kosovën sa i përket Ekipit Menaxhues.
Bashkimi Evropian përmes zëdhënësit për Politikë të Jashtme, Peter Stanos, kishte thënë që shpërbërja e ekipit përbënte shkelje të “germës dhe frymës” së marrëveshjeve të Brukselit. Ky interpretim ishte kontestuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kujtojmë që edhe Gabriel Escobar, emisari i ShBA-ve për Ballkan, kishte thënë po ashtu se po kërkonte mesin sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
